1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasojat e largimit të ushtrisë gjermane nga Kunduzi

Florian Weigand/Bahri Cani7 Tetor 2013

Përfundoi misioni i Bundeswehrit në Kunduz, po cilat janë pasojat e mundshme? Ekspertët thonë se ardhmëria e këtij vendi është e paqartë.

https://p.dw.com/p/19uxd
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ai që në mediat elektronike kërkon fjalën "Kunduz", të parat lajme janë: sulmi gjerman ndaj një çisterne me ç'rast janë vrarë mbi 100 persona, luftimet me talibanët, 54 ushtarë të vrarë gjermanë, vështirësitë me trajnimin e ushtarëve afganë... "Misioni i këtushëm u transformua nga një mision për shpimin e puseve deri tek luftimet", tha ministri i Mbrojtjes Thomas de Maizière. Kjo mund të formulohet edhe më mprehtë: Në veri të Afganistanit Bundesvehri si një armatë paqësore e ka humbur pafajësinë e vet.

Misioni ka filluar me shumë shpresa, në vjeshtën e vitit 2003. Së shpejti u blenë disa parcela tokë dhe u ndërtua një barakë e rrethuar me mure dhe gjemba. Rojet u rekrutuan shpejt nga forcat afgane të sigurisë. Më shumë nuk duhej, sepse ushtarët gjermanë erdhën si miq, çlirimtarë dhe njerëz që do të ndihmojnë rindërtimin e vendit. Gjendja ishte aq e qetë sa që shumë shpejt në mesin e ushtarëve flitej për "pushime në Kunduz".

Në vitin 2006 u shtua presioni i talibanëve në jug të vendit. Kryengritësit kërkuan shpëtim në veri. Ndërkohë që Bundesvehri gjerman ishte tërhequr më larg qytetit, në një breg. Qetësia në Kunduz së shpejti u harrua dhe autokolonat e ushtarëve gjermanë gjithnjë e më shpesh përfshiheshin në luftime. Për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore në Gjermani kthehen ushtarë të vrarë, për herë të parë që nga viti 1945 ushtarët gjermanë u përfshinë në sulme tokësore. Pasojat ishin katastrofale: si pasojë e bombardimit preventiv të një çisterne në vitin 2009 u vranë dhjetëra civilë afganë.

Fotografitë nga Kunduzi nuk u pritën mirë në Gjermani. Kunduzi u shndërrua në një pikë të debateve të nxehta politike për kuptimin dhe arsyen e misionit në Afganistan.U harrua angazhimi gjerman i dhjetë viteve të kaluara, shkollat dhe spitalet e ndërtuara, stërvitja e forcave të sigurisë me mbi 1600 pjesëmarrës, fabrikat dhe gjërat e tjera. Vet kampi ishte shndërruar në një faktor shumë të rëndësishëm ekonomik për këtë qytet.

Thomas de Maiziere in Afghanistan Archivbild
Ministri i Mbrojtjes Thomas de Maiziere mes ushtarëve në KunduzFotografi: picture-alliance/dpa

Rindërtimi i vendit tani është cënuar. Vetëm optimistët këmbëngulës pohojnë se trupat afgane pa problem mund të sigurojnë paqen dhe stabilitetin e vendit. Organizata gjermane për ndihma në rindërtim GIZ ka bërë të ditur se do të vazhdojë aktivitetet e saj edhe pas tërheqjes së ushtarave, por deri tani nuk dihet asgjë as për ardhmërinë e saj. Talibanët po forcohen gjithnjë e më shumë dhe kanë okupuar disa rajone rreth Kunduzit. Edhe për ata që luftojnë në emër të Xhihadit Kundzi ka një simbolikë të veçantë. Deri në ndërhyrjen e drejtuar prej SHBA-së pas 9/11 Kunduzi ishte një prej epiqendrave të talibanëve në veri. Nëse ata sërish e do ta kenë fjalën e fundit atje pas tërheqjes së ushtarëve gjermanë, ky duhet të jetë edhe një sinjal i rëndësishëm për të gjithë Afganistanin: se ekstremistët sërish po forochen.