1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Peter Marki-Zay - kandidati i opozitës kundër Orbanit

19 Tetor 2021

Opozita hungareze ka rënë dakord, të dërgojë konservatorin Peter Marki-Zay në garën zgjedhore kundër kryeministrit, Viktor Orban. Zgjedhjet në Hungari mbahen në vitin 2022.

https://p.dw.com/p/41oeW
Ungarn - Vorwahlen der Opposition
Fotografi: Laszlo Balogh/AP/picture alliance/dpa

49-vjeçari Peter Marki-Zay fitoi papritur zgjedhjet paraprake opozitare, me një epërsi të qartë, ndaj rivales së tij socialdemokrate Klara Dobrev. Marki-Zay mori 56,71 përqind të votave ndërsa Dobrev 43,29 përqind, që do të thotë se ai do të jetë kandidati i opozitës në garën kundër kryeministrit aktual Viktor Orban. Kjo është hera e parë që opozita organizon zgjedhje paraprake për një kandidat të përbashkët. Gjashtë parti opozitare të përçara më parë - nga e majta, ekologjistët e deri tek konservatorët e krahut të djathtë - kanë rënë dakord që të kenë vetëm një kandidat, me shpresë se ai ka më shumë shanse kundër Orbanit, i cili mban postin e kryeministrit prej vitit 2010.

Votimin e vendosën të rinjtë

"Sot ne e ndryshuam edhe opozitën", tha Marki-Zay. Opozita mund të ketë sukses dhe të mposhtë Orbanin vetëm nëse punon së bashku. "Dalja nga situata e tanishme nuk është as në të djathtë dhe as në të majtë, por vetëm lart", shtoi ai. Ai u pajtua me Dobrev se opozita duhet të jetë e bashkuar.

Ungarn - Vorwahlen der Opposition
Fotografi: Laszlo Balogh/AP/picture alliance/dpa

"Ky është revolucioni i njerëzve të vegjël", theksoi Marki-Zay. Të rinjtë në veçanti kanë votuar për të. Mosha mesatare e votuesve të tij ishte nën 40 vjet. Pikat e forta të Marki-Zay: Ai është një konservator, katolik dhe baba i shtatë fëmijëve, i cili mund të mobilizojë në veçanti votuesit konservatorë në brendësi të vendit, sepse ata më nuk janë të bindur me Orbanin.

Marki-Zays mund të bindë edhe majtistët

Në të njëjtën kohë, ai nuk irriton as votuesit urbanë, me orientim kryesisht të majtë në qytete të mëdha, sepse konservatorizmi i tij është i kombinuar me mendje të hapur, tolerancë dhe aftësi për kompromis.

Marki-Zay ka studiuar ekonomi, inxhinieri elektrike dhe histori. Nga 2004 deri në 2009 ai ka jetuar me familjen e tij në Kanada dhe SHBA. Në politikë është futur në vitin 2018, kur papritur fitoi zgjedhjet për kryetar bashkie në Hodmezövasarhely. Deri atëherë, vendi konsiderohej një kështjellë e padepërtueshme e partisë Fidesz të kryeministrit Viktor Orban. Një vit më pas ai e përsëriti fitoren në zgjedhje. Marki-Zay ka bërë të ditur se do të përmbysë ligjet e diskutueshme të Orbanit dhe synon të fusë Euron si monedhë zyrtare në Hungari.

"Qeveria e Orbanit në vështirësi"

Ungarn I Budapester Demografiegipfel
Fotografi: AFP

Péter Krekó, një studiues politik në Budapest, tha për Deutsche Wellen: "Kandidati i sapozgjedhur për postin e kryeministrit është një politikan konservator. Kjo do të thotë që qeveria Orban do të ketë probleme që ta përfaqësojë atë si të majtë, si liberal apo të ndihmuar nga George Soros".

Pjesëmarrja në procesin parazgjedhor ishte rekorde, me 662.016 votues, sa votuan brenda gjashtë ditëve deri të shtunën në mbrëmje. 633.811 qytetarë morën pjesë në raundin e parë të zgjedhjeve paraprake në fund të shtatorit. Kjo vlerë tashmë i ka tejkaluar pritjet e organizatorëve. Kishte pesë kandidatë kryesorë për të zgjedhur në atë kohë.

Martesa - dobësia e Dobrev

Dobrev, nënkryetare e Parlamentit Evropian që nga viti 2019, fitoi raundin e parë të zgjedhjeve paraprake me 35 përqind të votave. Ajo ka më shumë përvojë politike sesa Marki-Zay. Por martesa e saj me ish-kryeministrin hungarez Ferenc Gyurcsany, duket se ka qenë vendimtare, sepse kjo do t'i ofronte Orbanit hapësirë të madhe për sulme kundër saj.

 

bc/nob/AR (dpa, afp)