Hungari: Peter Magyar - Fillimi i së ardhmes pa Orbanin?
5 Korrik 2024Një kamion i vogël i lyer me ngjyrë të kuqe, të bardhë dhe jeshile ecën në sheshin kryesor të Szombathely-s, në Hungarinëperëndimore. Në rimorkion e saj ndodhet një burrë në fillim të dyzetave. Ai ka veshur një këmishë, pantallona xhins dhe mban syze dielli. Në megafonë gjëmon kënga "Më thuaj, kur do të zgjedhësh”. Burri që i ka prerë flokët sipas modës dhe ka hipur në makinë është ylli i ri politik i vendit, Peter Magyar. Ai është duke mbajtur para qindra vetëve një fjalim fushate zgjedhore. Bëhet fjalë sidomos për një gjë: Ai u premton hungarezëve se do të rrëzojë Viktor Orbanin dhe rendin e tij.
"Me se ju bind Peter Magyar?" pyet reporteri i një portali hungarez të pavarur lajmesh një pensioniste që ndodhet aty. "Ai nuk ka nevojë të më bindë. Orbani ka kohë që na e ka sjellë në majë të hundës!” përgjigjet pensionistja. "Magyar më ka bindur se në fund po del dikush që kërkon të bëjë një ndryshim."
Kështu si kjo pensioniste mendojnë shumë hungareze dhe hungarezë këto ditë. Që kur Peter Magyar doli në skenën politike në muajin shkurt, vendi sundohet nga atmosfera e ndryshimit. Vërtet që partia nacionaliste e djathtë në pushtet, partia Fidesz (Liga e demokratëve të rinj) e kryeministrit Orban fitoi zgjedhjet për Parlamentin Europian që u mbajtën më 9 qershor, duke marrë 44 përqind të votave dhe duke treguar sërish se është forca më e madhe e vendit. Por për Fideszin, ky rezultat ka qenë rezultati më i keq i marrë në zgjedhje që prej shumë kohësh. Kurse partia e Peter Magyarit, Partia Tisza (Respekt dhe Liri) doli nga me 33 përqind të votave, më mirë se kurrë më parë.
Alternativë e pastër konservatore
Që kur Orbani morri pushtetin më 2010 në Hungari, çdo përpjekje për ta rrëzuar nga pushteti ka dështuar keq. Edhe duke u bërë bashkë partitë e opozitës nuk arrijnë të formojnë shumicë për të mposhtur Fidesz-in. Çfarë ka tani Peter Magyar, një burrë që vesh atlete, që ka një zë të çjerrë dhe vetësiguri të madhe, që nuk e kanë të tjerët?
Ka vite që në Hungari pëshpëritet se një ditë Orbanin do e rrëzojë nga karrigia një prej njerëzve që ka afër. Dhe Magyar është pikërisht një i tillë, ai vjen ga rrethi i ngushtë i Orbanit. Juristi 43 vjeçar është edhe biznesmen dhe ka qenë martuar me ish-ministren e drejtësisë, Judit Varga. Ai ka mbajtur poste të rëndësishme në sistemin e Orbanit dhe ka qenë mik ose shok me disa nga funksionarët më të lartë të partisë së Fidesz-it. Që prej prezantimit të parë publik në shkurt të 2024-ës, ai e ka prezantuar veten si një lloj alternative më të pastër konservatore se sa ajo e Orbanit, si një njeri që ndan të njëjtat vlera si ato të Fidesz-it, por që nuk është i korruptuar.
Sociologu nga Budapesti dhe bashkëthemelues i Institutit të pavarur Political Capital, Zoltan Somogyi, e shpjegon kështu fenomenin e ri politik të Hungarisë: „Magyari thotë: Unë jam Fideszi i vërtetë. Ka dy ndryshime midis Fideszit të sotëm dhe meje. Unë nuk vjedh dhe unë mbështes me forcë Bashkimin Europian.'"
Fitili ndizet nga afera e shpërdorimit të postit
Magyar, mbiemri i të cilit do të thotë shprehimisht „hungarez", u shfaq në shkurt 2024 duke dalë nga hiçi. Ai doli në publik, mbasi presidentja e shtetit Katalin Novak dha dorëheqjen në kuadër të së ashtuquajturës aferë shpërdorimi. Ajo i pati dhënë falje një personi të dënuar për bashkëpunim në abuzimin e fëmijëve. Në kuadër të aferës u largua nga politika edhe ish- bashkëshortja e Magyarit, deri në ato momente kryesuese e listës së Fideszit për zgjedhjet europiane. Afera shkaktoi indinjim të madh të publikut, sepse qeveria e Orbanit e pati kthyer mbrojtjen e fëmijëve në qendër të politikës së tij, duke bërë shumë punë propagandistike.
Në fillim Peter Magyar foli vetëm si njeri i indinjuar, që presidentja e shtetit dhe ish-bashkëshortja e tij janë koka turku të sistemit të Orbanit, por më pas bëri të ditur se do të hyjë në politikë.
Brenda katër muajve ai arriti të merrte në zgjedhje një rezultat të lartë dyshifror me partinë e tij Tisza, duke inicuar pranimin e kësaj partie në Partitë Popullore Europiane (EVP), prej të cilave Orbani e nxorri partinë e tij Fidesz në vitin 2021, për t'i paraprirë një përjashtimi të mundshëm.
"Orbani nuk e ka menduar kurrë se mund t'i ndodhë diçka e tillë," thotë sociologu, Zoltan Somogyi. "Përveç kësaj Magyari arriti të gjitha këto pa ndonjë buxhet të madh fushate zgjedhore, ndryshe nga Fidesz, që ka harrxhuar miliarda për propagandën."
Dhe kështu shton Somogyi, Tisza e Magyarit është forca e parë opozitare politike që prej vitit 2010, që nuk ka pranuar financimin e partisë nga shteti.
Tronditet besimi tek Fidesz
Hungarezja Eszter M. ka qenë deri tani mbështetëse e palëkundur e Fideszit. Por tani ajo është duke u bindur nga Magyar. „Për një njeri me botëkuptim kristiano-konservator siç jam unë, Fideszi ka pas qenë për një kohë të gjatë preferenca e vetme e mundshme politike në Hungari. Edhe në zgjedhjet e pranverës së 2022 unë ia dhashë votën Orbanit, sepse kisha besim tek ai, sepse mendoja se askush tjetër përveç atij nuk mund të na mbrojë, nëse lufta e Ukrainës do të përhapet më shumë," thotë ekonomistja 45 vjeçare, që jeton në periferi të Budapestit.
"Besimi im tek Fideszi u trondit nga themelet, kur donte të ndërtonte një fabrikë baterish në fshatin tim të lindjes. Në këto plane ata nuk kishin aspak kujdes për problemet e popullsisë vendase," tregon Eszter M. "Papritur mua mu bë e qartë se në rajonet rurale të Hungarisë ekziston vetëm një lloj mënyre për të jetuar, pikërisht futjes në strukturat e Fideszit."
Suksesi duhet të tregojë frytat e para
Psikiatri dhe autori i librave nga Budapesti, György Banki është prej disa vitesh një nga aktorët më të rëndësishëm të diskutimit publik në Hungari. Ai mendon se në Hungari tani ka shumë njerëz si Eszter M. Ai mendon se kjo është si pasojë e përçarjes shoqërore në të cilën e ka çuar Orbani vendin. „Kjo përçarje ka rënduar gjithçka, që nga jeta në familje deri në efikasitetin e përgjithshëm të vendit. Mungon aftësia për të zhvilluar dialog, mungon toleranca minimale për të duruar kritikat, mungojnë mundësitë për të diskutuar për çështjet themelore të shoqërisë."
Suksesi i Magyarit mbështetet kryesisht tek fakti që ai e përdori simbolikën e Fideszit në njëfarë mënyre në drejtimin e kundërt, thotë Banki. Ai e vuri theksin tek vlerat si atdheu, besimi, tradita, familja dhe shoqëria, për ta bashkuar shoqërinë dhe jo për ta përçarë sa më shumë të jetë e mundur. Njëkohësisht ai theksoi mirësjelljen, ndershmërinë dhe respektin për mendimin ndryshe. „Në këtë mënyrë ai mund të bindë njëkohësisht njerëz me qëndrime të ndryshme politike, që nga intelektualët e majtë, që janë të gatshëm për të bërë kompromise serioze në mënyrë që të arrijnë ndryshimin, deri tek votueset dhe votuesit e lëkundur të partisë Fidesz," shpjegon Banki.
Pritet të shihet nëse Peter Magyar do të arrijë të ngjisë shkallët e politikës hungareze edhe më shumë se sa suksesi aktual i arritur në zgjedhjet europiane. Jo pak vëzhgues në Hungari janë skeptikë. Magyari vetë nuk e vë në dyshim. Motoja e tij është: „Ka kaluar koha e shfaqjeve me një person, One-Man-Show! Tani fillon koha e rindërtimit."
Hungarezja Eszter M. psherëtin. Ajo nuk është patjetër e entuziazmuar me Magyarin, por si shumë hungarezë të tjerë ajo dëshiron të ndodhë një ndryshim. Ajo thotë: „Nuk kam zgjidhje tjetër përveçse të besoj tek Peter Magyari."
Autore: Gabriella Valaczkay