1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prishtina dënon incidentin me armë në Gorazhdevc të Pejës

Bekim Shehu8 Dhjetor 2015

Autoritet e Kosovës: nuk do të lejojmë që incidente të tilla të acarojnë raportet e përmirësuara ndëretnike në Kosovë. Prishtina zyrtare nuk e paragjykon motivin e incidentit në fshatin me shumicë serbe Gorazhdevc.

https://p.dw.com/p/1HJEy
Präsidentin Kosovo Atifete Jahjaga ARCHIV 2014
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/V. Kryeziu

Udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës dhe përfaqësuesit e pranisë ndërkombëtare, e dënuan fuqishëm incidentin me armë zjarri që ndodhi një ditë më parë (07.12) në fsahtin Gorazhdec afër Pejës i banuar me shumicë serbe. Policia tha se “nga vlerësimi i parë i bërë në vendngjarje, ka një veturë të djegur nga zjarri dhe aty afër një shtëpi banimi ishte goditur me 4 plumba nga armë zjarri. Po ashtu ka një dëmtim të pjesshëm të një përmendoreje”. Nuk ka pasoja në njerëz, sikundër policia nuk e di motivin e sulmit dhe as autorët.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e dënoi këtë incident duke theksuar: “Dënoj incidentet në fshatin Gorazhdevc. Duke mos paragjykuar motivin e një akti të tillë, theksoj se nuk do të lejojmë që incidente të tilla t'i acarojnë raportet e përmirësuara ndëretnike në Kosovë. Policia e Kosovës dhe organet e rendit tashmë janë mobilizuar për të sjellë dorasit e këtij akti para drejtësisë dhe ftoj qytetarët e Kosovës të ndihmojnë në zbardhjen e këtij rasti”, thotë presidentja Atifete Jahjaga.

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Branimir Stojanoviq që vjen nga radhët e listës “Serpska”, ka vënë në pikëpyetje - siç thotë - demokracinë në Kosovë, duke theksuar, se në një vend demokratik kryerësit e veprave penale, nuk mund të jenë të panjohur. “Sulmet ndaj popullatës serbe në Kosovë e kanë kaluar çdo masë. Ky është momenti, për të gjithë ata që ia duan të mirën Kosovës, të pyeten se ku çon kjo sjellje. Jemi dëshmitarë të asaj që provokimet, frikësimet, përdhosja e përmendoreve të shenjta, por edhe sulmet e armatosura nuk po përfundojnë. I ftoj të gjithë kompetentët që t'ua presin rrugën atyre që bëjnë vepra të tilla”, thotë në reagimin e tij Branimir Stojanoviq. Ai u ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, por edhe kolegëve të tij, që me ndikimin e tyre ta nxisin policinë që ta bëj punën e saj, t'i gjejë dhe t'i dënojë ata që kanë bërë veprën.

Edhe shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger, i ka dënuar fuqishëm incidentet e fundit që sipas tij “afektojnë komunitetin serb në fshatin Gorazhdevc të Pejës”. “Prona e familjeve Petrovia dhe Vuksanovia, si dhe një automjet në pronësi të një anëtari të familjes Kolašinac, janë dëmtuar nga të shtëna armësh. Një monument që përkujton serbët lokal, përfshirë vrasjet e vitit 2003 të të rinjve në lumin e afërt Bistricë, është dëmtuar po ashtu. Një incident i ngjashëm ka ndodhur në Gorazhdevc në korrik 2015. I dënoj fuqishëm këto incidente. Intensiteti i këtij të fundit dhe fakti se ky është një shqetësim që po përsëritet kontribuon në ndjenjën e pasigurisë në mesin e komunitetit serb të Kosovës,” tha Jean-Claude Schlumberger.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ), duke e dënuar incidentin në Fshatin Gorazhdec të Pejës, thotë se në këtë fshat ka pasur disa herë incidente, e madje edhe vrasje të dy të rinjve, por që në asnjërin rast nuk ka pasur të dënuar. Kjo organizatë, kërkon që të hetohet rasti, por pa e paragjykuar atë.

“Duke u nisur nga kjo KLMDNJ, vlerëson se nuk duhet paragjykuar që sulmet janë kryer me motive etnike dhe politike. Për KMDLNj është i papranueshëm dhe i pakuptueshëm fakti, se ende nuk janë zbuluar autorët e vrasjes së dy të rinjve serbë dhe plagosja e disa të tjerëve në Gorazhdevc, ( 2013) pavarësisht faktit, se këtu përveç policisë së Kosovës ka edhe policë dhe hetues të EULEX-it dhe shumë shërbime informative, vendase dhe të huaja”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

Reagimet për incidentin në Gorazhdevc të Pejës nuk kanë munguar as nga autoritetet më të larta serbe. Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se ai do t'i kontaktojë dhe do të bisedojë me zyrtarë të huaj, të NATO-s dhe të EULEX-it lidhur me incidentin. Kryeministri i Serbisë ka paralajmëruar se një delegacion i qeverisë së Serbisë, por edhe ai vet, do ta vizitojnë Gorazhdecvin dhe vendet tjera të banuara me serbë në Kosovë - siç thotë - për t'i mbështetur dhe inkurajuar që të vazhdojnë të jetojnë në Kosovë.

Edhe një incident i dytë ndodhi gjatë mbrëmjes të hënën (07.12) ku u qëllua më armë zjarri në një dyqan në Istog, derisa dy serbë të Kosovës ndodheshin brenda në dyqan. As në këtë incident nuk pati të lënduar.