Pasojat e thatësirës për vendet përgjatë lumit Danub
29 Gusht 2022Danubi blu që e quajnë edhe edhe "deti i tetë i Evropës”, i ngjan kësaj vere një përroi, ashtu siç ngjajnë shumë lumenj evropianë. Që në vendin e burimit, në Gjermani, lumi gati 2.900 kilometra i gjatë, merr shumë pak ujë. Anijet e para lumore kanë pezulluar lundrimin, të tjerat kanë ndryshuar rrugën. Për të parandaluar ngordhjen e peshqve, siç ndodhi në lumin Oder, shumë autoritete lokale kanë ndaluar po ashtu gërrmimet dhe aktivitetet e tjera që mund të keqësojnë situatën ekologjike të lumit.
Dy vendet e tjera nga kalon më tej Danubi, Austria dhe Sllovakia ndodhen para marrjes së masave të njëjta parandaluese. Në këto vende komunat u janë lutur para disa javësh banorëve që të mos mbushin me ujë pishinat dhe të mos ujisin barin, në mënyrë që të mbesë ujë për furnizimin bazë të popullsisë dhe për bujqësinë.
Pak lehtësime në Hungari
Që prej fundjavës së kaluar (20./21.08.2022) reshjet e mëdha kanë lehtësuar pak gjendjen në Hungari. "Armenfelsen”, një shkëmb afër Urës së Lirisë në kryeqytetin Budapest, i cili zakonisht ndodhet nën ujë, mund të shihej ditën e mërkurë (17.08.) pothuajse plotësisht kur niveli i ujit arriti 63 centimetra, por u zhduk sërisht nën rrymën e ujit ditën e hënë (22.8.) kur niveli i ujit arriti 92 centimetra.
Në verat e zakonshme, në fund të muajit gusht në bregun e Danubit krijohet një radhë e gjatë anijesh lundrimi. Por javët e kaluara atje kishin ndaluar vetëm pak varka të vogla hotelesh, të cilat nuk mund të shkonin më tutje për shkak të nivelit të ulët të ujit.
"Për pjesën më të madhe të anijeve lumore pjesa hungareze e Danubit është tani e palundrueshme,” thotë për Deutsche Wellen, Tünde Mogyorosi nga agjencia e udhëtimit Cityrama. "Shumë udhëtime janë ndërprerë, sepse varkat ndodhen diku të bllokuara në lum para mbërritjes në Budapest. Ne kemi dërguar atje autobuzë, për tu krijuar turistëve të paktën mundësinë e një udhëtimi në qytet. "Edhe lundrimi i brendshëm funksionon i kufizuar.” Ujë i mjaftueshëm në Danub është i rëndësishëm për furnizimin e Hungarisë me energji, sepse ai ftoh si centralet konvencionalë të prodhimit të energjisë ashtu edhe centralin e vetëm atomik të vendit.
Për shkak të rritjes së temperatures së ujit, reaktorët e centralit atomik Paks, nuk mund të punonin javën e kaluar me kapacitet të plotë. Një humbje energjie prej 15 përqind për çdo reaktor nuk është e pazakontë në verat e nxehta, por energjia e prodhuar nga centrali atomik në Hungari është shumë i lirë si burim energjie në krahasim me burimet e tjera të energjisë, sepse çmimi për gazin dhe naftën e importuar janë ngjitur në qiell për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë dhe monedhës së dobët hungareze forint.
Sistemi ekologjik i Danubit është duke kaluar sidomos ditë të vështira në verën e 2022. Megjithëse deri tani nuk ka pasur ngordhje masive të qënieve të gjalla të lumit: më 4 gusht u gjetën qindra peshq të ngordhur në një degë anësore të Danubit, por situata arriti të përmirësohej falë një porte uji, prej të cilës u derdh më shumë ujë nga dega kryesore në degën anësore të lumit.
Kjo gjë nuk është e mundur në lumenjtë e vegjël dhe liqentë e Hungarisë. Në Liqenin Velence, i cili ka tre metra thellësi edhe kur është i mbushur, është përhapur pas tre javësh uji të pakët një virus, i cili ka shkaktuar ngordhjen e 200 peshqve mace.
Banka rëre në Serbi
Në Serbi brigjet e Danubit në verën e 2022 të kujtojnë brigje të pafundme me rërë. Niveli i ujit të lumit është tani pesë përqind më i ulët se sa i mesatares së muajit gusht. Noti nga njëri breg në tjetrin në lumin më të fuqishëm të Europës, është tani lojë fëmijësh. Në disa pika mund të shkohet më këmbë nga njëra anë në tjetrën.
"2022 është një nga dhjetë vitet më të thata në gjithë periudhën kohore të regjistrimit të temperaturës,” thotë Jelena Jerinic nga Instituti hidrometeorologjik i Serbisë (RHMZ) kur flet për DW. "Në Zemun për shembull niveli i ujit të Danubit është prej ditësh nën nivelin e lundrimit, prej 190 centrimetrash – por ende shumë mbi nivelin më të ulët historik të vitit 1983, kur arriti 134 centrimetra.”
Për ta bërë Danubin të lundrueshëm në Serbi, janë vënë në punë ekskavatorët, të cilët thellojnë shtratin e lumit në pikat kritike të tij. "Kështu ne kemi mundësi të furnizojmë me qymyr centralet e energjisë,” shpjegon për Deutsche Wellen, Veljko Kovacevic, zëvendësministër për transportin ujor në Serbi. "Por në pjesën e sipërme të rrjedhës së Danubit ne kemi probleme serioze me furnizimin me naftë, diezel dhe derivate të tjera nafte, sepse që prej tre javësh atje nuk ka kaluar asnjë anije”.
Niveli i ulët i ujit ka shkaktuar probleme serioze në prodhimin e energjisë elektrike. Në hidrocentralin Djerdap, i cili prodhon 20 përqind të energjisë elektrike në Serbi, është duke u punuar aktualisht me të ashtuquajturin regjim minimal biologjik. Në këtë regjim harrxhohen sasi minimale uji, por edhe prodhohen sasi minimale energjie.
"Në korrik dhe gusht ne kemi pasur krahasimisht vetëm gjysmën e sasisë së ujit që kemi në një vit mesatar,” shpjegon për Deutsche Wellen, Radmilo Nikolic, drejtor i Djerdap-it për prodhimin e energjisë. "Si pasojë, prodhimi në gusht të 2022 ka qenë 50 përqind më i ulët se vitet e tjera.” Nikolic pret që centrali i tij të furnizojë javët e ardhshme 6000 megavat orë rrymë. "Në këtë periudhë viti normale do të kishin qenë 8500 deri 9000 megavat orë”.
Sidoqoftë parashikimet e motit lenë të shpresosh: Instituti hidrometeorologjik i Serbisë pret që niveli i ujit të Danubit të stabilizohet në fillim të shtatorit të 2022. "Por ne duhet të mësohemi me ekstremet, si nivele shumë të larta ashtu edhe shumë të ulta të ujit,” paralajmëron Jelena Jerinic. "Ne duhet të mësojmë të jetojmë me to, dhe ta mbledhim ujin kur vijnë shirat dhe ta ruajmë ujin në vend që ta harrxhojmë si deri tani.”
Bullgari: "Lumi është shkëputur nga njerëzit"
"Njeriu nuk ka nevojë të jetë ekspert për të parë sa i ulët është niveli i ujit në Danub,” thotë kapiteni, Rossen Nikolow. "Që nga vendi i ankorimit mund të shohësh gurët në shtratin e lumit, lumi është tërhequr aq shumë saqë është larguar nga njerëzit.” Në Vidin, në fillim të segmenit bullgar të Danubit, shumë anije mallrash presin që të rritet niveli i ujit që të vazhdojnë me transportin e mallrave. Aktualisht ata punojnë vetëm me 30-40 përqind të kapacitetit, gjë që nuk është me përfitim për ndërmarrjet.
Organizata mjedisore World Wide Fund For Nature (WWF) thotë se niveli i ulët i ujit të tanishëm nuk është i pazakontë për këtë periudhë viti. Problemi është se ky trend është forcuar shumë dekadat e fundit. Arsyet kryesore sipas WWF, kanë të bëjnë me ndryshimin global të klimës, çpyllëzimin pa kufi të zonave të lumenjve dhe ndërtimin e qindra hidrocentraleve të vegjël në shumë lumenj të Europës Juglindore, uji i të cilave ushqen Danubin.
Danubi ka një problem të veçantë në segmentin midis Rumanisë dhe Bullgarisë: Lumi nuk zbutet me diga dhe porta uji si në Serbi dhe Austri. Eksperti i Danubit, Georgi Georgiew këshillon që të ndërtohet një system me shkallë digash, nëse kërkohet që niveli i lumit të vihet në kontroll dhe që të përmirësohet shumë aftësia lundruese e tij.
Niveli i ulët i ujit tani nuk është i jashtëzakonshëm për pjesën bullgare të Danubit, në vitin 2003 niveli ka qenë madje edhe më i ulët. Megjithatë nuk pati probleme me ftohjen e cantralit atomik të Kozloduj-ës. Edhe për 2022, thekson drejtoria e centralit atomik, nuk ka asnjë vështirësi.
Në Rumani nuk bie shi
Në Rumani niveli më i ulët i Danubit u arrit në mes të lumit, midis ishullit Calinovat dhe qytetit të vogël Turnu Magurele – që në 6 gusht, duke arritur nivelin e fundgushtit të rekordit të deritanishëm- vitit me nivel më të ulët të ujit, vitit 2003. Në mes të lumit niveli i ujit ishte 1,87 metra. 19 vjet më pare niveli i ujit ishte 1,80 metra. Shancet që ky nivel kufi uji të kapërcehet janë të mëdha sepse për javët e ardhshme meteorologët nuk kanë parashikuar të bjerë shi.
Thatësira ka pasoja të dukshme për Danubin, madje në mes të lumit janë krijuar ishuj rëre. Lundrimi i anijeve nuk është pezulluar krejt, por ecën me mundim të madh. Kapitenët e 70 anijeve nuk kanë guxim të vazhdojnë lundrimin.
Administrata e lundrimit në qytetin port Galati, është duke punuar me intensitet të madh. Gjatë gjithë kohës është duke u punuar me anije eskavator, në mënyrë që rrugët ujore të bëhen të lundrueshme të paktën për anijet e lehta.
Çdo gjë tjetër do të rrezikonte furnizimin e njerëzve dhe ekonomisë me mallra si drithëra, xeheror, qymyr, lëndë djegëse dhe gaz si në Rumani ashtu edhe në vendet e tjera ku kalon Danubi.
Në qytetin me 15 mijë banorë, Zimnicea, Deutsche Welle takohet me banorin Marcel. Ai tregon për nivelin e ulët të ujit dhe për pamundësinë për të ujitur në bujqësi, këtu kultivohet kryesisht misër, grurë, elb, thekër. Përgjatë Danubit Marcel tregon me krahë të shtrirë sa i lartë ka qenë niveli i ujit në prenverë të 2022: "Aty ku uji ka pasur nivelin 2 metra, tani mund të bëhet banjo dielli.”
Në vitin rekord të nivelit më të ulët të ujit, vitin 2003, centrali atomik në Cernavoda nuk punoi për gati një muaj (23.08.-16.09.). Deri tani furnizimi me ujë të ftohtë ka qenë "pa probleme”, thotë ministri i Ambientit të Rumanisë, Barna Tanczos. Megjithatë ai flet për masat që duhen marrë për kursimin "për shkak të mungesës së ujit”. Në disa vende konsumi i ujit në ekonomitë private është frenuar dhe ujitja e kopshteve dhe bahçeve është kufizuar.
Autorë: Zsolt Bogár (Budapest), Sanja Kljajić (Novi Sad), Bilyana Mihaylova (Sofje), Tiberiu Stoichici (Bukuresht), Rüdiger Rossig (Redaktor)