Mike Pompeo takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuciç
21 Gusht 2019Ministri i Jashtëm amerikan, Michael Pompeo pati të martën, 21.08 një drekë pune me presidentin serb Aleksandar Vuçiç. Ministri Pompeo ndodhej në Nju Jork për të marrë pjesë në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB, që kishte në qendër Lindjen e Mesme. Takimi me presidentin serb u zhvillua në pushimin e drekës, pa prani të shtypit. Pas takimit në llogarinë e twitterit të ministrit u lëshua një fotografi shoqëruar nga vlerësimi, se takimi me presidentin Vucic, kishte qenë produktiv dhe se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën forcon stabilitietin dhe prosperitetin e Serbisë, Ballkanit Perëndimor dhe komunitetit transaltantik.
Ministri Pompeo, që ka qenë për herë të fundit në OKB në dhjetor të vitit të kaluar, e pati të ngjeshur ditën në OKB, në fund të së cilës u takua edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB, Antonio Guterres. Takim të veçantë pati edhe me ministrin polak të Jashtëm, Jaczek Czaputowicz. Në një prezantim të përbashkët para shtypit të dy ministrat vlerësuan marrëdhëniet e mira SHBA- Poloni. Polonia mban këtë muaj presidencën e radhës në Këshillin e Sigurimit.