1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pas sulmit: Sa e fortë vërtet është Arabia Saudite?

19 Shtator 2019

Rafineritë e naftës në Arabinë Saudite u goditën javën e kaluar me drone, dëmi ishte i madh. Por ky nuk ishte sulmi i parë kundër mbretërisë saudite. Ushtria e mbretërisë me armët më moderne ka një dobësi themelore.

https://p.dw.com/p/3Pr08
Saudi-Arabien Drohnenangriffe
Sulm kundër rafinerive sauditeFotografi: AFP

Ndoshta princi trashëgimtar saudit, Mohamed bin Salman mund të ketë menduar për fuqinë vepruese e konkurrencën të shtunën (14.09), kur në Abkaik në lindje të mbretërisë u goditën rafineritë e naftës. Por këto mendime në atë moment nuk duhet të kenë qenë lidhur aq me gjendjen aktuale gjeostrategjike. Të shtunën bashkë me zëvendëskryeministrin e Emirateve të Bashkuara ai po ndiqte një garë me deve, kur ndodhi sulmi.

"Turp i madh"

Me sa duket pak pushim nuk i lejojnë vetes vetëm krerët e shtetit, por edhe ata të ushtrisë saudite. Vërtet që mbretëria saudite zotëron një nga arsenalet më moderne dhe më të shtrenjta të botës, por gjeneralët e vendit po e kuptojnë tani, se kjo nuk i ndihmon shumë.

Saudi Arabien | Mohammed bin Salman bei der Abschlusszeremonie  des  «Crown Prince Camel Festival»
Princi Bin Salman ndiqte një garë me deve në ditën, kur u zhvillua sulmiFotografi: picture-alliance/dpa/Saudi Press Agency

Sulmi kundër rafinerive të naftës ishte një turp i madh për Arabinë Saudite, thotë eksperti gjerman për Lindjen e Mesme, Michael Lüders në bisedë me Deutsche Wellen. "Arabia Saudite është klienti më i rëndësishëm i blerjes së armëve amerikane, 10% e eksporteve amerikane të armëve shkojnë drejt Arabisë Saudite. E me gati 10 drone, që mund të prodhohen apo blihen relativisht lehtë, rebelët Huthi apo kush mund të ketë qenë tjetër, ia dalin të godasin zemrën saudite të prodhimit të naftës."

Shpenzime të jashtëzakonshme ushtarake

Arabia Saudite ka investuar shuma të jashtëzakonshme për ushtrinë e saj. Sipas Institutit SIPRI, "Instituti i Stokholmit për Studimet  Ndërkombëtare të Paqes" ky vend ka blerë vetëm në vitin 2018 armatime në vlerë prej 67 miliardë dollarësh. I treti i renditur në botë. Shpenzimet ushtarake përbëjnë një pjesë të madhe të buxhetit, 2018 - 8,8%.

"Investimet e Arabisë Saudite kanë bërë që ky vend të ketë arsenalin më modern të armëve në mes të shteteve të gjirit.", thuhet në raportin e SIPRI-t në maj 2019. Mbretëria saudite zotëron avionë luftarakë dhe furnizues mjaft modernë, po ashtu ky vend ka përmirësuar aftësinë mbrojtëse nga ajri, duke e tejkaluar prej kohësh Iranin, konkurrentin kryesor edhe në drejtim të shpenzimeve ushtarake. Irani, krahasuar me sauditët, në vitin 2018 ka shpenzuar një pjesë shumë të vogël për armatime, vetëm 13 miliardë dollarë.

E megjithatë shpenzimet e larta ushtarake nuk janë garanci për aftësinë mbrojtëse. Këtë leksion ky vend po e mëson prej katër vitesh e gjysmë, në ndërhyrjen ndërkombëtare të drejtuar prej tij kundër rebelëbe Huthi në Jemen. Në kuadër të ndërhyrjes ushtarake, Arabia Saudite i sulmon armiqtë në Jemen vetëm nga ajri, deri tani pa ndonjë sukses të madh. Përkundrazi: Në muajt e fundit rebelët Huthi kanë arritur të sigurojnë raketa dhe drone, me të cilat po e sulmojnë nga ana e tyre Arabinë Saudite.

Saudi-Arabien | Nach Angriff auf Ölanlagen in Saudi-Arabien
Arabia Saudite prezanton drone të përdorura në sulmin kundër rafineriveFotografi: Reuters/H. I. Mohammed

Ushtria saudite ndodhet para një problemi jo vetëm në Jemen, ndoshta gjithnjë e më shumë edhe në Ngushticën e Hormuzit - të zhvillojë një luftë, për të cilën nuk është e armatosur - pra luftën e çrregullt, me një armik që përdor taktikën guerilase. "Duhet folur për atë, se si zhvillohen luftërat përfaqësuese", thotë Michael Kinghts nga Instituti i Uashingtonit për Politikën e Lindjes së Afërt. "Sepse luftëra të tilla në rajon po zhvillohen në këtë mënyrë." SHBA e partnerë të tjerë duhet ta këshillojnë Arabinë Saudite për një luftë mbrojtëse ajrore praktike, me masa preçize, afatshkurtra, që do e bënin këtë vend rezistent ndaj sulmeve me raketa.

Kërcënimi nga Jemeni

Arabia Saudite duhet të llogarisë në të ardhmen edhe me sulme të shpeshtuara nga Jemeni. Rebelët Huthi e kanë zgjeruar shumë arsenalin e armëve në muajt e shkuar. Abdel Bari Atvan, kryeredaktori i portalit online "Rai al-yawm", shkroi këtë javë, se ai ka marrë një telefonatë nga një zëdhënës i Huthi-t. Ai ka paralajmëruar një sulm tjetër më të madh kundër sauditëve. Pavarësisht, nëse ky njoftim është më shumë strategji e luftës psikologjike, një gjë dihet - Huthit janë armatosur mirë dhe sipas ekspertit Günter Meyer, drejtues i "Qendrës për Studimet e Botës Arabe" në Universitetin e Mainz-it, "tek ata kemi vënë re një hov teknologjik, që në radhë të parë është bërë falë Iranit".