1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Politika e Rusisë në Siri mbart shumë rreziqe

2 Tetor 2016

Ka një vit që Rusia lufton hapur në krah të pushtetmbajtësit, Bashar al-Asad, duke u angazhuar edhe në sulme ajore. Por ende nuk është e qartë se çfarë fiton Rusia me ndërhyrjen ushtarake në Siri.

https://p.dw.com/p/2QnFI
Russland Parlamentswahlen Putin Wahlparty
Fotografi: picture-alliance/dpa/Y. Shtukina/Russian Government Press Office

Cilat janë qëllimet që ndjek vërtet Rusia në Siri? Kësaj pyetjeje i janë dhënë shumë përgjigje, që kur presidenti rus, Vladimir Putin me fillimin e luftës në Siri, kaloi në krah të presidentit Asad. E ka një vit që aviacioni luftarak rus kryen sulme nga ajri në favor të Asadit, por asnjë përgjigje nuk të bind para ndërhyrjes masive ruse. Ajo nuk i përgjigjet kostos së lartë financiare, ushtarake dhe diplomatike që Putini merr përsipër vetëm për të mbështetur Asadin.

Ekzistojnë vetëm supozime: Putini kërkon të ruajë daljen e vetme që ka në Mesdhe përmes portit sirian, Tartus. Tjetra: Ai dëshiron të demonstrojë, se nuk ka rëndësi se ku, por ai del kundër rebelimit dhe trazirave në shoqërinë civile. Me mbështetjen e Asadit ai kërkon të dërgojë një sinjal ndaj rrymave opozitare në vend. Putin nuk dëshiron ta shohë në rrezik rendin formal-juridik të një vendi partner, ashtu si e percepton ai – Asadi është presidenti i zgjedhur i Sirisë. Putini kërkon stabilitet politik në Lindjen e Mesme. Moska kërkon të provojë besnikërinë e saj. Ai kërkon të pengojë që xhihadistët nga Siria të shpërndahen në Siri e vende të tjera. Para së gjithash Putin kërkon të rivendosë emrin e Rusisë si fuqi botërore.

Në vitet e fundit ka fituar më shumë terren supozimi i fundit: Putin do të dalë si superfuqi e barabartë përballë SHBA-së, superfuqia e vetme që nga viti 1989. Salama Kila, analist politik në të përditshmen"Al Araby al-Jadeed" shkruan: "Rusia kërkon ta bëjë Sirinë një simbol, një vend që në të vërtetë në realitet nuk është më." Qëllimet politike të Rusisë, aty ku u bazua politika e saj, kanë marrë fund prej kohësh, para së gjithash pretendimi për ruajtjen e Sirisë si shtet.

Sergei Lawrow John Kerry New York City
Komunikimi amerikano-rus nuk është ndërprerë, por lufta në Siri ende vazhdonFotografi: picture-alliance/dpa/A.Shcherbak

Bomba kundër civilëve

Para një viti Rusia filloi sulmet ajrore në Siri. Ato i drejtoheshin të gjithëve, që në sytë e Damaskut dhe Moskës shiheshin si terroristë. Për Asadin të tillë janë të gjithë opozitarët. Po të shohësh se kujt i drejtoheshin sulmet ajrore, e kupton se Moska faktikisht ka bërë të vetën qëndrimin e Asadit. Sipas Qendrës Siriane të të Drejtave të Njeriut, vetëm nga bombat ruse kanë humbur jetën 9.500 vetë, ndër ta 3.800 civilë, 900 prej tyre fëmijë. Kjo qendër është e lidhur me opozitën laike, vëzhgimet e saj, të bazuara në një rrjet të gjerë informacioni në Siri konsiderohen të besueshme. Perëndimi e ka kritikuar ashpër ndërhyrjen e hapur të Rusisë, edhe Gjermania. Deputeti i Gjelbër gjerman, Omid Nouripour e cilësoi këtë ndërhyrje se „krim lufte". „Kush hedh bomba në pallate banimi, bën krim lufte." Nouripour ka akuzuar si qeverinë në Damask ashtu edhe në Moskë se po veprojnë kundër rebelëve si atyre xhihadistë, ashtu edhe shekullaristë.

Pavendosmëria e Uashingtonit

Edhe pas dështimit të armëpushimit, Rusia ka vazhduar sulmet ajrore. Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov i mbrojti sulmet ruse në një intervistë për BBC. Moska është e detyruar për këtë, pasi amerikanët, përkundër premtimeve të tyre, nuk e kanë bërë ndarjen mes rebelëve ekstremistë dhe të moderuar, që e kanë keqpërdorur armëpushimin, tha Lavrov. Ka pasur disa armëpushime. „Secilën nga këto armëpushime, Fronti Nusra (i njohur si radikal-islamist, shën.red.) e ka përdorur për të tërhequr nga jashtë luftëtarë, më shumë municion dhe armë.”

Syrien Russische Luftangriff
Sulme ruse në SiriFotografi: picture alliance/AA/D. Al-Din

SHBA nga ana e saj akuzon Rusinë për një kurs të paqartë e hezitues. Por sipas Lavrovit, Uashingtoni e ka humbur kontrollin mbi zhvillimet atje. BBC shkruan se argumenti është i kuptueshëm: „SHBA nuk ka alternativë tjetër për nismën e Sekretarit të Shtetit, John Kerry, veç bashkëpunimit me rusët. Ata nuk kanë një plan B të besueshëm."

Se ku do të çojë kursi i Rusisë nuk dihet: Kostoja e luftës është gjigande, dhe çmimin për këtë e paguan popullsia ruse, argumenton eksperti për sigurinë dhe Lindjen e Mesme, Philip Gordon nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë në Uashington, (Council on Foreign Relations). Edhe Asadi pas pesë vitesh luftë dhe vdekjes së 100.000 ushtarëve të qeverisë, nuk ka për të pasur më forcë të sundojë të gjithë territorin e Sirisë, edhe sikur ta marrë Alepon. „Pas gjithë asaj dhune vdekjeprurëse, Siria mbetet prapë një vend kryesisht sunit, dhe shumë sunitë, të mbështetur e armatosur nga sauditët, turqit dhe shumë forca në Katar do të vazhdojnë të luftojnë kundër regjimit (alavit. Shën.red.). Kjo mund të bëhet një ditë e rrezikshme edhe për Rusinë, paralajmëron Gordon: "Masakrat në shkallë të gjerë të civilëve në Rusi, mund të bëjnë që myslimanët të ngrihen e kryejnë akte terroriste kundër Rusisë.”