Pika të nxehta Kosova dhe Afganistani
26 Janar 2007Në takimin joformal të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel të premten më 26 janar qeveria federale e Gjermanisë pret një vendim paraprak lidhur me angazhimin e mundshëm të avionëve zbulues gjermanë të tipit Tornado. Në politikën e brendshme gjermane një angazhim i tillë është i diskutueshëm, megjithatë partnerët insistojnë.
Në axhendë është edhe tema e Kosovës.
Dy probleme e preokupojnë NATO-n në këtë moment. Situata në Afganistan rrezikon të ashpërsohet. Talibanët e riforcuar i vështirësojnë punën jo vetëm trupave të drejtuara nga NATO-ja, por ato mund të rrëzojnë edhe të gjithë sistemin e instaluar nga Perëndimi. Pasojat praktike dhe simbolike mund të jenë të paparashikueshme.
Çështja e dytë është Kosova: Me interes pritet raporti i të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Marti Ahtisari me rekomandimet e tij mbi statusin e ardhshëm të Kosovës. Ai mund të propozojë një pavarësi të kufizuar. Pasi në Serbi të djelën e shkuar më 21 janar partitë radikale nacionaliste dolën si forca më e madhe nga zgjedhjet, NATO-ja i trëmbet trazirave në Kosovë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jap de Hop Shefer përpara takimit theksoi, se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi mes NATO-s dhe organizatave të tjera për të dyja këto raste: "Ka shumë për të folur lidhur me Kosovën, ka shumë për të folur edhe lidhur me Afganistanin. Eshtë domosdoshmërisht e nevojshme, që të gjithë pjesëmarrësit në Afganistan të bashkëpunojnë e për këtë i kemi ftuar. Ne kemi nevojë jo vetëm për bashkëpunim mes NATO-s dhe OKB-së, por përshembull edhe për bashkëpunimin mes NATO-s dhe BE-së në rastin e Kosovës."
Për këtë arësye, krahas ministrave të jashtëm të NATO-s, Sekretari i Përgjithshëm ka ftuar edhe përfaqësues të OKB-së, të Bankës Botërore dhe kryediplomatin e BE-së, Havier Solana. Në takim do të diskutohet edhe mbi kërkesën urgjente të ShBA për përforcimin e prezencës në Afganistan, në mënyrë që të mos dështohet në luftën kundër Talibanëve dhe El-Kaidës. Si pjesë e këtij përforcimi NATO-ja preferon edhe aktivizimin në Jug të Afganistanit të avionëve zbulues të ushtrisë gjermane, Tornado. Por një angazhim i tillë po debatohet me zjarr në Gjermani. Qeveria gjermane pret vendimin nga takimi i NATO-s në mënyrë që të dijë si të reagojë.
Më pak e diskutueshme, por ndoshta më akute është çështja e misionit të BE-së në Kosovë.
Shumë shpejt mund të mësohet, nëse trupa e NATO-s KFOR do të duhet të ndërhyjë për të parandaluar përplasjet eventuale mes shumicës shqiptare dhe pakicës serbe. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së de Hop Shefer në këtë drejtim vlerësoi bashkëpunimin mes NATO-s dhe BE-së, por ende ai nuk është plotësisht i kënaqur: "Unë ende besoj, se ka mundësi për përmirësim. Jam i gëzuar, që në BE po flitet për një kontribut të mundshëm për shkollimin e policisë. Eshtë shumë e rëndësishme që mes NATO-s dhe BE-së të diskutohet mbi sektorët e përgjegjësive përkatëse në Kosovë. Pra kemi shumë për të diskutuar."