Policia e Berlinit arreston terroristë të supozuar
8 Shtator 2011Policia e Berlinit ka arrestuar dy persona të dyshuar si terroristë islamikë. Një 24-vjeçar gjerman me origjinë libaneze dyshohet se ka planifikuar së bashku me një bashkëpunëtor 28-vjeçar nga Rripi i Gazës një sulm me bombë dhe kanë porositur për këtë arsye kimikate. Hetimi nga policia dhe prokuroria ka kohë që vazhdon, pohoi një zëdhënës i policisë.
Ekziston dyshimi për përgatitjen e një krimi të rëndë. Akoma është e paqartë, nëse kjo ka lidhje me vizitën e ardhshme të papës në Berlin, apo me dhjetëvjetorin e sulmeve të 11 shtatorit 2001. Gjermani i arrestuar konsiderohet si i dyshuari kryesor. Ai kishte porositur qysh para disa muajsh një sasi të madhe qesesh me xhel ftohës, informon gazeta "Tagesspiegel". Përbërja e xhelit së bashku me një acid të veçantë është shumë shpërthyese.