1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Premierë në Evropë - "Shkolla e teologjisë hebraike" në Potsdam

Silke Bartlick / Esat Ahmeti16 Nëntor 2013

Deri më tani teologjia hebraike nuk është ofruar askund si degë në një universitet shtetëror në Evropë. Por kjo do të ndryshojë këtë vjeshtë: në Potsdam do të hapet zyrtarisht "Shkolla e teologjisë hebraike".

https://p.dw.com/p/1AIm9
Fotografi: DW/S. Bartlick

Aleksandri mban në kokë një Kippa (kapuçin tradicional të hebrenjve), Jasmina buzëqesh si fitimtare. Ata të dy kuptohen shumë mirë me njëri-tjetrin, kjo vërehet menjëherë. Ata njihen nga Universiteti Potsdam. Aleksandri është nga Rusia por ka lindur në Taxhikistan. Ndërsa Jasmina ka lindur në Tel Aviv por është shpërngulur me familje qysh si fëmijë në Berlin.

"Gjyshërit e mi vijnë po ashtu nga Gjermania. Në të vërtetë njëri gjysh vjen nga Vjena, por pjesa tjetër vjen nga Gjermania. Dhe deri diku unë e di se çfarë fati kanë pasur ata këtu dhe çfarë kanë menduar ata. Dhe kjo më shtyn që tani në Gjermani të studioj teologjinë hebraike në një institucion gjerman i cili nuk është institucion hebraik. Unë kam një ndjenjë se ky është një moment i vogël i historisë", sqaron Jasmin Andreani.

Në foto: Jasmin Andreani dhe Aleksander Grodensky
Në foto: Jasmin Andreani dhe Aleksander GrodenskyFotografi: DW/S. Bartlick

Studime në kushte luksoze

Jasmina ka përfunduar tashmë katër semestra të studimeve hebraike në Potsdam, por në një degë e cila është orientuar më shumë drejt shkencës dhe kulturës. Tani, me fillimin e semestrit vjeshtor, ajo ndryshon dhe kalon në degën e studimeve të teologjisë hebraike. Dhe kushtet e studimit në Potsdam, në përgjithësi janë të mira në këtë fushë, thotë Aleksandri: "Ne studiojmë në kushte luksoze. Pra, zakonisht ne kemi midis pesë dhe dhjetë njerëz në një seminar. Dhe kjo na ofron mundësinë unike që për të gjitha temat të thellohemi me profesorët tanë. Dhe të krijojmë marrëdhënie personale."

Programi i studimeve ndërdisiplinore "Studimet hebraike" u themelua 20 vjet më parë në Universitetin e Potsdamit dhe është rritur në mënyrë të vazhdueshme gjatë viteve. Por kush donte të bëhet rabin është dashur të studioj shtesë edhe në kolegjin Abraham Geiger në Potsdam. Tani me programin e ri "Teologjia hebraike" fillon një epokë e re në Gjermani. Sipas Hartmut Bomhoff, përgjegjës për marrëdhëniet publike në Kolegjin Abraham Geiger, tani kemi një mundësi unike në Europë për të mësuar hebraizmin nga perspektiva fetare.

Në foto: Hartmut Bomhoff
Në foto: Hartmut BomhoffFotografi: DW/S. Bartlick

"Me nëntë profesurat e shpallura dhe dy profesura ekzistuese ne ofrojmë gamën e plotë të filozofisë së fesë prej antikitetit, mesjetës deri në kohët moderne. Ne kemi një profesur të liturgjisë, një për interpretimin e Biblës, një për historinë e muzikës hebreje. Gama e të gjitha çështjeve do të mbukohet këtu. Dhe pasi që ne kemi mësues nga Amerika e Veriut dhe Izraeli, ne do të jemi në hap me kohën e hulumtimit dhe vetë-reflektimit", thekson Bomhoff.

Studim në nivel akademik

Degët e studimit të teologjisë protestante dhe teologjisë katolike ka vite që ofrohen në universitetet shtetërore në Gjermani. Edhe teologjia islame ka filluar të mësohet para disa vitesh. Me degën e re të studimit të teologjisë hebraike, tani është i mundur studimi i saj në nivel akademik. Kjo josh të rinjë nga e mbarë bota. Për degën e re në Potsdam përveç gjermanëve janë regjistruar të interesuar nga Evropa Lindore, Izraeli dhe Amerika. Deri tani janë regjistruar 36 studentë në degën e cila aktualisht ofron 40 vende për studime.

"Ka gjithnjë e më shumë të rinj të cilët kërkojnë rrënjët e tyre hebraike dhe fillojnë të flasin për origjinën e tyre. Dhe për këta të rinj oferta jonë në Potsdam është e mrekullueshme. Sepse kombinon studimin akademik me zbulimin e identitetit dhe preokupimin me historinë e familjes dhe origjinës", nënvizon Bomhoff.

Së shpejti dega e teologjisë hebraike do të kalojë në ndërtesën e saj. Në ndërtesën e portës veriore përmes së cilës kanë kalëruar dikur ish mbretërit prusian. Jasmin Andreani pret me padurim fillimin e semestrit. Ajo i gëzohet edhe shkëmbimit me pjesëtarët e besimeve tjera. Dhe ajo shpreson që studimi do ta bëj të qartë se sa shumë të përbashkëta kanë të krishterët, hebrenjtë dhe myslimanët.