Diktatori ndërmjetës në konfliktin e Ukrainës
31 Korrik 2014Në konfliktin e Ukrainës presidenti Petro Poroshenko ka propozuar negociata të reja me palën ruse, në Bjellorusi. Poroshenko i ka propozuar presidentit Alexander Lukashenko që një takim i grupit të kontaktit për Ukrainën të mbahet në Minsk. Lukashenko i cili ka marrë pjesë edhe në inagurimin e presidentit të ri ukrainas, e ka pranuar këtë ofertë. Vendi i tij i përgjigjet pozitivisht lutjes së presidentit ukrainas, kumtoi Lukashenko. Sipas zyrës presidenciale të Lukanshenkos, takimi do të mbahet këtë të enjte.
Sipas kësaj oferte, në Minsk do të takohen ish presidenti ukrainas Leonid Kutschma, ambasadori rus në Ukrainë, Michail Surabov, si dhe përfaqësuesi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Ata janë edhe pjesë e grupit të kontaktit.
Ka pasur paralajmërime edhe për mundësinë e pjësëmarrjes së përfaqësuesve të seperatistëve në këtë takim. Në kumtesën e presidencës bjelloruse thuhet se në takim do të marrin pjesë të gjitha palët e interesuara. Qëllimi është që ekspertët ndërkombëtarë të kenë qasje të lirë në vendin e rrëzimit të avionit MH17, në lindje të Ukrainës. Do të bisedohet edhe për lirimin e të gjitha pengjeve që janë në duart e seperatistëve prorusë. Avioni MH17 i Malaysia Airlines me 298 udhëtarë në bord, është rrëzuar në Ukrainë me 17 korrik. Luftimet mes rebelëve dhe forcave ukrainase pamundësojnë ekspertët ndërkombëtarë që të depërtojnë dhe hetojnë në vendin e fatkeqësisë.
Për herë të parë edhe sanksionet e BE
Bashkimi Evropian dhe SHBA e kanë shtuar presionin ndaj Rusisë. Ambasadorët e 28 vendeve anëtare të BE kanë vendosur së fundi në Bruksel për vendosjen e sanksioneve ekonomike kundër Rusisë - bankat ruse do ta kenë më vështirë të sigurojnë mjete financiare në tregjet e BE, ndalohen kontratat e reja për furnizimin e palës ruse me armë. Hollësitë lidhur me këto sanksione do të bëhen publike këtë të enjte.
Vetëm pak orë më vonë, presidenti amerikan Barack Obama i ka futur në listën e sanksioneve edhe tri banka të tjera. Kjo e vështirëson financimin rus me dollarë. Nga sanksionet preken edhe ndërmarrjen për ndërtimin e anijeve, ato të teknologjisë ushtarake dhe sipërmarrjet që merren me gaz. Obama tha se sanksionet e reja do të veprojnë më shumë. Sipas tij, ka të dhëna se Rusia është duke furnizuar me armë seperatistët rus në lindje të Ukrainës. "Rusia sërish po izolon vetveten në bashkësinë ndërkombëtare." Por Obama tha se, "kjo nuk është një Luftë e Ftohtë."
"Paralajmërimet e ashpra"
Presidenti i Këshillit të BE, Herman Van Rompuy, i ka quajtur masat më të reja si "paralajmërime të ashpra". Kancelarja gjermane Angela Merkel i ka quajtur të "pashmangshme". Udhëheqësia ruse tani duhe të vendosë,, nëse do të ndjekë rrugën e deeskalacionit dhe bashkëpunimit. "Sanksionet e BE mund të rishikohen, por ekziston mundësia e hapave të tjerë", tha kancelarja.
Ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier kërkon që të mos këputen të gjitha fijet e bisedimeve në konfliktin e Ukrainës. "Sanksionet nuk janë politikë", kumtoi ai në Berlin. Takimi i planifikuar në Minsk duhet të sjellë edhe armëpushimin.
Kundërmasat e Rusisë
Pala ruse ka reaguar me kundërmasa ndaj Perëndimit. Moska ka ndaluar në premten importin e pemëve dhe perimeve nga Polonia, e cila është një prej furnizueseve më të rëndësishme më këto mallra.
Kryeministri çeçen, i cili nuk pranohet nga perëndimi Ramsan Kadyrov, ka bërë të ditur se në lindje të Ukrainës do të dërgojë ndihma humanitare në vlerë prej 7,5 milionë dollarë (5,6 milionë euro). Kadirov tha se paratë do të përdoren për furnizimin e popullatës me mjete medicinale. Ai mbështet "Republikën Popullore në Donjec dhe Luhansk", të cilat nuk njihen nga Kievi zyrtar. Mediat ruse njoftojnë se ndihmat janë reagim i Kadirovit ndaj njoftimit amerikan që Ukrainës t'i ndajë 7 milionë dollarë për ndërtimin e zonave të shkatërruara në lindje të vendit.