1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

241111 Kickende Poeten

28 Nëntor 2011

Keni dëgjuar ndonjë herë për AUTONAMA? Me këtë emër nënkuptohet "Kombëtarja e përbërë prej autorëve". Ekipe të tilla kombëtare të poetëve ka në Turqi, Itali, Suedi, Finlandë, Izraeli, Arabi Saudite, Argjentinë, Gjermani.

https://p.dw.com/p/13IEP
Letërsi dhe futboll - pamje ilustruese
Letërsi dhe futboll - pamje ilustrueseFotografi: AP

Në skuadrën gjermane AUTONAMA janë rreth 30 poetë. Kombëtarja e mbështetur prej fondacionit kulturor të Federatës Gjermane së Futbollit mundëson që poetët gjermanë të takohen me kolegët e tyre në një nivel tjetër. Në fushat e futbollit lindin edhe disa ide interesante për libra të reja.

Një fushë futbolli në qendër të Berlinit. Në fushën e gjelbërt mbahet stërvitje futbolli. Në dukje të parë e gjitha ka një pamje normale. Por ata që marrin pjesë në këtë stërvitje nuk janë futbollistë normalë. Mbishkrimet në trikot e futbollit tregojnë se për çfarë lojtarësh është fjala: këtu stërvitet Autonama – kombëtarja futbollistike gjermane e autorëve.

Shkrimtarët dhe futbolli

Shkrimtari Frank Willmann: „Ne stërvisim një herë në javë dhe përpiqemi çdo të dytën javë të zhvillojmë një ndeshje miqësore kundër skuadrave të një moshe të njëjtë. Ndonjë herë marrim pjesë edhe në turne apo shkolljë në ndonjë vend për stërvitje intenzive. Unë jam prej fillimit këtu, që prej kohës kur kemi stërvitur në fushat për fëmijë.“

Skuadra gjermane Autonama
Skuadra gjermane AutonamaFotografi: Norbert Kron

Në letërsi planifikohet çdo fjali, në futboll luan rol edhe rastësia

Frank Willmann ka shkruar shumë libra për futbollin, ndër to edhe „Huliganët në Republikën Demokratike Gjermane“. Megjithatë, në këtë ekip nuk janë vetëm ata që shkruajnë për sportin, por edhe ata që merren me poezi, prozë, shkrimtarë romanesh apo dramaturgë. Dhe të gjithë ata mblidhen të hënave në fushën e futbollit.

Po çfarë i shtyn ata të mblidhen këtu? Shkrimtari Moritz Rinke: „Besoj se fjala është për dëshirën e madhe të artit dhe literaturës, për të gjetur momentin inspirues, atë që nuk mund ta planifikosh. Në futboll kur e hedh topin në mes të fushës ai shpesh shkon në ndonjë vend rastësisht. Ndërsa në letërsi puna qëndron ndryshe. Aty e planifikon çdo fjali, deri në fund. Në ndeshjet e futbollit situata është si në operat italiane, kur publiku elektrizohet. Aturotët kanë nevojë për një publik të madh", shpjegon dramaturgu i teatrit Moritz Rinke, anëtar i ekipit të themeluar në vitin 2005 nga Thomas Brussig.

Kënaqësi jo vetëm fitorja

Kombëtarja e autorëve stërvitet nga trajnerët me eksperiencë si Hans Mayer. Ata përpiqen të kopjojnë lojën e kombëtares gjermane të trajnerit Joachim Löw. Por Autonama nuk është e interesuar gjithmonë vetëm për fitore. Norbert Kron, autor i romanit „Autopilot“ thotë: „Kënaqësia më e madhe në këto ndeshje është që ne shkrimtarët takohemi diku tjetër dhe jo në ndonjë podium akademikësh. Kur në ndonjë fushë futbolli takon shkrimtarët nga Izraeli, Suedia, Italia apo vendet tjera, atëherë këto takime marrin një ngjyrë personale, ku mirëkuptimi është shumë më i madh, si për literaturën ashtu edhe për çështjet tjera. Lojtarët e kombëtares gjermane angazhohen në fushata kundër racizmit dhe drogës, ndërsa ne jemi në një farë mënyre misionarë kulture. Shkrimtarët në këtë mënyrë ndërtojnë ura mes vendeve, përmes futbollit si një medium i ri.“

Poeti Claus Caesar gjatë lojës
Poeti Claus Caesar gjatë lojësFotografi: Norbert Kron

Urat e komunikimit

Se kjo mund të ketë sukses, dëshmojnë turnetë e shumta në të cilat ka marrë pjesë kombëtarja gjermane, në Itali, Suedi apo Arabinë Saudite. Ishin këto takime shumë të përzemërta, thotë Moritz Rinke.„Kur e mendon se izraelitët kanë ardhur në Berlin dhe kanë dalë në fushën e gjelbër të stadiumit olimpik në Berlin, kjo fiton një peshë të veçantë sepse disa prej gjyshërve të këtyre autorëve janë vrarë në kampet e përqendrimit. Disa prej tyre ishin për herë të parë në Gjermani dhe prezantuan veprat e tyre. Këtu gjeneratat e treta ndërkojnë ura mes vete.“ Mbi fushën e gjelbër kanë lindur idetë për shumë libra, të cilat janë prezantuar edhe në panairin e librit në Frankfurt.

Autor: Mirko Schwanitz/Bahri Cani

Redaktoi: Lindita Arapi