PISA në Gjermani: Mirë, por nuk mjafton
4 Dhjetor 2019Në fillim lajmi i mirë: Nxënëset dhe nxënësit në Gjermani janë mbi mesataren. Kjo del në pah nga studimi PISA (Program for International Student Assessment) që teston nxënësit në shkallë ndërkombëtare dhe u bë publik të martën. Gjermania aty renditet në të njëjtin nivel me vendet që kryesojnë listën, si Australia, Franca, Irlanda, Zelanda e Re, Norvegjia, Suedia, Britania e Madhe dhe SHBA. (shiko grafikun). PISA teston nxënësit në lexim, matematikë dhe shkenca natyrore.
Tani lajmi i keq. Niveli i arsimit në Gjermani nuk është përmirësuar.
Përkundrazi: kompetenca e nxënësve në lexim, në vitin 2018, ka rënë në nivelin e vitit 2009. Ngjashëm paraqitet situata edhe në matematikë dhe shkenca natyrore. Në këtë të fundit, mesatarja e pikëve që arritën nxënësit gjermanë është më e ulët se në vitin 2006. Në matematikë rezultati i vitit 2018 ishte më i ulët se në vitin 2012;
Gjermanishtja si gjuhë e huaj
Që nga viti 2001, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik OECD, krahason nivelin e arsimimit të ekonomive të zhvilluara dhe ato në zhvillimNë testin e parë,18 vjet më parë, njohuritë e nxënësve gjermanë rezultuan nën mesataren dhe ekspertët atëherë reaguan të alarmuar dhe folën për një "katastrofë arsimore". Në studimin aktual PISA u testuan rreth 600 000 nxënës të moshës 15 vjeç e lart.
Rezultatet mëtojnë të pasqyrojnë stadin e dijes të rreth 32 milionë bashkëmoshatarëve në 79 shtetet pjesëmarrëse, ndër ta edhe të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit. Veç Shqipërisë dhe Kosovës, këtë radhë merrte pjesë për herë parë edhe Bosnja-Hercegovina.
Në Gjermani morën pjesë gjithsej 5451 nxënës nga 226 shkolla. Sipas PISA-s, më shumë se një e pesta e të gjithë nxënësve nga Gjermania (22 përqind) jetojnë në familje ku gjermanishtja është gjuhë e huaj. Në vitin 2009, ishin vetëm 18 përqind.
Gati gjysma e tyre janë në disavantazh social, sipas PISA-s.
Por ekspertët mendojnë ndryshe për efektin që ka shtimi i imigracionit mbi nivelin e arsimit në Gjermani.
"Nëse e kemi ruajtur rezultatin, megjithëse kemi rritje të heterogjenitetit të nxënësve, kjo nuk është patjetër diçka e keqe", thotë studiuesi, Andreas Gold,, profesor i psikologjisë arsimore në Universitetin "Goethe" në Frankfurt, në një artikull për gazetën Frankfurter Rundschau, Gold kërkon më shumë mbështetje gjuhësore për fëmijët parashkollorë.
Më shumë mundësi për migrantët
Studiuesi Rainer Bölling, nga ana tjetër, kritikon mungesën e përballjes me sfidat e imigracionit.
Është vërtetë që pranohet se ka dallimet midis vendeve që janë pritëse imigracioni dhe lidhjeve mes gjuhëve të vendit të origjinës dhe vendit pritës", thotë Bölling. "Por një diferencim i tillë në nuk bëhet në studim."
Por Gjermania është përmirësuar sa i përket shanseve të barabarta,.
Rreth 16 përqind e nxënësve me një sfond migracioni ndërkohë hyjnë te 30 përqindshin i nxënësve më të mirë. Mesatarja e OECD--së në këtë pikë është 17 përqind.
Mungesë serioze e mësuesve
Për Presidentin e Shoqatës së Mësuesve të Gjermanisë, Heinz-Peter Meidinger, studimi hedh poshtë sërish tezën se në Gjermani nuk ka drejtësi në fushën e arsimit. Por Meidinger ka paralajmëruar vazhdimisht se ky trend i suksesit nuk do të vazhdojë vetvetiu.
Parashikimi i Meidinger për testet e ardhshme PISA është i zymtë. Në të ardhmen, shkollat do të jenë gjithnjë e më pak të afta të kompensojnë boshllëkun në rritje të njohurive dhe heterogjenitetin në klasa. Shkak është mungesa e personelit mësimdhënës:
"Afro 40 000 mësues mungojnë në shkollat e Gjermanisë", ankohet ai në një intervistë në gazetën "Passauer Neue Presse". "Një mungesë e tillë dramatike e mësuesve nuk është parë prej tri dekadash."
Për studiuesin e arsimit, Kristina Reiss, e cila ka koordinuar pjesën gjermane të studimit PISA, nuk janë vetëm mësuesit përgjegjës për transferimin e dijeve. "PISA nuk teston njohuritë që të jep shkolla", thotë dekanija e degës së arsimimit të mësuesve në Universitetin Teknik të Mynihut në një intervistë për revistën "Der Spiegel". "PISA mat kompetencat e adoleshentëve - por nuk thuhet nëse ata e kanë mësuar atë brenda ose jashtë shkollës."