Pritjet e qytetarëve gjermanë nga politika e jashtme
5 Korrik 2014Presidenti gjerman kërkon më shumë angazhim: Joachim Gauck kërkon që Gjermania të kuptojë rëndësinë e saj të rritur politike dhe ekonomike dhe të marrë respektivisht më shumë përgjegjësi në politikën e jashtme. Qeveria gjermane duket se po i përgjigjet tashmë kësaj dëshire të kreut të shtetit gjerman: Kancelarja Angela Merkel dhe ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier po përpiqen për një zgjidhje paqësore të situatës në lindje të Ukrainës. Dhe ministrja e Mbrojtjes Ursula von der Leyen dëshiron të sigurojë avionët e telekomanduar, që mund edhe të armatosen - kjo është e re. Avionët pa pilotë duhet të mbështesin ushtarët gjermanë në misione të Bundesverit jashtë vendit.
A duhet të bëhet Gjermania vërtet më aktive në skenën ndërkombëtare? Mendimi i qytetarëve gjermanë për këtë deri tani ka qenë pak i kërkuar. Dhe meqenëse nuk ka referendume në mbarë Gjermaninë, popullsia nuk merr pjesë direkte në vendimmarrje në këto çështje të rëndësishme. Por si mendojnë gjermanët? Cilat objektiva dhe detyra duhet të ndjekë politika e jashtme gjermane?
Opinioni në ndryshim me kalimin e kohës
Për këto pyetje fondacioni Körber në maj zhvilloi pranë TNS Infratest një anketim përfaqësues me pjesëmarrjen e 1000 personave nga 18 vjeҫ. Që para 20 vjetësh është zhvilluar një testim i tillë i opinionit për politikën e jashtme, dhe kështu mund të bëhen krahasime interesante.
"Surprizë e madhe për ne ishte ndryshimi i opinionit në popullsi", thotë Thomas Paulsen, drejtor i sektorit për politikë ndërkombëtare në fondacionin Körber. Ka megjithatë një shpjegim se përse në 1994 rreth 62 për qind e qytetarëve mendonin se Gjermania duhej të angazhohej më shumë, ndërkohë që në 2014 politika e jashtme gjen pak mbështetje dhe shumica e gjermanëve janë më shumë për qëndrim të përmbajtur.
"Në vitin 1994 njerëzit shihnin çdo ditë në lajme pamje të tmerrshme të konflikteve në Ballkan. Sot popullsia gjermane nën përshtypjet e misionit në Afganistan gjendet përpara një bilanci të dyshimtë suksesi", e shpjegon Thomas Paulsen ndryshimin e opinionit.
Objektivat më të rëndësishme
Detyra më e rëndësishmë e politikës së jashtme gjermane është për gjermanët - sipas sondazhit - mbrojtja e të drejtave të njeriut në mbarë globin. 51 për qind e të anketuarve në të gjitha grupmoshat dhe pavarësisht arsimit apo preferencave partiake shohin si objektivin më të rëndësishëm sigurimin e "paqes në botë". Për sigurinë e aleatëve gjermanët nuk shqetësohen aq shumë për besnikërinë ndaj aleancës sa krijohet përshtypja nga deklaratat publike të politikanëve.
Një politikë e jashtme, e cila orientohet nga interesat ekonomike, refuzohet në përgjithësi nga qytetarët gjermanë. Tema "sigurimi i vendeve të punës" është shumë poshtë në listën e përfytyrimit për objektivat në politikën e jashtme. Ish-presidenti gjerman Horst Köhler para katër vjetësh pranoi me sinqeritet në një intervistë se misionet e Bundesverit kanë edhe motive që burojnë nga objektivat ekonomikë të Gjermanisë. Kritika që pasoi këtë deklaratë ishte shumë e ashpër. Köhler vendosi të jepte dorëheqjen.
Në 1994 do të kishte pasur ndoshta më shumë mirëkuptim për këtë deklaratë të Köhlerit. Atëherë më shumë se gjysma e gjermanëve e konsideronin të rëndësishëm aspektin e vendeve të punës në politikën e jashtme, tani janë më pak së një e katërta. Thomas Paulsen nga fondacioni Körber argumenton dallimin mes opinionit publik në vitet 1994 dhe 2014 para së gjithash me faktin që para 20 vjetësh Gjermania vuante një nga recesionet më të rënda ekonomike në historinë e Republikës Federale.
Sot përballë koniunkturës së mirë në Gjermani ka pak shkas për një orientim ekonomik të politikës së jashtme gjermane. Në ҫdo rast mundësitë civile në angazhimin në politikën e jashtme janë më të preferuara për të anketuarit. Ndihma humanitare dhe negociatat diplomatike mbështeten shumë nga popullsia, ndërkohë që misionet ushtarake në pjesën më të madhe refuzohen.
Angazhimi në Evropë është më i preferuar
Shumë informativ është opinioni aktual i qytetarëve, me cilat vende Gjermania duhet të bashkëpunojë më ngushtë dhe me cilat më pak. "Fare qartë në krye janë vendet fqinje të Gjermanisë", konstaton Paulsen bazuar në rezultatet e sondazheve. Që Kina preferohet madje më shumë se SHBA shpjegohet me rëndësinë e rritur të vendit aziatik. Kina është partneri i tretë më i madh tregtar i Gjermanisë, përpara SHBA-së.
Opinionet janë të ndara sa i takon bashkëpunimit me Rusinë. 53 për qind mbështesin një bashkëpunim më të ngushtë, 41 për qind duan pikërisht të kundërtën. Megjithë krizën e Ukrainës dhe përfshirjen e Rusisë në të, fondacioni Körber nuk sheh asnjë shkas për të besuar në një distancim më të madh të Gjermanisë nga Rusia. "Prej vitesh shohim një afinitet të fortë të gjermanëve me Rusinë, i cili nuk mund të shkatërrohet brenda një kohe të shkurtër. Dhe kjo vlen për të dyja palët."
Vlen të theksohet në këtë kontekst, se përkrahja për Rusinë dhe SHBA është thuajse në të njëjtën masë. Ajo që pritej ishte një mbështetje më e madhe e gjermanëve për partnerin klasik transatlantik SHBA. "Këtu kanë lënë gjurmët e veta nga një anë një antiamerikanizem i fshehtë dhe nga ana tjetër imazhi negativ i SHBA pas luftës së Irakut dhe skandalit të NSA", thotë Thomas Paulsen.
Rezultat i papritur i sondazhit është refuzimi i fortë për një bashkëpunim më të ngushtë me Turqinë. Këtu një rol të rëndësishëm ka luajtur qendrimi i qeverisë Erdogan, që perceptohet si antidemokratik. Kështu mbështetet politika e kancelares Angela Merkel dhe partive të Unionitt CDU/CSU, të cilët deri tani i janë përgjigjur dëshirës së Turqisë për anëtarësim në BE me skepticizëm deri në refuzim të plotë.
Fomdacioni Körber
Fondacioni Körber konsiderohet në Gjermani me angazhimin e tij për një shoqëri të vetëdijshme për përgjegjësinë si një nga institucionet lider. Ai është themeluar në vitin 1959 nga sipërmarrësi Kurt A. Körber nga Hamburgu, i cili ishte pasuruar me makineritë për prodhimin e cigareve. Fitimet e sipërmarrjes së tij shkojnë për fondacionin dhe mbështesin para së gjithash të rinjtë në fushat e arsimit, shkencës dhe kulturës.