Pleq dhe të shëndetshëm
7 Prill 2012Plakja e popullsisë në botë po ecën me një ritëm shumë të shpejtë. Për pak vjet në botë do të ketë më shumë njerëz mbi 60 vjeç, se sa fëmijë nën pesë vjeç, raporton Organizata Botërore të Shëndetësisë (WHO) me rastin e ditës botërore të shëndetit në 7 prill. "Shumë njerëz ende mendojnë se kjo prek vendet e pasura dhe është një preokupim, që kufizohet vetëm në Evropë dhe Japoni. Por kjo nuk është e vërtetë", thotë doktor John Beard, drejtor në Institutin për Plakjen dhe Ciklin e jetës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë, OBSH në Gjenevë. "Procesin më të shpejtë të plakjes po e kalojnë ndërkohë vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Në vitin 2050 në tokë do të jetojnë dy miliardë njerëz dhe 80 për qind e tyre do të jetojnë në vendet, që ne aktualisht i quajmë vende në zhvillim dhe në pragun e zhvillimit".
Të bëhesh shumë plak nuk është e mjaftueshme
Në fakt ky është një lajm i mirë, sepse do të thotë se jetëgjatësia dhe mirëqënia në mbarë botën rritet. Mosha e vjetër zakonisht konsiderohet si fenomen shoqërues i zhvillimit socialekonomik. Por vetëm të arrish moshë të madhe nuk mjafton, porosit shefja e OBSH-së, Margaret Chan. "Në të kaluarën ne kemi kërkuar gjithmonë që të zgjasim jetën me vite. Por tani ne duhet të shkuar një hap më tej. Duhet që vitet shtesë të mbushen me jetë. Njerëzit në të gjithë botën kanë të drejtë të plaken duke patur shëndet të mirë."
Shkaqe të njëjta të vdekjes për të gjithë...
Të moshuarit vdesin sot nga të njëjtat sëmundje në gjithë rruzullin. "Madje në vendet e varfra arsyet më të shpeshta të vdekjes dhe paaftësisë për punë janë sëmundjet jo infektive", përmbledh doktor Beard studimet e fundit mbi shkaqet e vdekjes."Nuk është më fjala vetëm për sëmundjet infektive, apo problemet gastrointestinale. Fjala është kryesisht për sëmundje kardiovaskulare, demencë dhe infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes."
Trajtimi i këtyre problemeve shëndetësore zakonisht është i thjeshtë dhe jo i shtrenjtë. Shumë prej sëmundjeve mund të parandalohen edhe me një mënyrë jetese të shëndetshme dhe konsekuente. Dhe megjithatë në vendet në zhvillim vdesin rreth katër herë më shumë njerëz nga të ashtuquajturat sëmundje të civilizimit, se në vendet e pasura. Arsyeja është mungesa e kujdesit bazë mjekësor.
Nuk është ky problem për Afrikën dhe Azinë?
Në vendet e industrializuara sigurimet shëndetësore dhe të pensioneve u mundësojnë të moshuarve një pleqëri relativisht të sigurtë. "Ky nuk është problem për ne", thuhet ende në shumë vende afrikane dhe aziatike, ku për të moshuarit kujdesen tradicionalisht brenda familjeve të tyre. Kjo nuk do të funksionojë më në të ardhmen, paralajmëron John Beard. Ritmi i ndryshimit është shumë i shpejtë dhe i theksuar. "Kjo ka funksionuar, kur një çift kishte pesë, apo gjashtë fëmijë. Por nëse papritur dy fëmijë duhet të kujdesen për dhjetë të moshuar, atëherë do të jetë e vështirë." Në këtë situatë, janë të nevojshme masat mbështetëse nga ana e qeverisë.
Të moshuarit, gratë dhe të huajt shpëtimtarë në vështirësi
Jo vetëm në vendet e pasura qeveritë e vrasin tani mendjen për reformën e sistemeve të tyre të pensionit, thotë Monika Queisser, drejtore e sektorit të Politikave Sociale në Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) në Paris: "Unë besoj se të gjitha qeveritë në mbarë botën do të përshtaten me ndryshimet demografike ngadalë, por me siguri." Vendet e industrializuara kanë qenë të detyruara megjithatë të parat për të vepruar. "Ne shohim në të gjitha vendet e OECD-së, se kryhen reformat e pensioneve, se mobilizimi i grave në tregun e punës për shembull po tematizohet, se migrimi në kontekstin e ndryshimeve demografike është bërë gjithashtu një temë."
60 është mosha e re për 40
Edhe në qoftë se duke pasur parasysh ndryshimet demografike ka hyrë një mendësi e re, perceptimi i plakjes në opinion çalon dhe mbetet ende prapa realitetit. John Beard mendon se është koha që t'i rishohim përfytyrimet për plakjen: "Thjesht nga ana statistikore 60 vjeç konsiderohesh plak. Por njerëzit në perëndim thonë tani se 60 nuk është më moshë e madhe. Dhe gjatë këtij shekulli shpresoj një 60 vjeçar do të quhet mezoburrë. "Shefja e OBSH-së Margaret Chan e formulon ndryshe: "Të jesh i moshuar është normaliteti i ri."
Autorin: Claudia Witte/Angjelina Verbica
Redaktion: Aida Cama