1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

„Po kjo s'është për vajza!“ - futboll grash në Evropën Juglindore

17 Korrik 2011

Falë botërorit futbolli për femra duket se ka mbërritur në Gjermani. Por në shumë vende të tjera ai mbetet një temë anësore - kështu për shembull në vendet e Evropës Juglindore.

https://p.dw.com/p/11wwj
Futbollistja bullgare Srebrina Papazikova.
Futbollistja bullgare Srebrina Papazikova.Fotografi: Srebrina Papazikova

„Unë nuk e di, por kam përshtypjen se pasioni për sportin është i lindur," - përgjigjet Srebrina Papazikova kur e pyet se si u bë futbolliste.

21-vjeçarja nga qyteti bullgar Plovdiv ka luajtur për disa vjet në kombëtaren e të rejave nën moshën 19vjeçare. Në prill 2010 ajo erdhi në Gjermani për të studiuar në Këln shkenca sportive dhe për të bërë një licencë si trajnere futbolli. Në vendin e saj ajo ishte nga të paktat femra që luanin futboll rregullisht.

Sakrifica për pasionin për futbollin

Për shkak të pasionit të saj për sportin Srebrina Papazikova duhej të bënte shumë sakrifica. Meqenëse në mesin e viteve 90 në të gjithë Bullgarinë kishte vetëm tre - katër ekipe futbolli për femra dhe klubi i saj ishte afro 400 kilometra larg Plovdivit, asaj i duhej të udhëtonte shpesh dhe të mungonte në shkollë. Ndërkohë ka edhe tetë klube të vogla futbolli për femra, por të luash futboll si grua në Bullgari do të thotë ende të jesh idealiste, thotë Srebrina Papazikova:

„Femrat luajnë futboll në Bullgari vetëm për pasion. Ti nuk merr gjë mbrapsht veç plagëve. Kjo është e tëra."

Futbolli i femrave i papërfillur në Evropën Juglindore

Edhe në vende të tjera të Evropës Juglindore gjendja nuk është më e mirë. Futbolli i femrave shpesh nuk përfillet as nga klubet e meshkujve e as nga klubet kombëtare. Këtë përvojë e ka bërë edhe Aylin Yaren. Ajo vetë ka lindur në Berlin, por prindërit e saj janë nga Turqia. 22-vjeçarja është mesfushore në ligën gjermane, por për një farë kohe pati luajtur edhe në kombëtaren e Turqisë. Kushtet e futbollit për femra aty janë të pakrahasueshme me ato në Gjermani, rrëfen ajo.

Futbollistja turke Aylin Yaren.
Futbollistja turke Aylin Yaren.Fotografi: DW

„Futbolli i femrave në Turqi nuk është kaq i përparuar sa këtu, aty nuk ka përkrahje për talentet e tjera, nuk ka ndihmë profesionale, thjesht nuk ka asgjë. Shpesh mungon edhe një trajner i përhershëm. Trajneri vjen e ikën kur do, trajnon për sa kohë që do dhe nuk është as profesionist. Atij nuk i intereson shumë ekipi, meqë janë femra. Mbështetje nuk ka, vajzat nganjëherë trajnojnë me njëra-tjetrën.“

Futbolli punë burrash ?!

Kësaj i shtohen edhe paragjykimet. Në shoqëritë kryesisht patriarkale të Evropës Juglindore futbolli shihet si një fushë burrash. Futbolli – thuhet shpesh – është diçka për burra të vërtetë, vajzat nuk kanë ç'të kërkojnë aty. Me klishe të tilla duhet të konfrontohen edhe lojtaret e Klubit SFK 2000 nga Sarajeva. Njëra syresh Azra Numanoviç.

„Është vërtet diçka e çuditshme kur sheh një grua në Bosnjë-Hercegovinë që megjithatë luan futboll. Jashtë shtetit kjo është diçka normale, ndërsa këtu jo. Por ne nuk luftojmë kundër këtyre paragjykimeve. Ne duam të dëshmojmë që edhe gratë dinë të luajnë futboll dhe që ne jemi vajza fare normale.“

E jo vetëm futbollistet, edhe gazetaret që interesohen për futboll shumë shpesh „dëbohen nga fusha“ nga kolegët e tyre meshkuj. Ioana Cosma është kryeredaktore e televizionit rumun dhe portalit të internetit „Sport.ro“. Me futbollin ajo merret që prej shumë vitesh:

„Megjithëse unë që nga 1994 jam aktive si reportere sporti, më ndodh edhe sot që ndonjë maço të më thotë se vendi i gruas është në kuzhinë. Unë u them atyre se edhe në sport ka vende për femra. E rëndësishme është që ne të jemi të përgatitura mirë në këtë profesion."

Nga botërori 2011 për femra në Gjermani: ndeshja Suedi-Francë për vendin e tretë.
Nga botërori 2011 për femra në Gjermani: ndeshja Suedi-Francë për vendin e tretë.Fotografi: dapd

Ioana Cosma është e bindur se gratë mund të jenë bindëse në të gjitha llojet e sporteve dhe të tregojnë në nivel të lartë, këtë e dëshmon botërori i futbollit për femra në Gjermani. Por e lehtë nuk do të jetë, që të thyhen klishetë ekzistuese, thotë Ioana Cosma:

„Për fat të keq futbolli i grave në Rumani është në hije. Sponsorët mungojnë, po ashtu edhe publiku. Unë nuk e di se sa të gatshëm janë rumunët për të parë futboll grash. Edhe në se e bëjnë, do të jetë vetëm për të lëshuar komente përçmuese.”

Paragjykimet pjellë e kulturës maçiste

Paragjykimet drejt futbollit të grave varen nga marrëdhëniet shoqërore, është një kulturë e përgjithshme maçiste, e cila gjen shprehjen e saj edhe këtu, mendon Xanthi Konstantinidou, sociologe dhe trajnere e kombëtares së futbollit në Greqi. Prandaj edhe ndryshimet duhet të prekin të gjithë shoqërinë. Gratë që luajnë futboll sigurisht që janë pjesë e këtij procesi, thotë ajo.

„Por kjo mund të ndihmojë disi për të bërë barazi ndërmjet burrit dhe gruas. Në Greqi ama kjo nuk ëshë e thjeshtë. Janë vlera krejt të tjera nga ato të Gjermanisë e në vendet Nordike. Sporti është natyrisht një pjesë e shoqërisë, por nganjëherë është shumë më e vështirë që të arrihet barazia në sport, se sa në shoqëri. ”

Femrat nëpër klubet e futbollit në shoqëritë e Evropës Juglindore duhet të luftojnë jo vetëm kundër ekipeve të tjera në fushën e futbollit, por edhe kundër klisheve në shoqëri por ato janë të mësuara me këtë. Pasioni i tyre për sportin mund t'i kapërcejë pengesa të tilla, gratë kërkojnë thjesht rrugë të tjera, ashtu siç e bëri bullgarja Srebrina Papazikova, e cila erdhi në Gjermani për të bërë një „ndihmë për zhvillim“ të një lloji krejt tjetër: „Unë dua të studioj dhe të trajnoj këtu, në mënyrë që të jap ndihmesen time në zhvillimin e futbollit të femrave.“


Autor: Zoran Arbutina / Anila Shuka
Redaktoi: E. Xhani