1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Planeti “i panjohur”

29 Shkurt 2012

Shkencëtarët në SHBA dhe Evropë kanë bërë të ditur detaje të reja për një planet gjigand, të ngrohtë dhe që mund të ketë ujë. GJ1214b është realativisht afër, vetëm 40 vite dritë larg Tokës.

https://p.dw.com/p/14BsG
Fotografi: NASA/ESA/D. Aguilar

Këta javë një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh njoftuan zbulimin e një tipi të ri ekzoplaneti, ose planet që ndodhet jashtë sistemit tonë diellor. Rezultatet paraprake ishin publikuar në fillim të muajit në revistën “The Astrophysical”.

GJ1214b është i ndryshëm nga planetet tjera

Planeti, i cili formalisht njihet si GJ1214b, besohet se është i stërmadh, i nxehtë dhe me një temepraturë mesatare prej 232 gradë Celsius. Planeti ku mund të ketë ujë dhe që gjendet 40 vite dritë larg Tokës u vu re fillimisht në vitin 2009. Astronomët kanë llogaritur diametrin e tij dhe është 2.7 herë më i madh se ai i Tokës dhe ka një masë pothuajse shtatë herë më të madhe se toka. "GJ1214b është i ndryshëm nga planetet që ne njohim,” tha në një deklaratë Zachory Berta nga Qendra për Astrofizikën  Harvard-Smithsonian. “Një pjesë e madhe e masës së tij është e përbërë nga uji.”

Në një kohë që ekipi i tij ka qenë në gjendje të llogarisë përmasat e planetit, më pas e kishte shumë të thjeshtë të llogariste dëndësinë mesatare, që është 2 gramë për centimetër kub. Duke e krahasuar me Tokën, që ka një dendësi 5.5 gramë për centimetër kub dhe uji përbën rreth 1 gram në këta masë, mund të thuhet se GJ1214b ka një natyrë më ujore se sa Toka shkëmbore.

Por kjo mund të thotë gjithashtu se struktura e ekzoplanetit mund të jetë shumë më e veçantë nga çdo planet që njihet deri tani. “Temperaturat e larta dhe presioni i lartë mund të krijojnë substanca ekzotike si “akull të nxehtë” apo “ujë super të rrjedhshëm”, substanca të cilat janë aliene në jetën tonë të përditëshme“, shtoi Berta.

Shkencëtarët e planeteve dyshojnë se GJ1214b është formuar shumë larg nga ylli i tij, si një top akulli, por më pas ka ndryshuar formë si pasojë e forcave gravitacionale.

Ujë apo re?

Sidoqoftë, jo të gjithë shkencëtarët  janë të bindur se të dhënat nga planeti janë të mjaftueshme për të thënë se atje ka ujë.

Frederic Pont, lektor astrofizike në Universitetin e Extern në Mbretërinë e Bashkuar thekson se ekipi që ka zbuluar planetin përshkruan disa detaje të diskutushme, si atmosfera e rëndë, gjë që nuk do të thotë se është patjetër ujë, por mund të jenë re. “Re të tilla ne i kemi vëzhguar më mirë në dy raste të tjera, i fundit ishte në planetin HD 189733b,” tha Pont në një intervistë për Deutsche Welle. “Ekipi zbulues informonte se retë e vëzhguara në rastin e GJ1214b ishin më të rënda se ato të  HD 189733b, por kjo nuk është domosdoshmërisht e vërtetë. Të dhënat thonë që atmosfera është e përbërë nga diçka që është më e rëndë se hidrogjeni dhe hipoteza për ujin vjen nga hipoteza teorike.”

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: ESO/M. Kornmesser

Kjo do të thotë që duhet të bëhen studime të tjera më të specilizuara për të vërtetuar argumentat teorike. “Nëse atmosfera e këtij planeti nuk përmban hidrogjen, atëherë masa e tij e madhe është e vështirë të shpjegohet,” shtoi Pont. “Duket se masa e tij është shumë e madhe nëse marrim paraysh se nuk ka hidrogjen në atmosferë. Kjo do të ishte një sfidë për ekipin shkencor për të zbuluar akoma më shumë rreth këtij planeti dhe strukturës së tij.”

Shkencëtarët të entuziazmuar me rezultatet e zbulimit të tyre

Por shkencëtarët, të cilët studiojnë ekzoplanetet, janë të entuziazmuar me rezultatet e zbulimit të tyre, duke patur parasysh se planeti u zbulua dhe vëzhgua nga teleskopi Hubble Space, që është një pajisje jo shumë e sofistikuar dhe përdoret prej dy dekadash.

Që prej zbulimit të parë të një ekzoplaneti në vitin 1992, shkencëtarët kanë zbuluar 700 planete të tillë. Natyrisht që qëllimi i tyre është të gjejnë një planet që i ngjan Tokës.  “Planete si Toka gjenden me mjaft vështirësi, por të gjesh ujë në një planet më të madh se Toka është një gjë që do të ndodhë më lehtë“, thotë në një intervistë për Detusche Welle Anders Johansen, lektor astronomie në Univeristetin e Lund në Suedi. “Në të ardhmen ne mund të zbulojmë planete të mëdhenj me ujë. Nëse do të jenë përshtashëm për të jetuar, kjo ende nuk dihet. Kjo do te vazhdojë të jetë një pyetje e rëndësishme që astrobiologët duhet t'i përgjigjen.”

Autorë: Farivar Cyrus / Amarildo Topi

Redaktoi: Esat Ahmeti