Post-Brexit: është arritur limiti?
7 Shtator 2020Toni në qeverinë britanike po bëhet më i ashpër. Në fundjavë, negociatori i Mbretërisë së Bashkuar David Frost tha se ai nuk kishte frikë t'u jepte fund bisedimeve tregtare me BE. Por kjo ishte vetëm përgatitje: kryeministri Boris Johnson tani dëshiron një rezultat deri nga mesi i tetorit, përndryshe ai do ta përgatisë vendin për një të ardhme pa një marrëveshje. Kjo mund të konsiderohet edhe si poker negociimi, po të mos kishte plane për të anashkaluar pjesë të Protokollit të Irlandës së Veriut, siç raporton Financial Times.
Megjithatë një rezultat i mirë?
Edhe një jo-marrëveshje do të ishte një "rezultat i mirë" për Britaninë e Madhe, pretendon Boris Johnsoni në deklaratën e tij. Dhe vendi i tij mund të "përparojë fuqishëm" nëse do të shkëputej nga BE në 1 janar 2021 pa një marrëveshje. Atëherë do të bënte tregti me BE, siç bën aktualisht me Australinë.
Në fakt, kjo do të thotë që tarifat dhe rregullat zbatohen ashtu siç zbatohen brenda kuadrit të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT). Britania nuk ka asnjë marrëveshje me Australinë, edhe nëse kryeministri britanik gjithmonë përpiqet të krijojë përshtypjen se ka. Sipas rregulloreve të OBT-së, për shembull, automjetet u nënshtrohen tarifave prej 10 përqind, për importin e produkteve të qumështit në BE madje janë 35 përqind.
"Ne nuk do të jemi një shtet klient" i BE, thotë negociatori britanik David Frost. Qëllimi politik duket të jetë realizimi i parullës së Brexit-it "rifitim i kontrollit". Sidoqoftë, çdo marrëveshje tregtare nënkupton për të dyja palët disa kufizime dhe njohjen e rregullave. Kur pala britanike këmbëngul vazhdimisht në sovranitetin e saj, këtë e bën edhe BE, që këmbëngul në kushtet për qasjen në tregun e brendshëm evropian.
Të ashtuquajturat pengesa tregtare jo tarifore janë në këtë kuadër më të rëndësishme se tarifat e mundshme. Këto janë përcaktimet e origjinës, siguria e produkteve, standardet e higjienës dhe rregullore të ngjashme. BE, pra, mund të vendosë kontrolle të gjera në kufijtë me Britaninë e Madhe nga 1 janari. Por ato janë edhe më serioze për sektorin e shërbimeve, i cili përbën 80 përqind të ekonomisë në Mbretërinë e Bashkuar. Shefi i OBT-së Robert Azevedo tha në një intervistë me BBC në verë se "përshtatjet mund të jenë të dhimbshme" nëse tregtia BE-Britani e Madhe do të kthehej pas në rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë.
Shantazh me Protokollin e Irlandës së Veriut?
Negociatat midis dy palëve vazhdojnë këtë të martë në Londër. Por njoftimi se një "ligj për tregun e brendshëm" do të paraqitet në Dhomën e Poshtme të Parlamentit britanik të mërkurën, duke vënë në pikëpyetje kontrollet kufitare për trafikun e mallrave midis territorit britanik dhe Irlandës së Veriut, duhet të shihet si një deklaratë lufte ndaj BE. BE ka theksuar vazhdimisht se do të ketë një marrëveshje tregtare vetëm nëse Londra u përmbahet detyrimeve të saj të Marrëveshjes së Daljes.
Protokolli i Irlandës së Veriut është pjesë e Marrëveshjes së Daljes që qeveria britanike e nënshkroi vjeshtën e kaluar pas negociatave të vështira dhe që parlamenti miratoi. Sipas saj, pas përfundimit të periudhës së tranzicionit, në kufirin me Irlandën e Veriut janë planifikuar kontrolle të caktuara, në mënyrë që Irlanda në tërësi të vazhdojë të trajtohet si një zonë e vetme ekonomike.
BE dhe qeveria britanike luftuan gjatë për këtë pikë. Qëllimi ishte që të ruhej Marrëveshja e së Premtes së Mirë dhe paqja në ishull dhe të mos futeshin kufij të rinj midis Republikës së Irlandës, ende anëtare e BE-së dhe rajonit të Irlandës së Veriut.
Diplomatët në Bruksel flasin për një "strategji të vetëdëmtimit" sepse ligji i njoftuar i tregut të brendshëm mund t'u japë fund bisedimeve tregtare. Sidoqoftë, në BE dëshirojnë që më parë të presin përmbajtjen e ligjit. Politikisht, Boris Johnson po përdor kartën e tij të fundit të pokerit dhe po përpiqet t'i bëjë shantazh BE për çështjen irlandeze: po të mos më jepni marrëveshjen tregtare që dua sipas modelit të Kanadasë, atëherë unë thjesht do ta prish marrëveshjen e daljes - kështu duhet të interpretohet njoftimi.
Afati i ri i 15 tetorit e lë Brukselin plotësisht të ftohtë. Kryenegociatori i BE Michel Barnier tashmë e kishte caktuar vetë fundin e muajit të ardhshëm si herën e fundit për një marrëveshje. Deri tani, megjithatë, ende nuk ka asnjë bazë politike për këtë. BE mendon se tashmë ka propozuar zgjidhje për pikat e mbetura, "konkurrencën e ndershme", peshkimin dhe mbikqyrjen ligjore të marrëveshjes. Por pala britanike nuk ka reaguar nga ana e saj duke i afruar pozitat me BE.
Një afrim i mëtejshëm i pozicioneve nuk është i mundur, thotë BE. Nga ana tjetër, Londra pret ndërhyrje politike, veçanërisht nga Berlini, për të zbutur kërkesat e evropianëve. Kjo mund të rezultojë një spekulim i gabuar: Michel Barnier ende gëzon besimin e shteteve të BE, shumica e kryeqyteteve kanë probleme të tjera dhe ka një lodhje të përgjithshme me Brexit-in. Kërcënimet nga Londra mund të përfundojnë duke marrë si përgjigje një ngritje supesh.