1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Praga në shok - Sulm amok me 14 të vrarë dhe 25 të plagosur

22 Dhjetor 2023

Pak para Krishtlindjes kryeqyteti i Çekisë u trondit nga një sulm me armë në Univeristetin prestigjoz Karl me 14 viktima dhe 25 të plagosur. Mblidhet Këshilli Kombëtar i Sigurisë në Pragë.

https://p.dw.com/p/4aSox
Njerëzit duke u larguar nga sheshi para universitetit në Pragë, ku ndodhi sulmi amok
Sheshi përpara Universitetit Karl në Pragë, njerëzit duke u larguar pas sulmit amokFotografi: Gabriel Kuchta/Getty Images

Bilanci tragjik i breshërisë së të shtënave nga një person është 14 viktima dhe 25 të plagosur. Edhe vet dorasi i pandehur është vrarë, komunikoi të enjten (21.12.2023) presidenti i Policisë, Martin Vondrasek. Mendohet, se dorasi ka qenë një nga studentët e këtij universiteti, i cili pak më parë kishte vrarë babanë e tij e për këtë arsye ishte në kërkim. I riu me gjasë është frymëzuar nga sulmet amok jashtë vendit. Sipas informacioneve zyrtare lidhur me rrethanat e vdekjes së tij dhe motivet për sulmin amok ende janë të paqarta.

Nga 25 të plagosurit, të paktën dhjetë vetë në rrezik jete, bëhet e ditur nga policia. Ministri çek i Punëve të Brendshme Vit Rakusan në televizionin publik CT tha, se nuk ka të dhëna për një doras të dytë ose ndonjë sfond terrorist të ngjarjes. Kemi të bëjmë me një sulmues, tha kryeministri Petr Fiala. Ky është një ndër sulmet me armë nga më të rëndat në historinë e  Republikës Çeke që nga pavarësia në vitin 1993.

Breshëria e të shtënave u drejtua në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit Karl në sheshin Jan-Palach. Brenda një kohe fare të shkurtër në vendngjarje mbërriti policia dhe forcat speciale. Sheshi Jan-Palach-Platz është vetëm pak metra larg urës së famshme Karl, simbolin e qytetit buzës lumit Moldau.

Policia e rrethoi zonën duke u bërë thirrje njerëzve të largohen dhe banorëve që të qendrojnë në shtëpi.

Prag Schießerei an Universität
Pragë: Policia rrethoi sheshin pas sulmit amokFotografi: MICHAL CIZEK/AFP

Nëpër fotografi shihej, se si studentët largoheshin me duar lart nga godina e universitetit. Sipas një njoftimi të televizionit Nova, dorasi së fundi kishte hipur të taracën e ndërtesës së fakultetit. Eshtë dëgjuar edhe një shpërthim, sipas disa të dëshmitarëve. Studentët dhe punonjësit e universitetit shkruajnë në rrjetet sociale, se ata ishin barrikaduar në auditorë dhe nëpër zyra. Të tjerë janë përpjekur të dalin nga dritaret duke u kacavjerrë nëpër binarët e taracës për t'u fshehur. Deri në mbrëmje vazhdoi puna për largimin e punonjësve nga mjediset e universitetit. Shërbimi i emergjencës u vu në dispozicion me ambulanca dhe mjekë urgjence.

Presidenti çek Petr Pavel u shprehu ngushëllimet të afërmve të të vrarëve. Ai falenderoi qytetaret dhe qytetarët përmes platformës X, që kanë respektuar udhëzimet e forcave të rendit. Sikurse njoftoi zyra e presidencës, Pavel ndërpreu vizitën në Francë, për t'u kthyer menjëherë në Pragë.

Policë në Pragë duke rrethuar zonën ku ndodhi sulmi amok
Pragë: Polica bllokoi zonën përreth fakultetit ku ndodhi sulmi amokFotografi: Petr David Josek/AP/picture alliance

Edhe kryeministri Fiala ndërpreu një vizitë pune në Moravë. "Për shkak të ngjarjeve tragjike e kam anuluar programin e punës në Olomouc dhe do të kthehem në Pragë", njoftoi ai. Në mbrëmje u mblodh në një takim krize këshilli kombëtar i sigurisë.

Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz u shpreh i prekur thellë lidhur me lajmet tronditëse nga Praga. "Jemi me mendimet tona pranë familjeve dhe miqve të viktimave, bashkohemi me dhimbjen e miqve tanë çekë, shkruan Scholz në platformën X. Presidentija e Komisionit të BE-së Ursula von

der Leyen dënoi dhunën absurde. Ngjashëm u shprehën edhe presidenti i Francës, i Sllovakisë, Ukrainës, Izraelit si dhe një sërë politikanësh të shumtë drejtues.

Universiteti Karls është themeluar në vitin 1348 dhe është ndër më të vjetrit në Europë. Në të studiojnë rreth 49 500 studentë, prej tyre rreth 8000 në Fakultetin e Filozofisë në degët gjermanistikë, sllavistikë dhe shkencat shoqërore.