1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Plani për paqe i SHBA në Lindjen e Mesme nuk gjen përkrahje

24 Qershor 2019

Plani i paqes së SHBA-së për Lindjen e Mesme ka hasur nё kundërshtim në botën arabe. Plani nuk përmban asnjë zgjidhje politike, bëhet fjalë vetëm për kërkesa ekonomike, është mendimi i përbashkët i kritikëve.

https://p.dw.com/p/3Kxqw
Jared Kushner
Jared Kushner, kёshilltar nё Shtёpinё e BardhёFotografi: picture-alliance/AP Photo/S. Walsh

„Konkluzioni se një ringjallje ekonomike pasohet nga paqja, është jo realist dhe një iluzion", tha ministri palestinez i Financave, Schukri Bishara, gjatë një takimi të Ligës Arabe. Organizata për Çlirimin e Palestinës, PLO, e gjen planin si të bazuar „në premtime abstrakte". Vetëm një zgjidhje politike mund ta zgjidhte konfliktin në Lindjen e Mesme. Organizata radikale islamike Hamas, që kontrollon Rripin e Gazës, deklaroi se „Palestina nuk është për t´u shitur".

Komentatorë të shumtë politikë nga Sudani në Kuvajt, u shprehën në mënyrë të ngjashme. Në media u fol për „humbje kolosale kohe", „dështim" dhe „vdekje që në fillim". Analisti egjiptian Gamal Fahmy iu referua faktit se presidenti Donald Trump ka qenë më parë një manjat ndërtimesh. Fahmy shkruajti se plani është përpiluar nga një sekser trojesh dhe jo nga njё politikan. „Madje edhe shtetet arabe që konsiderohen si të moderuara, nuk shprehën asnjë përkrahje për planin. Në gazetën libaneze "An-Nahar" mund të lexohej se „plani nuk mund të ketë sukses, sepse nuk ka asnjë bazë politike".

Prezantimi në Bahrein

Plani, i cili është përpunuar nën drejtimin e Jared Kushner, dhëndrit të Presidentit amerikan Donald Trump, do të parashtrohet në një konferencë të planifikuar për t´u mbajtur të martën dhe të mërkurën (25.06 -26.06) e ardhshme në Bahrein. Thelbi i këtij plani është krijimi i një fondi investimesh ndërkombëtare për nxitjen ekonomike në territoret palestineze dhe shtetet fqinje arabe. 

Kushner-i synon një volum prej 50 miliardë dollarësh. Paratë do të vijnë në rradhë të parë nga shtetet e pasura të Golfit. Sipas njoftimeve nga Uashingtoni, zgjidhja politike do të vijë në një moment të dytë, por pa bërë publike detaje më të hollësishme. Përqafësues të qeverisë amerikane lanë të nënkuptojnë se Kushner-i nuk ka marrë parasysh propozimin e mbështetur nga shumë shtete në mbarë botën, për një zgjidhje dy-shtetesh, sipas së cilës palestinezët të krijojnë shtetin e tyre përkrah shtetit të Izraelit.

Jo të gjithë janë të pranishëm

Në Bahrein pritet të jenë shtetet e afërta me SHBA-në si, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe. Edhe përfaqësues nga Egjipti, Jordania dhe Maroku thuhet se do të marrin pjesë, por jo Libani dhe Iraku. Zyra për Autonominë e Palestinës e bojkoton takimin. Ministri palestinez i Financave Bishara tha: „Ne nuk na duhet takimi i Bahreinit për të ndërtuar vendin tonë. Ne kemi nevojë për paqe."

 

 

vfb/ag