Presidenti Obama lejon sulmet ajrore në Irak
8 Gusht 2014Pasi Presidenti amerikan Barack Obama dha urdhër për sulme ajrore kundër grupit xhihadist të shtetit islam (ISIS) në veri të Irakut aviacioni ushtarak amerikan filloi sulmet ajrore ndaj Irakut.
Avionët amerikanë bombarduan njësitë e artilerisë së ekstremistëve ISIS në afërsi të Erbilit, njoftoi zëdhënësi i Pentagonit John Kirby.
Obama kumtoi se qëllimi i këtyre sulmeve ajrore është goditja e disa objektivave të caktuara në rajonet ku janë stacionuar këshilltarët ushtarakë amerikanë dhe ku kërcënon mundësia e masakrës së popullatës civile nga islamistët. Obama urdhëroi edhe dërgimin e ndihmave humanitare për jesidët, që po mbahen të rrethuar.
"Sot kam autorizuar sulmet ajrore për mbrojtjen e personelit amerikan dhe për ndihma humanitare të mijëra civilëve irakianë, të cilët kanë mbetur të rrethuar në male pa ujë dhe ushqime, duke u përballur me mundësinë e vdekjes në çdo moment", theksoi Presidenti Obama.
Qëllimet e Obamës
Qëllimi i Obamës është që të ndërpritet depërtimi i trupave islamike në Erbil. Në kryeqytetin e rajonit kurdë, forcat ushtarake amerikane dhe ato kurde kanë ngritur në veri të Irakut edhe një Qendër të përbashkët me ushtrinë irakiane. Pas okupimit të qytetit Sindschar nga xhihadistët, para disa ditëshë, mijëra civilë kanë ikur në rajonet malore, të okupuara nga forcat ISIS. OKB kumtopi se ata nuk kanë ujë dhe ushqime për të mbijetuar.
KS i OKB ka kërkuar më parë pas një seance në Nju Jork që bashkësia ndërkombëtare të ndihmojë Irakun, për të evituar pasojat edhe më të rënda të sulmeve të ekstremisëve sunitë. Në këtë seancë të jashtëzakonshme u denua dhuna dhe aksionet e grupit ISIS, kumtoi ambasadori britanik Mark Lyall Grant. Ai tha se duhet ndërmarrë të gjitha masat e mundshme për të parandaluar këtë dhunë.
Megjithatë Presidenti amerikan ka përjashtuar munndësinë e ndërhyrjes së sërishme të trupave tokësore amerikane në këtë vend. "Si komandant dhe shef unë nuk do të lejojë përfshirjen e trupave amerikane në luftime tokësore. Por do të ndihmojmë trupat irakiane që të luftojnë terroristët në vendin e tyre", theksoi Obama.