1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Populizmi britanik dhe rreziqet e daljes nga BE

Emma Wallis/ Auron Dodi18 Nëntor 2013

Politikanët britanikë po përfitojnë nga ndjenjat antievropiane në popull. Por shoqata e punëdhënësve CBI paralajmëron për pasojat e shtrenjta të një daljeje të Britanisë së Madhe nga BE.

https://p.dw.com/p/1AJBu
Nigel Farage, shef i UKIP në rruge ne Londer
Fotografi: Getty Images

"Euroskepticizmi është një fjalë, të cilën thuajse nuk guxon ta shqiptosh në korridoret e Strasburgut", kritikoi Nigel Farage, kryetar i Partisë UK Indipendence Party (UKIP) në një fjalim para parlamentit evropian. Ndërsa për të euroskepticizmi është një pohim "normal, i arsyeshëm" i identitetit të vendit të tij. "Ne duam të jetojmë dhe të punojmë në një Evropë të demokracisë së shteteve nacionale. Ne duam të bëjmë tregti dhe të bashkëpunojmë," kështu u shpreh kryetari i UKIP në fjalimin e tij në fillim të nëntorit. Por kufijtë vetjakë duhet të kontrollohen edhe më tej. Kjo është përgjigjia logjike dhe e arsyeshme e çdo shteti nacional, shpjegon Farage. Partia e tij UKIP konsiderohet parti populiste dhe me drejtim të djathtë - por ajo nuk është e vetmja parti, e cila përfiton në Britaninë e Madhe nga predispozita antievropiane e shumë qytetarëve.

Që kur ish-kryeministri Gordon Brown tha në vitin 2007 premtimin e diskutueshëm "Vende pune britanike për punëtorë britanikë", politikanë të djathtë dhe të majtë e shfrytëzojnë për të mbledhur vota qëndrimin populist, kritik ndaj Evropës të shumë britanikëve. Gjashtë vjet më vonë të tregojnë se kryeministri konservator David Cameron ka deklaruar para nxënësve në një fabrikë në Cowley, se Britania e Madhe duhet ta kualifikojë kaq mirë rininë e saj, sa të jetë në gjendje të konkurrojë në një botë të globalizuar dhe të mos jetë e varur nga punonjës evropianolindorë.

David Cameron paraqet kërkesa në Bruksel
David Cameron paraqet kërkesa në BrukselFotografi: Reuters

"Vende pune britanike për punëtorë britanikë"

Sot ka fabrika në të cilat "gjysma e kolektivit vjen nga Polonia, Lituania ose Letonia", u shpreh më tej Cameroni. Prej janarit 2014, në BE do të hyjë në fuqi lëvizja e plotë e lirë për rumunët dhe bullgarët. Në këtë sfond, politikanët e kanë të lehtë të nxisin frikëra përballë emigrantëve evropianolindorë, të cilët u marrin britanikëve vende pune.

Nigel Farage thotë se ka ardhur koha, që "qeveria të dalë para përgjegjësisë", në mënyrë që të mos thotë se nuk kishte mundësi të ndryshonte asgjë në hapjen e kufijve britanikë për bullgarët dhe rumunët. Në bazë të një studimi të BE, vazhdon më tej Farage, në "Britaninë e Madhe ka rreth 600.000 evropianolindorë joaktivë". Shefi i UKIP-it pohon se Britania e Madhe paguan mbështetje financiare për "50.000 fëmijë, që nuk jetojnë fare në Britaninë e Madhe" dhe kjo u kushton britanikëve një milionë paund në javë.

Kërcim në trenin populist

Në kohët e vështirësive ekonomike për familjet britanike, këto shifra, pavarësisht nëse janë të sakta apo jo, kontribuojnë që ta nxisin atmosferën ndaj kërcënimit të përfytyruar nga Lindja. Kryeministri Cameron lufton prej kohësh me krahun kritik ndaj Evropës të partisë së tij si dhe me popullaritetin në rritje të UKIP. Prej vitit 2010 në Britaninë e Madhe diskutohet për një referendum, nëse vendi duhet të qendrojë i anëtarësuar në BE.

Shoqata e Punëdhënëvse Britanikë, CBI ecën kundër rrymës të antipatisë së përhapur ndaj Evropës dhe gjithçkaje që përfaqëson BE. Në një raport vjetor, ajo është për mbetjen e Britanisë së Madhe në BE. Sipas CBI, anëtarësimi në BE i sjellë çdo familjeje britanike deri 3000 paund të ardhura në vit. Përparësitë janë më të mëdha se disfavoret: aksesi në tregjet evropiane me gjithsej 500 milionë qytetarë është një përparësi e konsiderueshme për ekonominë britanike, shkruan CBI në raportin e saj. Anëtarësia në BE veç kësaj e ka përforcuar emrin e Britanisë së Madhe si qendër financiare drejtuese ndërkombëtare.

CBI është shoqata më e madhe e punëdhënësve në Britaninë e Madhe dhe përfaqëson rreth 240.000 sipërmarrje. Në një sondazh të CBI-së, gati 80 përqind e sipërmarrjeve u shprehën që Britania e Madhe të qendrojë në BE.