PRO: Kroacia anëtarësohet në BE - sa mirë!
1 Korrik 2013Mirëseerdhe Kroaci në Bashkimin Evropian! Sa mirë që BE-ja më 1 Korrik 2013 fut në radhët e saj një anëtar tjetër! Po të ishim në vitin 2004, kur dhjetë vende evropiane iu bashkuan nën brohortje të mëdha Bashkimit Evropian, ky urim mirëseardhjeje do të kishte qenë i vetëkuptueshëm. Por në mes të krizës së euros pranimi i Kroacisë në BE shoqërohet nga skepticizmi dhe shqetësimi. "Kroacia do të jetë varri i ardhshëme i miliardave ", e titullonte së fundmi me tone populiste gazeta tabloide gjermane Bild një artikull të saj duke ushqyer në këtë mënyrë frikërat nga zgjerimi i BE. Të tjerë e perceptojnë Kroacinë sidomos si të korruptuar dhe nacionaliste, si një vend ku historia e kohëve e luftës së fundit karakterizon ende marrëdhëniet e ftohta me Serbinë.
Politikanët kroatë janë të vetëdijshëm se euforia e zgjerimit është zhdukur dhe pranimi i anëtarit të ri do të jetë i qetë dhe modest. Pradaj elita politike në Zagreb konstaton në mënyrë pragmatike dhe të matur se ka ende shumë për të bërë për të përmbushur rregullat e kërkesat e Bashkimit Europian. Kjo ka të bëjë sidomos me ekonominë e sëmurë, reformat strukturore në administratë, luftën kundër korrupsionit.
Perspektiva e BE-së si shtysë për reforma
Por kjo autokritikë tërësisht e justifikueshme nuk duhet të errësojë faktin se Kroacia ka bërë vitet e fundit përparime të mëdha në të gjitha fushat. Kështu, Komisioni i BE-së i vlerësoi rezultatet e luftës kundër korrupsionit - ndryshe nga rasti i shteteve anëtare, Bullgarisë dhe Rumanisë - si të përshtatshme. Bashkëpunimi konstruktiv i Kroacisë me Gjykatën e Krimeve të Luftës të Hagës për hetimin e krimeve në luftërat jugosllave u konsiderua si një parakusht i rëndësishëm për përfundimin e negociatave të pranimit. Kroacia është sot - në ndryshim nga vitet e karakterizuara nga nacionalizmi në fillim të pavarësisë së saj - një vend i hapur dhe tolerant që ka bërë përparime të mëdha në aspektin e sundimit të ligjit. Të gjitha këto nuk do të kishin qenë të mundura pa procesin e anëtarësimit në BE. Sepse perspektiva e besueshme e anëtarësimit në BE qe leva që nxiti reformat. Procesi i anëtarësimit në BE ishte si një katalizator që përshpejtoi demokratizimin. Këtë duhet ta marrin parasysh kundërshtarët e zgjerimit, kur thonë se BE-ja duhet që të konsolidohet para se të pranojë më shumë anëtarë.
Sidomos pasi zgjerimi sjell për Gjermaninë më shumë përfitime se shpenzime. Për ekonominë gjermane e cila është e orientuar fort nga eksporti zgjerim i BE-së ka sjellë përfitime të forta. Edhe mbytja e tregjeve të punës të shteteve të vjetra anëtare të BE nga qytetarët e vendeve të reja anëtare nuk ndodhi.
Dera mbetet e hapur
Kësaj i shtohet edhe një aspekt i vendimtar, i duke mbetet në harresë duke u përqendruar plotësisht vetëm tek analiza ekonomike e të mirave dhe të këqijave të zgjerimit. Bashkimi Evropian është një projekt paqeje, i ngritur si përgjigje ndaj efekteve shkatërruese të Luftës së Dytë Botërore. Strategjia e zgjerimit për Ballkanin Perëndimor është një instrument për të siguruar paqen në rajon. Kroatët jane nje komb në të cilin përvojat e luftës së fundit jane akoma freskëta. Ata e dinë se sa e brishtë mund të jetë paqja. Kjo përvojë mund të forcojë idenë evropiane.
Edhe për fqinjët e drejtpërdrejtë të Kroacisë, për Bosnje-Hercegovinën dhe Serbinë, anëtarësimi është një hap i madh. Sepse Kroacia merr rolin e modelit për kandidatët e tjerë në Ballkanin Perëndimor dhe mund të jetë motori i pajtimit dhe i kompensimit. Prandaj përfshirja e Kroacisë duhet të jetë një inkurajim për kandidatët e tjerë në Ballkanin Perëndimor, për të mos lënë pas dore përpjekjet e tyre për reforma, edhe në qoftë se rruga për në BE është ende e gjatë dhe e përpjetë. Me vendimin e tij të marrë vetëm pak ditë përpara pranimit të Kroacisë në BE për të hapur bisedimet e pranimit me Serbinë, Bundestagu jep një sinjal i rëndësishëm. Një premtim që solidariteti evropian nuk mbaron në kufijtë e BE-së. Përshëndetja e mirëseardhjes për Kroacinë nuk do të jetë e fundit.