Gauck kërkon ndryshimin e mentalitetit në politikën e jashtme gjermane
31 Janar 2014Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Joachim Gauck, bëri thirrje për një rol më aktiv të Gjermanisë në politikën ndërkombëtare. "Republika Federale si partnere e mirë duhet që të angazhohet më shpejt, më me vendosmëri dhe në mënyrë më thelbësore", tha Gauck të premten(31.01.2014) në hapje të Konferencës së 50-të të Sigurisë në Mynih. Ai bëri thirrje për ndryshimin rrënjësor të mentalitetit: Për vite me radhë politika në Gjermani e ka argumentuar qëndrimin e tërhequr të saj, kryesisht në aspektin ushtarak, duke iu referuar së shkuarës nacionalsocialiste. Tani duhet të pranohet, se për të mbrojtur vlerat që përfaqëson Gjermania është i nevojshëm një rol më aktiv. Nuk duhen mbyllur sytë dhe nuk duhet "t'u shmangemi kërcënimeve", tha Gauck.
Në apelin e tij për një rol më të fuqishëm të Gjermanisë në kuadër të BE-së dhe NATO-s, Gauck, nuk e përjashtoi, siç u shpreh, as angazhimin ushtarak: "Gjermania asnjëherë nuk do të mbështesë zgjidhje tërësisht ushtarake, ajo do të veprojë me politikë të arsyeshme dhe do t'i ezaurojë të gjitha mjetet e mundshme diplomatike", tha ai. "Por nëse në fund do të diskutohet rasti ekstrem - angazhimi i Bundeswehr-it -, atëherë vlen, që Gjermania nuk duhet të thotë "jo" duke u nisur nga parimi dhe as "po" duke reaguar sipas refleksit." Republika Federale e Gjermanisë duhet të jetë e gatshme, të bëjë më shumë për atë siguri, që asaj iu garantua për dekada me radhë nga të tjerët.
Jo më me hapa të vegjël
Gaucku kërkesën e tij për një riorientim të politikës së jashtme gjermane e argumentoi ndër të tjera edhe me përpjekjet e SHBA, për ta kufizuar angazhimin global. Njëkohësisht Evropa është e preokupuar me vetveten sepse ndodhet në kulmin e krizës së Euros, tha ai. "Në valën e këtyre zhvillimeve, në Gjermani nuk mund të vazhdohet të veprohet si deri më sot - kjo mua nuk më bind." Ai theksoi edhe se Republika Federale është e globalizuar mbi mesataren dhe për këtë arsye përfiton edhe mbi mesataren nga një rend i hapur botëror.
Presidenti nga ana tjetër i hodhi poshtë akuzat e disa partnerëve, të cilët thonë se Gjermania u "shmanget" përgjegjësive. 24 vjet pas bashkimit Gjermania nuk mund të ecë më përpara vetëm duke hedhur hapa të vegjël. "Republisa Federale duhet të jetë edhe e gatshme që të bëjë më shumë për atë sigurinë, që asaj me dekada ia garantuan të tjerët", tha ai.
Ministrja e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen (CDU)në një intervistë para një jave nxiti hapjen e një debati për një angazhim më të madh të Gjermanisë. Ministri i Jashtëm, Frank-Walter Steinmeier (SPD)në këtë kontekst deklaroi në Bundestag, se "kultura e të qenit i rezervuar ushtarakisht" nuk duhet të ngatërrohet me një "kulturë të qëndrimit jashtë". Edhe kancelarja Merkel theksoi të enjten (30.01.2014) pas një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, se Gjermania duhet të kontribuojë në zgjidhjet e konflikteve ndërkombëtare.
Në Konferencën e Sigurisë deri të dielën (01.02.2014)do të konsultohen mbi 400 të ftuar ndërkombëtarë, ndër ta edhe 20 kryetarë shtetesh e qeverish si dhe 50 ministra të jashtëm dhe të mbrojtjes. Në axhendën e bisedimeve janë konfliktet aktuale në Siri dhe në Ukrainë. Pjesëmarrës është edhe ministri i Jashtëm i SHBA-së, John Kerry, i cili në Mynih do të bisedojë për herë të parë me politikanë drejtues të opozitës ukrainase, ndër ta edhe me Vitali Kliçkon.