1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE përshëndet ndërhyrjen ushtarake të Francës në Mali

Christoph Hasselbach / Angelina Verbica15 Janar 2013

Përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s janë shprehur pozitivisht mbi ndërhyrjen e njëanshme ushtarake të Francës. Por pjesëmarrjen në një mision luftarak në Afrikën Perëndimore nuk e dëshiron askush.

https://p.dw.com/p/17KEQ
A French soldiers patrols under the Eiffel tower, Sunday, Jan. 13, 2013. France has ordered tightened security in public buildings and transport following action against radical Islamists both in Mali and Somalia, French President Francois Hollande said yesterday. (Foto:Michel Euler/AP/dapd)
Mali Frankreich Konflikt Militäreinsatz Soldaten ParisFotografi: AP

Komisioni Evropian me sa duket është befasuar nga ndërhyrja ushtarake franceze në Mali, por e mbështet atë tani. Pyetja e një gazetareje, se çfarë qëndrimi mban këtu Komisioni, e hutoi disi zëdhënësin e Përfaqësueses së Politikës së Jahstme të BE-së, Catherine Ashton, Michael Mann, të hënën (14.10.2013): "Ne natyrisht i mbështesin veprimet e shteteve tona anëtare", tha Mann në një formë çuditërisht të përgjithësuar.

Ka detyra të ndryshme për vendet e ndryshme evropiane dhe organizatat në rajon. Dhe në misionin e planifikuar nga Bashkimi Evropian për stërvitjen e ushtarakëve në Mali nuk do të ndryshojë asgjë. "Ai mbetet relevant. Asgjë nuk ka ndryshuar, përveç se fillimi i misionit është bërë edhe më i domosdoshëm."

BE nuk do të ndërhyjë ushtarakisht

BE vendosi vjeshtën e kaluar të dërgojë në Mali 200 trajnerë, për t'i aftësuar trupat qeveritare dhe ushtarët e Komunitetit ekonomik Afrikanperëndimor (ECOWAS), që t'i sprapsin vetë sulmet e kryengritësve dhe të rimarrin veriun e vendit. Misioni i trajnimit, sipas zëdhënësit të Komisionit Evropian, Michael Mann, do të fillojë "në fund të shkurtit deri në fillim të marsit". Kjo nënkupton një përshpejtim të lehtë të planeve aktuale: Më parë ishte menduar të fillohej nga "fundi i shkurtit, ose në mars".

Gjermania do të marrë pjesë në këtë mision me Bundeswehr-in (suhtria gjermane). Në muajin nëntor ministri i Mbrojtjes, Thomas de Maiziere, përmendi në Bruksel si kusht se: "ekziston një ndarje e qartë në mes të trajnimit nga ana e Bashkimit Evropian, përfshirë Gjermaninë, dhe misionit luftarak të afrikanëve". Qeveria gjermane përjashtoi tani sërish pjesëmarrjen gjermane në një mision luftarak. Dhe këtë e konfirmoi edhe zëdhënësi i Komisionit, Michael Mann, për BE-në. Megjithatë BE-ja me shumë gjasa do të ndihmojë në financimin misionit luftarak të trupave afrikane.

--- 2013_01_14_Mali_Seperationsbewegung.psd

Vizita e presidentit të përkohshëm të Malit anulohet

Vetë zyrtarët e lartë të BE-së ishin shumë të vetëpërmbajtur këtë të hënë. Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, heshti po ashtu si edhe shefja e Politikës së Jashtme, Catherine Ashton. Zëdhënësja e Barrosos, Pia Ahrenkilde, tha se pavarësisht nga ngjarjet e fundit në thelb nuk ka ndryshuar asgjë në qëndrimin e Barrosos të shprehur të premten e kaluar (11.01.2013). Sipas tij situata në Mali kërkon "demonstrimin e aftësisë sonë për t'i ndihmuar Malit për të rifituar sovranitetin e tij, për të rivendosur kontrollin mbi territorin e tij dhe për të arritur rivendosjen e rendit kushtetues."

As nga kryetari i parlamentit Martin Schulz nuk u dëgjua gjë të hënën (14.01.2013). Vetëm Presidenti i Këshillit i BE, Herman Van Rompuy, e ka ngritur çështjen në një takim në Kajro me presidentin egjiptian, Mohamed Mursi. Eshtë e rëndësishme, tha Van Rompuy në një konferencë shtypi në prani të Mursit, "që qeveria e Malit të rimarrë kontrollin e plotë mbi territorin e vendit dhe që procesi i mirëkuptimit në vend të ecë përpara." Deri para pak ditësh ishte parashikuar që të enjten (17.01.2013) të zhvillohej një vizitë e presidentit të përkohshëm të Malit, Dioncounda Traore, tek Van Rompuy në Bruksel. Por kjo vizitë është anuluar.

Franca dëshiron ta kryejë misionin e vetme

Ashtu si BE dhe NATO e sheh me dashamirësi, por në mënyrë pasive, ndërhyrjen e njëanshme franceze në Mali. Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, e përshëndeti faktin se Franca "ka vepruar shpejt, për të sprapsur ofensivën e grupeve terroriste në Mali." NATO shpreson, "që këto përpjekje të ndihmojnë për rivendosjen e sundimit të ligjit në Mali."

Por vetë NATO nuk ka në plan të marrë pjesë në mision. Dhe Franca gjithashtu nuk duket se ka interes për këtë. Gjenerali francez i NATO-s, Jean-Paul Palomeros, tha në një konferencë shtypi në Bruksel, se bëhet fjalë për një aksion thjesht francez, që nuk ka të bëjë me NATO-n. Ai vetë është "shumë krenar që Franca merr përsipër plotësisht përgjegjësinë e saj, për të luftuar në këtë pjesë të botës kundër terrorizmit."