1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Podgoricë: Reagon SHBA dhe BE pas rënies së qeverisë

6 Shkurt 2022

Mali i Zi: Formohet Lëvizja e Re “Mali i Zi nuk mund të presë - Evropa tani” nga dy ish-ministra në kabinetin e Krivokapiq. Pas rënies së qeverisë në Podgoricë erdhi dhe reagimi nga SHBA dhe BE.

https://p.dw.com/p/46bDz
Montenegro I Regierung I  Zdravko Krivokapic
Fotografi: Risto Bozovic/AP/picture alliance

SHBA presin që liderët e zgjedhur në Mal të Zi, përmes dialogut dhe në përputhje  me proceset demokratike, të punojnë së bashku në formulimin konstruktiv të rrugës për qytetarët e Malit të Zi.

SHBA do të bashkepunojnë me secilën qeveri demokratike, që siguron avancimin e Malit të Zi në rrugën euroatlantike, përfshirë  anëtarësimin e shpejtë në Bashkimin Evropian, forcimin e anëtarësisë në NATO dhe përkrahjen e vlerave të përbashkëta.

Rëniet e qeverive, thuhet në kumtesën e lëshuar nga Ambasada e SHBA-ve në Podgoricë janë "pasqyrim i demokracive parlamentare, ndërsa e drejta për protesta të qeta është e drejtë themelore demokratike”.

SHBA janë të gatshme të bashkëpunojnë me shumicën në pushtet, e cila Malin e Zi  do ta  çojë drejtë integrimeve evropiane.

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për formimin e shpejtë të qeverisë në Mal të Zi. BE ka ftuar të gjitha partitë politike në vend që të punojnë  bashkarisht  në avancimin e reformave që lidhen me BE-në, në frymë konstruktive dhe në interes të qytetarëve të Malit të Zi.

"Formimi i qeverisë është përgjegjësi e aktorëve politik, ndaj besojmë që kjo të ndodhë  dhe nuk do të ketë shtyrje”.

Zëdhënesja e Komisionit Evropian,  Ana Pisonero thotë, se BE-ja pret që qeveria të merret me çështjet jetike të qytetarëve  dhe të avancojë  në drejtim të procesit të integrimit”. 

Në Mal të Zi formimi i qeverisë vazhdon të jetë temë e ditës. Përfaqësues të shumicës qeveritare kanë përsëritur qendrimet që zgjidhja duhet gjetur në radhët e tyre e kurrësesi të përfishet në të Partia Demokratike e Socialistëve e Millo Gjukanoviqit.

Mirëpo, siç shihet në një mjedis të tillë siç është Mali i Zi, ku dasitë janë gjithnjë e më të mëdha, bisedimet nuk do të jenë të lehta, mbase për këtë nga të gjitha palët nuk përjashtohet as shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Të hënën (7.02) Parlamenti i Malit të Zi do të mblidhet në një tjetër seanë të jashtëzakonshme ku do të debatohet për shkarkimin e  kryeparlamentarit Aleksa Beçiq.

Deri tani Partia Socialiste Popullore dhe Fronti Demokratik pro serb kanë thënë, se nuk do të  votojnë për shkarkimin e tij, ndërkohë që URA e drejtuar nga Dritan Adbazoviq do të ketë konsultime brenda radhëve të koalicionit dhe prej tij do të varet se si ato do të votojnë.

Iniciativën për shkarkimin e kryetarit të parlamentit Beçiq e kanë nënshkruar 38 deputetë të partive opozitare DPS, sociademokratët, Partia socialdemokratike,  ajo Liberale, Partia Boshnjake dhe Koalicioni Shqiptar. Për shkarkimin e kryetarit të parlamentit nevojiten 41 vota.

Formohet Lëvizja e Re "Mali i Zi nuk mund të presë - Evropa tani”

Ish-ministrat në kabinetin e Krivokapiq,  Millojko Spajiq dhe Jakov Millatoviq kanë paralajmëruar formimin e  lëvizjes së re "Mali i Zi nuk mud të presë - Evropa tani”. Detaje të tjera rreth kësaj nisme priten në ditët në vijim. 

 

Vera Katana Korrespondente nga Ulqini