1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

160310 Griechenland Finanzkrise

16 Mars 2010

Ministrat e financave të zonës së euros kanë rënë dakord për planin emergjent të ndihmës për Greqinë. Ata vendosën në Bruksel që në rast se shteti në Greqi falimenton, ta ndihmojnë vendin me kredi bilaterale.

https://p.dw.com/p/MU6z
Plan emergjence për Greqinë i Eurozonës. Ne foto: nje pakete me flamurin e Greqise ne sfond
Plan emergjence për Greqinë i EurozonësFotografi: DW-Montage/bilderbox.de

Hartohen modalitetet teknike të një aksioni shpëtimi

Ministrat e financave të vendeve të zonës së euros kanë rënë dakord për linjat e përgjithshme të një programi shpëtimi për Greqinë. Modalitetet teknike të një aksioni shpëtimi ndodhen tani në tavolinë, tha kryeminsitri i Luksemburgut dhe shefi i grupit të euros, Jean-Claude Juncker.

„Kjo na jep mundësinë të veprojmë në mënyrë të koordinuar. Dhe të veprojmë shpejt, nëse bëhet e nevojshme. Propozimi që bëjmë ne është në përputhje të plotë me konventat dhe ligjet kombëtare."

Sipas paktit të Lisbonës, Banka Qendrore Evropiane dhe vendet e veçanta anëtare e kanë të ndaluar të ndihmojnë me kredi vendet me borxhe të mëdha. Detajet e ndihmës financiare duhen përpunuar ende. Duket se vendet anëtare do të ndihmojnë Greqinë me dhënie kredish. Komisioni i Bashkimit Evropian do të koordinojë aksionin e ndihmës. Nëse ai do të jetë i nevojshëm, megjithëse Jean-Claude Juncker vazhdon të mendojë se puna nuk do të vijë deri aty.

„Ne mendojmë se nuk do të kemi nevoje për një instrument të tillë, sepse masat greke për konsolidimin e ekonomisë janë të besueshme dhe kanë bindur edhe tregjet financiare.“


Greqisë i duhen këtë vit 50 miliardë euro

Për paketën e ndihmës do të vendosin kryetarët e shteteve dhe të qeverive në takimin e nivelit të lartë, që pritet të mbahet javën e ardhshme. Në takimin e një muaji më parë ata vendosën që të ndihmojnë Greqinë, nëse ajo nuk arrin të marrë para. Deri tani qeveria greke ka arritur të marrë kapital të freskët nga tregjet financiare, megjithëse ai ka qenë me përqindje të konsiderueshme rreziku. Greqia ka nevojë këtë vit për gjithsej 50 miliardë euro. Por fillimisht vendet anëtare ia kanë lënë fjalën programit të kursimeve të qeverisë greke. 16 vendet anëtare iu bashkuan gjykimit të dhënë nga Komisari për çështjet ekonomike të BE-së:

„Qeveria greke ka marrë vendim për një paketë ambicioze dhe të guximshme masash shtesë. Kjo do të thotë që Greqia ndodhet në rrugë të mirë për arritjen e qëllimit, që është ulja e borxheve të reja të këtij viti në katër për qind."

Së bashku me përfaqësuesit e Bankës Qendrore Evrpiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, Rehni i pati kërkuar Athinës dy javë më parë që të shtrëngojë më shumë rripin. Pas kësaj qeveria socialiste ashpërsoi programin e kursimeve. Qeveria greke ka planifikuar uljen e rrogave në shërbimet publike, bllokimin e pensioneve dhe rritjen e taksës mbi vlerën e shtuar nga 19 në 21 për qind.

Autor: Wolfgang Landmesser/ Aida Cama

Redaktoi: Auron Dodi