1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti afgan, Karzai kritikon strategjinë e koalicionit antiterror të udhëhequr nga SHBA

Christoph Heinzle23 Qershor 2006

Hamid Karzai e shprehu zhgënjimin e tij në mënyrë të pazakontë, të hapur dhe jo diplomatike

https://p.dw.com/p/Aqd8
Presidenti Karzai kritikon metodat e luftës anti terror në Afganistan
Presidenti Karzai kritikon metodat e luftës anti terror në AfganistanFotografi: AP

Ky vit ka shënuar në Afganistan fazën më të përgjakshme që prej rrëzimit të regjimit të talibanëve në 2001. Më shumë se 1000 vetë kanë humbur jetën që nga janari në atentate e para së gjithash në luftime të ashpra në jug të vendit. Atje forcat ushtarake të drejtuara nga SHBA vazhdojnë të përleshen më luftëtarët talibanë. Presidenti afganas Karzai ka kritikuar ashpër të enjten metodat e koalicionit anti-terror dhe ka kërkuar një orientim të ri.

Hamid Karzai e shprehu zhgënjmin e tij në mënyrë të pazakontë, të hapur dhe jo diplomatike. Presidenti i preferuar i perëndimit nuk e ka kursyer kritikën ndaj strategjisë antiterror të bashkësisë ndërkombëtare në Afganistan: vendi i tij ka marrë shumë pak mbështetje në stërvitjen dhe pasjijen e forcave të policisë dhe të ushtrisë, është ankuar Karzai. Strategjia duhet rimenduar. 600 viktimat e ofensivës së fundit të drejtuar nga amerikanët në jug të vendit Karzai i konsideron të papranueshme.

Edhe nëse të vdekurit janë luftëtarë talibanë bëhet fjalë për bij të Afganistanit, ka thënë presidenti: "Ne jemi tejet të hidhëruar që po humbasim kaq shumë afganë nga vdekja dhe shkatërrimi. Unë kam parashikuar një shtim të aktiviteteve të militantëve dhe këtë shqetësim ia kam paraqitur dy vitet e shkuara bashkësisë ndërkombëtare. Në mënyrë sistematike, konseguente dhe të përditshme i kam paralajmëruar ndaj asaj që po përgatitej në Afganistan. Kam folur për nevojat e vendit dhe për domosdoshmërinë e ndryshimit të mënyrës së punës të bashkësisë ndërkombëtare."

Pjesa më e madhe e viktimave janë rezultat i ofensivës më të re dhe më të madhe deri tani kundër talibanëve që prej mesit të majit: rreth 11.000 ushtarë zhvillojnë gjueti agresive kundër luftëtarëve talibanë në provincat jugore ku situata është veçanërisht e paqëndrueshme. Operacioni i udhëhequr nga SHBA duhet të pregatisë terrenin për marrjen e komandës nga trupa mbrojtëse e NATO-s, ISAF, në jug të Afganistanit. Operacioni u bë publik për herë të parë javën e kaluar pra rreth një muaj pas fillimit të tij.

Zëdhënësi i trupave amerikane në Afganistan Tom Kollins: "është e rëndësishme të dihet se koalicioni anti terror dhe forcat afgane të sigurisë në jug janë në ofensivë, ashtu si në shumë rajone të tjera. Trupat e koalicionit dhe forcat afganase do të kryejnë deri në korrik operacionin "Mountain Thrust". Në kuadër të tij do të sulmohen talebanët në zonat ku aktualisht operojnë."

Përleshjet e përgjakshme në jug të vendit e vënë Karzain nën presion. Viktima të tyre nuk janë vetëm ushtarët dhe militantët por edhe shumë civilë. Kësaj i shtohet fakti që Karzai u kishte ofruar luftëtarëve të thjeshtë talebanë se nuk do të dënoheshin dhe tani ata vriten. Që prej fillimit të vitit, zhvillimi i zonave të prapambetura rurale është një prioritet i ri i politikës së tij qeveritare, por në jugun shumë të pazhvilluar kjo është aktualisht e pamundur.

Arsye të valës së re të dhunës sipas presidentit afganas janë dobësitë e qeverisë së tij por para së gjithash "faktorët e jashtëm". Edhe pse nuk e thotë hapur është e qartë se Karzai e ka fjalën për Pakistanin. Presidenti ka kërkuar me forcë nga bashkësia ndërkombëtare të mos veprojë kundër terroristëve vetëm në Afganistan por edhe aty, ku sipas tij ata trainohen, financohen dhe mbështeten.

Pakistani i ka hedhur poshtë akuzat me zemërim: kundër terrorizmit bëhet ç'është e mundur u tha në Islamabad por Afganistani dhe trupa ndërkombëtare duhet t'i kontrollojnë më mirë kufijtë.