1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pas stërvitjes: Rusia njofton tërheqjen e ushtarëve të parë

15 Shkurt 2022

Sipas Kremlinit, një pjesë e ushtarëve rusë të pranishëm në kufirin ukrainas janë tërhequr në garnizonet e tyre. Kancelari Scholz ndërkohë mbërriti në Moskë.

https://p.dw.com/p/472mI
Belarus | Russische Militärübung
Fotografi: BelTA/AP/dpa/picture alliance

Në mes të konfliktit me Ukrainën, Rusia ka nisur të tërheqë trupat nga jugu dhe perëndimi i vendit pas manovrave, sipas informacioneve të saj. Zëdhënësi i qeverisë Dmitri Peskov tha se tërheqja ishte procedurë normale pas përfundimit të stërvitjeve ushtarake. Ai tha gjithashtu se do të ketë manovra të tjera. Trupat e para pritet të kthehen sot në kazermat e tyre të përhershme, tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Igor Konashenkov. Përveç kësaj, ka filluar ngarkimi në automjete i pajisjeve ushtarake.

Më parë, ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu kishte njoftuar se disa stërvitje ishin afër përfundimit. Nuk dihet ende për sa ushtarë bëhet fjalë. Manovrat e tjera po vazhdojnë, përfshirë Bjellorusinë fqinje.

Konashenkovi theksoi se Rusia po vazhdon "një grup masash në shkallë të gjerë për trajnimin operacional të trupave dhe forcave të armatosura". Megjithatë, ky veprim u pa si një hap i mundshëm drejt shtensionimit

Russland | Kreml-Sprecher Dmitri Peskow
Fotografi: Shamil Zhumatov/AFP/Getty Images

"Dita e dështimit të propagandës së luftës perëndimore".

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova shkroi në rrjetin social Telegram: "15 shkurti 2022 do të hyjë në histori si dita e dështimit të propagandës së luftës perëndimore”. Sipas saj, Perëndimi u turpërua.

Ndërkohë, në Detin e Zi, më shumë se 30 luftanije ruse të kategorive të ndryshme zhvilluan një manovër të re me përdorimin e artilerisë. Sipas informacioneve të Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë stërvitjes së Flotës së Detit të Zi, është shkrehur zjarr i rëndë i artilerisë për të praktikuar shkatërrimin e një nëndetëseje armike. Gjithashtu në Bjellorusi, u përdor zjarr i rëndë i artilerisë gjatë stërvitjeve të planifikuara deri në 20 shkurt.

Ukraina beson se një pushtim rus është shmangur për momentin. "Ne ia dolëm mbanë, së bashku me aleatët tanë, të parandalonim Rusinë nga përshkallëzimi i mëtejshëm”, tha ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba. "Ne jemi tashmë në mes të shkurtit dhe ju mund të shihni se diplomacia vazhdon të funksionojë."

Olaf Scholz ne Moske
Fotografi: Maxim Shemetov/AFP/Getty Images

Perëndimi po rrit praninë ushtarake në Evropën Lindore

Vendosja masive e trupave ruse në kufirin me Ukrainën ka nxitur frikën e një pushtimi rus në vendin fqinj për javë të tëra. Sipas informacioneve amerikane, mbi 100.000 ushtarë rusë janë mobilizuar në zonën kufitare. Si reagim ndaj lëvizjeve të trupave ruse, Perëndimi ka përforcuar praninë ushtarake në Evropën Lindore.

Dje, ushtarët e parë shtesë të Bundeswehr-it mbërritën në vendin anëtar të BE, Lituani, për të përforcuar atë që NATO e quan Prezenca e Përparuar e Përmirësuar (EFP). Në tërësi, Bundeswehri planifikon të dërgojë 350 ushtarë shtesë dhe rreth 100 automjete ushtarake në Lituani. Deri tani, në ish-republikën sovjetike janë të stacionuar rreth 550 ushtarë gjermanë.

Scholzi mbërriti në Moskë

Russland Deutschland Bundeskanzler Olaf Scholz in Moskau
Fotografi: Maxim Shemetov/REUTERS

Kancelari Scholz ka mbërritur në Rusi. Çfarë mund të arrijë ai në takimin me Presidentin Putin në Kremlin? Qëllimi i deklaruar i Scholzit është deeskalimi.

Pas uljes, Scholzi refuzoi t'i nënshtrohej një testi rus PCR - siç kishte bërë më parë presidenti francez Macron. Nga ana tjetër, Scholz ishte testuar nga një mjek i ambasadës gjermane, shpjegoi qeveria gjermane.

Ndërkohë ai vendosi një kurorë me lule te Varri i Ushtarit të Panjohur. Për takimin me Putinin janë planifikuar disa orë.

dlf, tgsch