1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Plazhi i Velipojës destinacion turistik për pushuesit vendas dhe të huaj

Leka Plani25 Korrik 2008

Gjatë vitit të kaluar, plazhin e Velipojës e kanë frekuentuar mbi 12 mijë kosovarë, ndërsa pritet që këtë sezon vere, numuri i tyre të arrijë deri në 15 mijë vetë.

https://p.dw.com/p/Ejaa
Pushuesit kosovarë janë dyndur drejt plazhit verior të Velipojës
Pushuesit kosovarë janë dyndur drejt plazhit verior të VelipojësFotografi: DW

Fluksi i pushuesve kosovarë, që preferojnë që këto ditë të nxehta vere t’i kalojnë përgjatë bregdetit shqiptar po rritet. Burime nga dogana e Morinës në Kukës, bëjnë të ditur se gjatë fundjavës, kanë hyrë në pikat e kalimit kufitar të këtij qarku, rreth 7 mijë vetë, të cilëve u janë krijuar të gjitha lehtësirat përkatëse, në doganat pritëse. Pjesa më e madhe e tyre frekuentojnë plazhin e Velipojës,

në veri të Shqipërisë, 22 km larg qytetit të Shkodrës, i cili preferohet shumë nga turistët vëndas dhe ato të huaj, për resurset natyrore dhe vlerat kurative që të ofron.

Pushuesit kosovarë të kënaqur me kushtet që ofron Velipoja

Vetë pushuesit kosovarë që janë dyndur drejt plazhit verior, shprehen të kënaqur me kushtet dhe qetësinë që të ofron Velipoja. Ne kemi qënë edhe në plazhet e tjera, por rëra që ekziston këtu në Velipojë, është shumë e favorshme se në Ulqin apo dikund tjetër. Ajo është e imtë dhe shumë kuruese për disa sëmundje thonë ato, duke shprehur dësjhirën për të ardhur përsëri në plazhin e Velipojës. Megjithëse vazhdon të mbetet plazhi me i pazhvilluar në vënd për nga infrastruktura, gjatë vitit të kaluar, në Plazhin e Velipojës shkuan për pushime mbi 12 mijë kosovarë, ndërsa pritet që këtë sezon vere, numri i tyre të arrijë deri në 15 mijë vetë.

Vlera ende të pashfrytëzuara

Velipoja gjendet në rrethin e Shkodrës, 22 km larg nga qyteti, afër vijës kufitare me Malin e Zi, ku si kufi natyror shërben rrjedha e lumit të Bunës dhe grykderdhja e saj në detin Adriatik. Rezervati i pyllit të Velipojës prej 700 ha, është mjaft i larmishëm me florë dhe faunë të shumëllojshme. Bregu i Bunës, përfshirë deltën e derdhjes së lumit në det, ka bukuri të vecantë. Kjo grykë dikur ka qënë mjaft e rëndësishme edhe nga ana ekonomike, pasi ka shërbyer si portë hyrse për anije të vogla, të cilat bënin transportin e mallrave të ndryshme nga portet e huaja drejt qytetit të Shkodrës, përmes lumit Buna, i vetmi lumë i lundrueshëm në Shjqipëri. Laguna e Vilunit është rreth 300 ha dhe e pasur me peshq të llojeve të ndryshme dhe mjaft të shijshëm. Gjithashtu aty ka një numër të konsiderueshëm shpendësh migratorë dhe të përhershëm. Fshati Rrjoll, ende i panjohur për vlerat dhe bukuritë e tij, është bregdetar me malin që ngrihet thikë mbi fshat po me vlera të pashfrytëzuara akoma. Vija bregdetare me një gjatësi 3-4 km, me gjëërësi rërë rreth 200 m, shtrihet në një zonë të larmishme me pyll, shkurre të shumllojshme, duna të vogla rëre dhe me një pamje të vecantë dhe të rrallë për vëndin ku ndodhet. Bashkëekzistenca e detit, lumit, malit,, kodrave, lagunës dghe pyllit e bën Velipojën shumë tërheqëse dhe mjaft të larmishme.

Plazhi i Velipojës është frekuentuar vazhdimisht. Qënia në afërsi të kufirit shtetëror, ka bërë që deri në vitet 90’, të ketë ambjente të kufizuara për turistët. Pas këtyre viteve, është rritur shumë numuri i hoteleve dhe i ambjenteve të tjera, të cilat kanë ofruar mundësi të ndryshme akomodimi me cilësi dhe të nivelit bashkëkohor për turistët vëndas dhe ata të huaj.