Shkarje nacionaliste e presidentit rumun Iohannis
15 Maj 2020Presidenti i Rumanisë me origjinë gjermane Klaus Iohannis, që nga viti 2014 në post dhe sivjet fitues i çmimit të Karlit të Madh, është në fakt kontrapunkti politik i nacionalistëve të Europës Qendrore dhe Lindore. Siç ka deklaruar vetë, ai është për vlerat e demokracisë liberale dhe të shtetit të së drejtës, mbron mirëkuptimin evropian dhe vetë është pjesë e një minoriteti në Rumani, të saksonëve të Transilvanisë.
Megjithatë tani Iohannis e ka shkelur vetë me këmbë kredon e tij politike, duke përdorur me sa duket si manovër taktike elektorale një nga narrativat më kryeneçe të nacionalistëve rumunë: Në një video-njoftim për shtyp në fund të prillit ai fajësoi partinë më të madhe opozitare Socialdemokratët, se së bashku me përfaqësues të pakicës hungareze të Rumanisë duan t‘ia shesin fshehurazi Transilvaninë Hungarisë. Kryeministrin hungarez Viktor Orbán ai e akuzoi indirekt, se fshihet pas këtij skenari të dyshuar. Kulmi i „deklaratës" së Iohannis ishte përdorimi dashakeq-parodik i një përshëndetjeje hungareze.
Kjo paraqitje, që shkaktoi shqetësim të madh në Rumani dhe Hungari, është më shumë se një thyerje personale e tabuve nga presidenti rumun. Ai vuri në levizje një spirale të re të eksitimit nacionalist në politikën e brendshme rumune, e cila shpesh është shumë e tensionuar. Serioze janë dhe pasojat për marrëdhënien konfliktuale rumuno-bullgare, që është një nga faktorët më të rëndësishëm për stabilitetin në rajon.
Manovër e dyshimtë elektorale
Në paraqitjen e Iohannis bëhej fjalë për statutin e autonomisë për një rajon në juglindje të Transsilvanisë me emrin Szeklerland, ku jetojnë kryesisht hungarezë. Prej shumë vitesh përfaqësues të "Shoqatës Demokratike të Hungarezëve në Rumani" paraqesin një projektligj të diskutueshëm, i cili refuzohet rregullisht. Prej kohësh kjo gjë nuk kishte më ndonjë jehonë të veçantë në media në Rumani.
Në fund të prillit ligji u miratua për herë të parë nga dhoma e ulët e parlamentit rumun "në heshtje”- sepse pas një afati të caktuar pa debat plenar një ligj konsiderohet automatikisht i miratuar. Iohannis e cilësoi këtë proces skenar të fshehtë separatist të Sozialdemokratëve (PSD) dhe të përfaqësuesve të pakicës hungareze. Ai nuk dha prova, në fakt kjo ishte më tepër një vonesë. Që në fillim ishte e qartë se Dhoma e Sipërme, që në një rast të tillë është e detyruar të votojë në seancë plenare, do ta refuzonte ligjin.
Por me sa duket Iohannis e shfrytëzoi situatën për një lojë të dyshimtë politike. Konteksti: Qeveria nacionalliberale e afërt me presidentin prej një kohe të gjatë nuk ka më shumicën në parlament, atje Socialdemokratët janë forca më e madhe opozitare. Nga fundi i vitit në Rumani do të këtë zgjedhje, Iohannis dhe nacionalliberalët synojnë shumicën e dëshiruar prej kohësh. Deri para disa muajsh perspektivat ishin relativisht të mira. Por në krizën e koronës qeveria nacionalliberale bëri një përshtypje kaotike, që uli popullaritetin e partisë.
Nën presion për t'u dukur si patriot i mirë rumun
Në Rumani ka qenë bërë prej kohësh e zakonshme që në situata krizash dhe fushatash zgjedhore të luhej "karta hungareze”. Kjo rezultonte në akuzën se Hungaria dëshiron ta përvetësojë sërish Transsilvaninë, e cila vetëm prej fundit të Luftës së Parë Botërore është pjesë e Rumanisë. Gati një milionë e gjysmë hungarezë në vend dhe përfaqësuesit e tyre politikë gjendeshin shpesh nën dyshimin kolektiv se janë "kolona e pestë” dhe tradhëtarë të atdheut.
Rreth tridhjetë vjet më parë një teori e tillë konspirative shkaktoi gati luftë civile në Transilvani. Ndërkohë skenari i separatizmit ka humbur fuqinë e tij mobilizuese te rumunët, por nuk është zhdukur si instrument politik. Ironia e keqe në rastin konkret: Pikërisht Sozialdemokratët shpesh shumë nacionalistë kanë inskenuar në të kaluarën vazhdimisht fushata të mbrapshta antihungareze. Dhe pikërisht Iohannis, të cilin Socialdemokratët vazhdimisht e kanë persekutuar për shkak të origjinës së tij jo-rumune, e pati dënuar fort këtë praktikë para se të zgjidhej në vitin 2014.
Por vëzhguesit thonë se Iohannis ndodhet nën presion për t'u dëshmuar, për t'u paraqitur si patriot i mirë rumun. Por e sigurtë është, që nuk është hera e parë që ai pozicionohet kundër pakicës hungareze. Në pranverën e vitit 2016 ai i hoqi pastorit hungarez nga Transilvania, László Tökés, një urdhër të lartë nderi, me të cilin ai ishte dekoruar për rolin e tij të jashtëzakonshëm në rrëzimin e diktaturës Ceaușescu. Arsyeja e tërheqjes ishin akuza për separatizëm kundër Tökés – procedura e revokimit u iniciua nga politikanë të PSD, duke përshirë edhe kominisioneren e mëvonshme të BE Corina Crețu.
Orbán pompon miliona dollarë në Transilvani
Me deklaratat e tanishme Klaus Iohannis është diskualifikuar personalisht nga radhët e politikanëve evropianë, shkruan avokati i shquar liberal hungarez nga Transilvania, Péter Eckstein-Kovács. Ish-disidenti dhe aktivisti për të drejtat e njeriut Gabriel Andreescu thotë, se Johannis po i hap rrugën "distancimit fatal të komunitetit hungarez të Rumanisë". "Në vend që të influencojë, që hungarezët të ndihen si në shtëpi në Rumani, shteti rumun i ka keqtrajtuar dhe i ka poshtëruar ata për dekada", shkruan Andreescu. "Sot shteti rumun e ka humbur në një masë të madhe kontrollin mbi jetën e hungarezëve në Transilvani."
Kontroll të gjerë mbi to ushtron tani kryeministri i Hungarisë Viktor Orbán. Qeveria e tij pompon çdo vit dhjetëra milionë euro në Transilvani për të mbështetur hungarezët atje. Orbáni ka nevojë për hungarezët jashtë vendit, shumica e të cilëve kanë shtetësinë hungareze, si votues.
Fillimisht Orbán reagoi çuditërisht i rezervuar ndaj deklaratave të Iohannis. Ndërkohë ai ka postuar në faqen e tij në Facebook fotografinë e një globi historik, i cili tregon "Hungarinë e Madhe" në kufijtë para vitit 1918, pra bashkë me pjesë të shteteve të sotme të Kroacisë, Rumanisë, Serbisë dhe Sllovakisë. Postimi i shumëkuptimtë nuk ngjalli vetëm në Rumani një zemërim të madh. Dhe një përgjigje të parlamentit në Bukuresht: Të mërkurën (13. maj) një shumicë e madhe e deputetëve e shpalli 4. qershorin ditë kombëtare përkujtimore festive. Është dita, kur Hungaria humbi Transilvaninë në traktatin e paqes së Trianon-it në vitin 1920. Viktor Orbán e kishte shpallur në vitin 2010, 4 qershorin si ditën e solidaritetit kombëtar të të gjithë hungarezëve në botë. Për shumë hungarezë kjo është ende një ditë zie, edhe një shekull pas Trianon-it.