Politika e migracionit – Hungaria si model?
14 Shtator 2024Gjermania do të futë kontrollet e kufijve të jashtëm nga e hëna (16 shtator) për të parandaluar futjen e migrantëve ilegalë në Gjermani. Është kjo pjesë e një "kthese të madh" në politikën e azilit politik të kancelarit gjerman, socialdemokratit Olaf Scholz. Këtë e konfirmoi ai edhe vetë në Bundestag të mërkurën (11 shtator). Megjithatë thuhet se nuk duhet të ketë kthim masiv prapa të azilkërkuesve nga kufijtë me Austrinë, Poloninë apo Francën. Opozita kritiandemokrate ka propozuar kthimin e të gjithë atyre që nuk kanë te drejtë azili menjëherë në kufi. Sipas ministres së Brendshme gjermane Nancy Faeser(SPD), veprime të tilla do të nënkuptonin shkelje të ligjeve aktuale dhe Marrëveshjes së Dublinit.
Orban mbështet Scholzin
Kancelari Scholz mori duartrokitje për masat e propozuara edhe nga kryeministri hungarez Viktor Orban, i cili prej vitesh po përpiqet të ndalojë flukset e migracionit drejt Hungarisë. Hashtagu "StopMigration” thekson postimin e Orbanit në rrjetin social X, ku ai i drejtohet Scholz-it: "Mirë se erdhe në klub, por ky politikan nacional-konservator nuk e ka sqaruar se për cilin klub bëhet fjalë.
Brenda Bashkimit Evropian, Orbán është i vetmi anëtar i "klubit" që dëshiron të ndalojë plotësisht migrimin. Hungariaka vite që ka shkelur sistematikisht ligjet evropiane, gjë që është konfirmuar vazhdimisht nga Gjykata Evropiane që nga viti 2015.
Në qershor të këtij viti, Gjykata e gjobiti qeverinë hungareze me 200 milionë euro, për shkak se Orbán refuzoi të zbatonte vendimin e vitit të kaluar, sipas të cilit Hungaria duhej të pezullonte praktikën e lejimit të kërkesave për azil vetëm në ambasadat hungareze në Serbi apo Ukrainë. Sipas ligjeve aktuale të Bashkimit Evropian, kërkesa mund të paraqitet në kufi. Orban nuk e pranoi këtë vendim të gjykatës dhe nuk e pranoi gjobën. Kjo është arsyeja pse Komisioni Evropian ndoshta do të reduktojë fondet e ndara për Hungarinë në buxhetin e Bashkimit Evropian javën e ardhshme. Gjykata Evropiane ka caktuar një milion euro gjobë për çdo ditë moszbatimi të vendimit.
Orban këmbëngul për një zgjidhje kombëtare
Javën e kaluar, gjatë një diskutimi në qytetin italian Cernobio, kryeministri hungarez deklaroi se Hungaria, si anëtare e Bashkimit Evropian, mund të vendosë për politikën e saj të migracionit dhe azilit. Ai shtoi se kundërshton përzierjen e qytetërimeve të ndryshme: "Disa gjëra nuk duhet të vendosen në Bruksel. Kush mund të vendosë nëse një vend mund apo nuk mund të jetojë me emigrantë? Kjo duhet të vendoset nga populli dhe udhëheqësit e zgjedhur, jo nga qendra imperialiste e integrimit të detyruar.” Viktor Orbán, përveç kësaj, ka qenë në pushtet më gjatë nga të gjithë kolegët e tij në Union. Vendi i tij ka mangësi serioze në sundimin e ligjit. Gjithashtu, ai injoron faktin se politika e azilit është përgjegjësi e gjyqësorit europian dhe jo atij kombëtar.
Hungaria ka mbyllur hermetikisht kufirin me Serbinë, që është edhe kufiri i jashtëm i Bashkimit Evropian, me gardh dhe tela me gjemba. Zonat e tranzitit u krijuan në "tokën e askujt", ku aplikantët për azil politik ndonjëherë ndaloheshin për muaj të tërë gjatë procedurës aë azilkërkimit. Kjo praktikë u shpall e paligjshme nga Gjykata Evropiane dhe kërkoi pezullimin e saj. Por Viktor Orbán ia arriti qëllimit. Vitin e kaluar, vetëm pesë persona morën azil politik në Hungari. Aktualisht në vend janë në proces 15 procedura të personave që kanë kërkuar azil.
Sa më pak ardhje
Ndërkohë numri i njerëzve që vijnë në Hungari për të aplikuar për azil është jashtëzakonisht i ulët. Kancelari gjerman Olaf Scholz po ashtu dëshiron që ky numër të reduktohet ndjeshëm edhe në Gjermani. Në maj të këtij viti, në Gjermani ishin 365.000 procedura në vazhdim. "Ne duhet të jemi në gjendje të zgjedhim se kush do të hyjë në Gjermani. E them qartë këtë. Kjo përfshin menaxhimin e suksesshëm të migracionit të parregullt, uljen e numrit të atyre që mbërrijnë në vend në mënyrë të parregullt, si dhe kthimin e atyre që nuk mund të qëndrojnë”, tha Scholz në Bundestag. Trendi po shkon drejt pozicionit hungarez - më shumë kontroll dhe më pak ardhje, por mjetet nuk janë të krahasueshme.
Kufiri i jashtëm
Në nivel të Bashkimit Evropian, shtetet anëtare, përfshirë Hungarinë, përfunduan një "Pakt të Migracionit". Komisionerja përgjegjëse, Ylva Johansson thotë se kjo marrëveshje synon të ulë numrin e të ardhurve dhe të rritë numrin e kthimeve dhe deportimeve. Është planifikuar që procedurat e vendimmarrjes për kërkesat për azil të përshpejtohen dhe, nëse është e mundur, të zhvendosen në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian, në qendra të mbyllura pritëse, të ngjashme me zonat e tranzitit. hungarez.
E drejta bazë për azil do të ishte ende e garantuar. Vendet e mbingarkuara, si Italia dhe Greqia, mund të transferojnë një numër të caktuar aplikantësh në shtetet e tjera anëtare. Duke marrë parasysh që kërkohet solidariteti dhe pranimi i njerëzve që kërkojnë ndihmë, Hungaria tani refuzon të pranojë dhe të zbatojë Paktin e Migracionit. Kryeministri hungarez, Orban gjithsesi nuk dëshiron t'i bashkohet këtij klubi të Bashkimit Evropian. Krahas kësaj, ai kërcënon se do t'i vendosë në autobusë ata pak refugjatë që kanë ardhur në Hungari dhe do t'i transportojë në Bruksel, për t'ua dorëzuar institucioneve të Bashkimit Evropian. Të martën (10 shtator), Komisioni Evropian e kundërshtoi këtë kërcënim duke e quajtur si shkelje të të gjitha rregullave.
Kontrollet e reja kufitare të Gjermanisë janë kritikuar nga politikanët e vendeve të tjera. Kryeministri polak, Donald Tusk, e quajti të papranueshëm kthimin e mundshëm të azilkërkuesve nga kufiri gjermano-polak. Ligjërisht, kthimet nga kufiri janë të mundshme nëse personi nuk aplikon për azil në Gjermani dhe nuk ka një vizë të vlefshme. Kancelari austriak Karl Nehammer njoftoi se, nëse është e nevojshme, edhe Austria do të kthejë njerëzit nga kufiri dhe nuk do të lejojë hyrjen e tyre në Austri. Ai e quajti "kokëfortë" interpretimin gjerman të azilit dhe masat e reja.