1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti i Iranit, Raisi humb jetën në aksident

20 Maj 2024

Irani bën të ditur vdekjen e presidentit të vendit, Ebrahim Raisi pas rrëzimit të një helikopteri. Bashkë me të humbi jetën edhe ministri i Jashtëm i Iranit, Amirabdollahian që ishte në helikopter.

https://p.dw.com/p/4g3nJ
Presidenti iranian që ndërroi jetë, Ebrahim Raisi
Presidenti iranian që ndërroi jetë, Ebrahim RaisiFotografi: Iranian Presidency via ZUMA Press/picture alliance

Disa media iraniane kanë bërë të ditur njëkohësisht, se presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi si edhe ministri i Jashtëm iranian, Hosein Amir-Abdollahian kanë humbur jetën pas rrëzimit të një helikopteri në veriperëndim të Iranit, në Varzaghan. Agjencia Mehr raportoi se Raisi pësoi aksident "në kohën që i shërbente popullit iranian dhe përmbushte detyrimin e tij dhe ndërroi jetë si martir".

Sipas agjencisë Reuters, një përfaqësues i qeverisë iraniane e ka konfirmuar vdekjen e 63 vjeçarit. Televizioni shtetëror iranian kishte njoftuar, se forcat e shpëtimit që shkuan në vendin e rrëzimit të helikopterit nuk gjetën shenja për të mbijetuar. Drejtori i Gjysmëhënës Iraniane, Pirhosein Kolivand deklaroi në televizionin shtetëror, se ekipet e shpëtimit ishin në vendin e rrëzimit të helikopterit. "Ne mund të shohim rrënojat dhe situata nuk duket e mirë. Nuk ka "asnjë shenjë jete" në vendin e rrëzimit.

Moti i vështirë për aksionin e kërkimit pas aksidentit të helikopterit, ambulanca në mjegull
Moti i vështirë për aksionin e kërkimit pas aksidentit të helikopteritFotografi: Tasnim

Helikopteri zhduket pas kthimit nga Azerbajxhani

Presidenti iranian, Raisi ndodhej bashkë me ministrin e Jashtëm, Amirabadollahian në rrugën e kthimit pas një takimi me presidentin e vendit fqinj, Azerbajxhan, Ilham Aliyev, kur helikopteri u zhduk të dielën pasdite në veriperëndim të Iranit. Një numër i madh ekipesh shpëtimi kërkuan për të mbijetuar në një terren malor dhe kushte të vështira moti-

Ekipet e shpëtimit dhe shumë njerëz në vendin e rrëzimit të helikopterit, Varzaghan
Fotografi: Azin Haghighi/Moj News/AP/picture alliance

Në një kohë që përfaqësuesit e qeverisë dhe shtetit shprehën pikëllimin, në mediat sociale pati edhe mesazhe gëzimi. Qeveria e Raisit prej vitesh kritikohet për shkak të qëndrimeve të saj ultra-konservatore, shtypjes së të drejtave të njeriut dhe krizës së madhe ekonomike në vend.

Ekipet e shpëtimit në vendin e rrëzimit të helikopterit, Varzaghan
Fotografi: Azin Haghighi/Moj News/AP/picture alliance

la/ag