1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit rreth gjendjes dhe ndihmave në vendet aziatike të prekura nga tërmeti në oqeanin Indian

VFB3 Janar 2005

Katastrofa në vendet e Azisë jugore dhe juglindore vazhdon të dominojë kryeartikujt e gazetave gjermane.

https://p.dw.com/p/ArxM
Indonezia pas tërmetit detar
Indonezia pas tërmetit detarFotografi: AP

Në të përditshmen "FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG" analizohet qëndrimi i qeverisë federale të Gjermanisë në sfondin e katastrofës. Autori arrin në këtë përfundim: "Kancelari dhe ministri i jashtëm nuk kanë bërë më shumë, veçse kërkuan arësye, dinjitet dhe ndjenjë solidariteti. E kjo është e mjaftueshme. Ishte mëse e përshtatshme për situatën që kancelari ndërpreu pushimet e Krishtlindjeve dhe u kthye në atdhe, e njëjta gjë vlen edhe për apelin e tij e të ministrit të jashtëm drejtuar qytetarëve që në ditën e ndërrimit të viteve paratë e fishekzjarrëve t´i kursenin për donacione në mbështetje të njerëzve që po vuajnë në Azinë e largët. Niveli i lartë i gatishmërisë hedh një dritë tjetër më miqësore ndaj Gjermanisë, që në dy vitet e fundit ka ngrënë veten me dhëmbë duke u grindur për tema të tilla si pagesa shtesë për kanoçet e limonatave e të birrave, pagesat për përkujdesjen e të moshuarve, apo debatet për reformat", vëren "FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG".

Gazeta "STUTTGARTER ZEITUNG" i referohet rolit të OKB-së: "OKB-ja ndodhet përballë sfidës së saj më të madhe: a do t´ia dalë ajo mbanë që të kapërcejë egoizmat dhe kryeneçësitë kombëtare për të organizuar ndihmën e përbashkët për rajonet e shkretuara dhe njerëzit në to? OKB-ja duhet t´i dëshmojë Azisë, se ç´është në gjendje të bëjë kjo organizatë. Njëkohësisht nuk duhet harruar që OKB-ja është e varur prej vullnetit të mirë të vendeve antare. Nëse mungon kjo, atëherë Kofi Anan s´ka nga t´ia mbajë. Nga ana tjetër solidariteti mbarëbotëror kërkon edhe një organizatë mbarëbotërore. E kur mund ta dëshmojë më mirë se tani OKB-ja kuptimin dhe domosdoshmërinë e saj", pyet "STUTTGARTER ZEITUNG".

Gazeta "HANDELSBLATT" në artikullin e saj shpreh bindjen për suksesin e OKB-së dhe njëkohësisht shtron pyetjen: "Nëse bashkësia ndërkombëtare është në gjendje të reagojë ndaj një katastrofe të tillë civile duke mobilizuar një mbështetje masive, atëherë detyrimisht shtrohet pyetja, përse shumë shpesh ajo nuk ka vullnetin të ndërmarrë të tilla aksione edhe në rastin e krizave politike? Rajonet e luftës si Kongo, Ruanda apo Sudani janë vetëm disa prej listës së pafundme, vende këto që konfrontohen çdo ditë me katastrofa humanitare. Në Azi OKB-ja dhe antarët e saj po dëshmojnë, se i posedojnë fondet financiare dhe logjistikën për menaxhimin e krizës. Këto mjete duhet të vihen më shpesh në përdorim edhe në rastin e rrethanave të vështira politike", tërheq vëmendjen "HANDELSBLATT".

Në të përditshmen "ESSLINGER ZEITUNG" komentohet: "Në Azinë jugore makineria e ndihmës po lufton kundër kohës dhe forcës së natyrës, e cila po godet sërish pamëshirë tani në periudhën e reshjeve. Uria, etja dhe epidemitë po kërcënojnë tani të mbijetuarit. OKB-ja frigohet, se ndoshta do të duhen 10 vjet për të shmangur pasojat e përmbytjes. Çdo donacion ndihmon për ta përshpejtuar dhe për ta zbutur këtë proces. Gatishmëria për donacione është po aq befasuese sa edhe vetë katastrofa, e kjo jo vetëm në Gjermani. Ky është një sinjal shprese tani në filim të vitit 2005", nënvizon "ESSLINGER ZEITUNG".

Edhe një citat nga artikulli i "NÜRNBERGER NACHRICHTEN": "Sistemet e paralajmërimit nuk mund t´i parandalojnë tërmetet dhe dallgët e baticave. Por ato mund të kontribuojnë që pasojat e katastrofave natyrore të jenë më të buta dhe që të vajtohen më pak viktima. Në predikimet e Krishtlindjeve u shtrua shpesh herë pyetja: si mund ta lejonte Zoti një gjë të tillë? Por ne mund ta shtrojmë një pyetje të tillë vetëm pasi të kemi ç´është e mundur për parandalimin e katastrofave. E siç u duk, nga mungesa e sistemit të paralajmërimit në oqeanin Indian, ne nuk e kemi bërë një gjë të tillë", shkruan "NÜRNBERGER NACHRICHTEN".