1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasaportë gjermane mbështetësve të ekzistencës së Izraelit

9 Dhjetor 2023

Landi lindor i Saksoni-Anhaltit e ka lidhur shtetësinë gjermane për të huajt me deklarimin e mbështetjes për Izraelin. Radikalizimit në lindje shteti i përgjigjet me kreativitet, shkruan Auron Dodi.

https://p.dw.com/p/4ZwhE
Flamuj te Izraelit ne nje manifestim kunder antisemitizmit ne Lajpcig.
Fotografi: dpa/picture-alliance

Të huajt që duan shtetësinë gjermane, në landin lindor Saksoni-Anhalt mund ta marrin atë vetëm pasi të deklarojnë se mbështesin ekzistencën e Izraelit. Me shkrim ata duhet të pranojnë se "njohin të drejtën e Izraelit për të ekzistuar dhe dënojnë çdo përpjekje të drejtuar kundër ekzistencës së shtetit të Izraelit".Refuzimi për ta bërë një deklaratë të tillë sjell refuzimin e shtetësisë gjermane. Kundërshtimi regjistrohet në dosje dhe kërkesa për shtetësinë gjermane shpallet e refuzuar.

Deri tani, në Gjermani kërkesa për shtetësinë gjermane mund t'i mohohej një aplikuesi kur ai kishte kryer akte që shkelnin rendin demokratik. Por në landin e Saksoni-Anhaltit autoritetet kanë udhëzuar të shihet  "nëse ka tregues të qëndrimeve antisemite" te aplikuesit.

Ministrja e brendshme e Saksoni-Anhaltit, Tamara Zieschang, nga kristjandemokratët e CDU-së, ua ka dërguar që në fund të nëntorit dekretin përkatës qarqeve administrative dhe qyteteve të pavarura. Dekreti ushqehet nga fakti që e drejta e ekzistencës së Izraelit, është shpallur kauzë shtetërore në Gjermani.

Tamara Zieschang (CDU)
Tamara Zieschang (CDU) Fotografi: Matthias Bein/dpa/picture alliance

A mund të përcaktojë një land kushtet për ligjin e shtetësisë gjermane?

Në sistemin federal të Gjermanisë ekziston një ligj federal për shtetësinë. Ai është i detyrueshëm për të gjitha landet. Por, si për të gjitha ligjet në Gjermani, përgjegjëse për zbatimin në terren janë landet. Dihet që landet gjermane kanë thuajse kompetencat e një republike. Në këtë kuadër atyre u lihet një hapësirë për manovrim, në të cilën mund të lëvizin brenda kufijve të caktuar.

Në rastin e landit lindor të Saksoni-Anhaltit, dekreti përmban edhe propozime konkrete si të formulohet teksti që duhet të nënshkruajnë të huajt. P.sh. aplikuesi për shtetësinë duhet të nënshkruajë këto fjali si "Unë njoh shprehimisht përgjegjësinë e veçantë të Gjermanisë, ndaj shtetit të Izraelit dhe të drejtën e ekzistencës së Izraelit dhe dënoj të gjitha përpjekjet antisemite."

Situatë e veçantë në Saksoni-Anhalt

Ministrja e Brendshme e Saksoni-Anhalt-it u ka bërë thirrje homologëve nga 15 landet e tjera gjermane të marrin masa të ngjashme. Por landi i Saksoni-Anhaltit ka një situatë të veçantë: ai përballet me problemin e shprehjes masive të armiqësisë ndaj të huajve. Saksoni-Anhalt është njëri nga landet lindore të Gjermanisë, ku do të arrinte rezultatet më të larta në rast zgjedhjesh, partia ultra e djathtë dhe ksenofobe Alternativa për Gjermaninë (AfD). 32% e banorëve të këtij landi do t'ia jepnin votat AfD-së. Vetëm 24 përqind do t'ia jepnin votat CDU-së (e cila e qeveris landin prej 2021 bashkë me SPD dhe liberalët e FDP-së.) Këtë e konstatoi në një sondazh të publikuar të mërkurën revista e njohur Der Spiegel.

AfD Logo
Fotografi: Klaus-Dietmar Gabbert/dpa/picture alliance

Saksoni-Anhalt është edhe landi ku për herë të parë në Gjermani është zgjedhur një kryetar bashkie nga radhët e AfD-së. Rreth 9000 banorët e komunës Raguhn-Jeßnitz drejtohen që prej 1 shtatorit të këtij viti nga kryebashkiaku i AfD-së Hannes Loth.

Shteti me masa kundër radikalizimit në lindje

Sinjaleve për radikalizimin e gjendjes, në Saksoni-Anhalt autoritetet i përgjigjen duke e lidhur pasaportën gjermane me mbështetjen e ekzistencës së Izraelit. Kjo është një përpjekje për t'ua vështirësuar antisemitëve kokëfortë hyrjen në shtetësinë gjermane.

Nga ana tjetër bëhen hapa që synojnë ndërgjegjësimin e njerëzve. AfD-ja dihet se mbledh shumë vota të pakënaqurish me qeverisjen qendrore të Gjermanisë. Por jo të gjithë ata që e mbështesin këtë parti kanë dëshirë t'i etiketojnë si mbështetës të ekstremistëve të djathtë.

Në këtë strategji mbështeten edhe cilësimet zyrtare si ekstremiste të djathta të degëve lindore të AfD-së. Në dy lande njëra pas tjetrit, në landin Saksoni-Anhalt dhe në landin e Saksonisë, Zyrat rajonale për Mbrojtjen e Kushtetutës (të Shërbimit Informativ të Brendshëm), i kanë shpallur degët rajonale të AfD-së "me siguri ekstremiste të djathta".

Në rastin e Saksonisë (me mbi 4 milionë banorë) kjo u argumentua me rrethanën që shumë pozicione përmbajtësore të degës rajonale të AfD-së shkelin parimet bazë të rendit të lirë demokratik. Në çështjen e migrimit ato shkelin p.sh. garancinë e dinjitetit të njeriut, që është fiksuar në Kushtetutën e Gjermanisë. Dega rajonale mbron edhe pozicione të zakonshme antisemite, shumica e të cilave mbështeten në teori konspirative, u bë e ditur të premten (08.12.)

Është fakt se AfD-ja nuk ka arritur të fitojë deri tani asnjë nga 16 landet e Gjermanisë. Por mot në shtator do të ketë zgjedhje në tri lande lindore: në Saksoni, Turingi dhe në Brandenburg. Rezultati i zgjedhjeve atje pritet sërish me ankth.

Manifestim proteste kundër Kongresit të AfD-së, Magdeburg, 28.07.2023
Manifestim proteste kundër Kongresit të AfD-së, Magdeburg, 28.07.2023Fotografi: Carsten Koall/dpa/picture alliance

Saksoni-Anhalt është njëri nga landet e vogla të Gjermanisë. Ai ka pak më shumë se 2 milionë banorë. Por situata tërheq vëmendjen, sepse kemi të bëjmë me një land ku armiqësia ndaj të huajve nuk ushqehet nga prania masive e të huajve: vetëm 7 përqind e popullatës së landit janë migrantë.

Baza për vendimin e Saksoni-Anhaltit

Disa juristë kanë tërhequr vëmendjen se kushtëzimi i shtetësisë gjermane për të huajt me kërkesën për të shprehur mbështetje për ekzistencën e Izraelit, mund të bjerë ndesh me parimin e barazisë. Vendasve gjermanë nuk u kërkohet të deklarohen se mbështesin pa kushte të drejtën e Izraelit për ekzistencë. Një element tjetër është rrethana që deklarimi i Izraelit si pjesë të "kauzës shtetërore" të Gjermanisë interpretohet si pozicion politik, jo pozicion juridik.

Por edhe sikur të nxirret para gjykatës vendimi i landit lindor, sqarimi i tij sipas përvojës, do të kërkojë kohë. Deri atëherë, shpresohet se masat e marra nga autoritetet do të kenë efekt në dobësimin e ekstremistëve, në zgjedhjet rajonale 2024 në landet lindore të Gjermanisë.