1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pistorius në Prishtinë: Kërkesa e ditës është çshkallëzimi

5 Shkurt 2024

Pistorius bëri thirrje për rikthim në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ai tha se vendosja e euros si valutë e vetme të komunikohet në mënyrë të përshtatshme "që të mos ketë frikë dhe mosinformim".

https://p.dw.com/p/4c44U
Kosovo Pristina | Verteidigungsminister Boris Pistorius besucht Kosovo
Fotografi: Soeren Stache/dpa/picture alliance

Ministri i Mbrojtjes të Gjermanisë, Boris Pistorius, tha në Prishtinë se Gjermania është mbështetësi më i madh i Kosovës pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai bëri thirrje për veprime të matura, duke theksuar qartë se, "stabiliteti shtetëror luan rol të madh jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe për gjithë Evropën”.

"Kërkesa e ditës është çshkallëzimi. Kancelari federal Olaf Scholz, e ka nënvizuar qartë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Evropë, por kjo parasheh si kusht dialogun dhe askush s'duhet dhe nuk mund të ketë interes në tensionimin e mëtejmë të situatës. Marrë parasysh tensionet me Serbinë, bëjmë thirrje të qartë për maturi dhe kujdes”, tha Pistoriusi, në një konferencë për medie në Prishtinë, pas një takimi që zhvilloi me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

 "Gjermania pas SHBA-së është një nga mbështetëset më të mëdha të Kosovës, si nga aspekti civil ashtu edhe ushtarak. Kjo do të jetë kështu edhe në të ardhmen. Po bashkëpunojmë tashmë me sukses në shumë fusha, shembulli më i mirë është Qendra Ndërkombëtare e Kërkim-Shpëtimit dhe marrëveshja për aftësimin e oficerëve dhe nënoficerëve”, tha ministri Pistorius. Ministri gjerman i Mbrojtjes tha se mesazhin për dialog dhe çshkallëzim të situatës do ta përcjellë edhe në Beograd.

"Ju siguroj se edhe në Serbi do të bëj thirrje të qartë për dialog dhe çshkallëzim. Kështu ia dalim t'i afrohemi integrimit në Bashkimin Evropian. Ky duhet të jetë qëllimi i përbashkët e që është anëtarësimi i gjashtë vendeve të rajonin në BE”,  tha ministri gjerman Pistorius.

Boris Pistorius, Ministri Federal i Mbrojtjes, takohet me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani.
Boris Pistorius, Ministri Federal i Mbrojtjes, takohet me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani.Fotografi: Bekim Shehu/DW

Pistorius: Vendosja e euros si valutë e vetme të komunikohet në mënyrë të përshtatshme

Më një shkurt Kosova filloi të zbatojë një rregullore  të Bankës Qendrore, e cila parasheh që valuta e vetme për pagesa në Kosovë të jetë euro, duke përjashtuar kështu në mënyrë automatike përdorimin e dinarit të Serbisë. Shtyrjen e zbatimit të kësaj rregulloreje po e kërkon komuniteti ndërkombëtar. Sipas ministrit gjerman të mbrojtjes Pistorius, Kosova ka të drejtë të zbatojë ligjshmërinë e saj, por, siç u shpreh,  "në çshkallëzim bëjnë pjesë edhe masat legjitime për sa i përket vendosjes së euros si valutë e vetme, vendosja e së cilës duhet të komunikohet në mënyrë të përshtatshme, që askush të mos ketë frikë”.

"Kjo nevojitet të komunikohet në mënyrë më të përshtatshme që të mos ketë frikë dhe mosinformim. Këto janë garanci për siguri që kontribuojnë në paqen përgjithësisht”, tha ministri Pistorius. Ai shtoi se "zbatimi i katalogut të masave të dakorduara në Ohër të Maqedonisë së Veriut", duhet të jetë qëllimi kryesor.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nga ana e saj, tha se "politika shtetërore e Serbisë vazhdimisht po e sfidon integritetin territorial të Kosovës dhe angazhohet për akte agresioni ndaj Kosovës".

Osmani tha se "për t'i parandaluar këto sulme në të ardhmen ne kemi nevojë për përkrahjen e Gjermanisë, sikurse edhe të aleatëve e partnerëve të tjerë euroatlantik”. Presidentja Osmani iu referua me këto fjalë sulmit të 24 shtatorit në Banjska të Zveçanit, ku grupe të armatosura serbësh vranë një polic të Kosovës.