1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kthesë tjetër e kryeministres britanike Truss

14 Tetor 2022

Pas shkarkimit të ministrit të Financave Kwarteng, kryeministrja britanike Truss i thotë lamtumirë një elementi kryesor të reformave të saj: paketës së uljes së taksave prej miliardash, që shkaktoi bujë.

https://p.dw.com/p/4IDYD
Großbritannien | Liz Truss im BBC Interview
Fotografi: Stefan Rousseau/empics/picture alliance

Kryeministrja britanike Liz Truss ka njoftuar një ndryshim drastik në politikën e saj financiare: "Prandaj kam vendosur të ruaj rritjen e taksës së korporatës të planifikuar nga qeveria e mëparshme," tha Truss në një konferencë shtypi. Hë për hë ajo dëshiron t'u përmbahet lehtësirave të tjera tatimore.

"Është e qartë se pjesë të 'minibuxhetit' tonë shkuan më tej dhe u zbatuan më shpejt nga sa kishin parashikuar tregjet," vazhdoi Truss. "Prandaj, mënyra se si e përmbushim misionin tonë tani duhet të ndryshojë. Ne duhet të veprojmë tani për të bindur tregjet për disiplinën tonë fiskale."

Ministrit të Financave Kwarteng iu desh të largohej nga posti i tij pas vetëm 38 ditësh në detyrë
Ministrit të Financave Kwarteng iu desh të largohej nga posti i tij pas vetëm 38 ditësh në detyrëFotografi: Hannah McKay/REUTERS

Truss shkarkon ministrin e financave

Më parë, Truss-i shkarkoi ministrin e saj të Financave, Kwasi Kwarteng, pas vetëm 38 ditësh në detyrë, pas një takimi krize. "Ata më kërkuan të jepja dorëheqjen si ministër i Financave. Unë pranova," tha Kwarteng-u. Ai do ta mbështesë Trussin dhe pasardhësin e tij. Idetë e Truss-it janë të duhurat, shkroi ai në Twitter.

Ministri i ri i financave pritet të jetë Jeremy Hunt. Ai ka qenë më parë ministër britanik i Shëndetësisë, më pas Ministër i Punëve të Jashtme nga mesi i vitit 2018 deri në mesin e 2019. Hunt kishte kandiduar vetë verën e kaluar për të pasuar Boris Johnson-in si lider të Partisë Konservatore dhe si kryeministër, por dështoi pas disa raundeve të votimit.

Kwartengu - kurban?

Deri tani, qeveria britanike është përqendruar në shkurtimet masive të taksave të financuara nga borxhet. Prej kësaj pritet të përfitojnë edhe personat me të ardhura të larta. Trussi dhe Kwarteng-u argumentuan se kjo do të stimulonte ekonominë, e cila do të çonte në rritje më të madhe dhe rrjedhimisht rritje të të ardhurave tatimore – kështu që reforma do të ishte disi e vetëfinancuar.

 Jeremy Hunt
Jeremy Hunt pason KwartengunFotografi: Justin Ng/Avalon/Photoshot/picture alliance

Megjithatë, ekspertët dhe tregjet financiare nuk ndajnë këtë mendim. Pas lajmit, kursi i paundit pësoi kolaps. Bankës së Anglisë iu desh të ndërhynte në disa raste dhe të blinte bono qeveritare për të ndaluar rënien e çmimeve dhe për të shmangur kolapsin e fondeve të pensioneve. Rritja e normave të interesit për kreditë për shtëpi ka rënduar krizën e kostos së jetesës për shumë pronarë shtëpish.

Vetëm nëntë për qind e britanikëve e duan Trussin

Qeveria e kishte bërë një kthesë të parë në fillim të tetorit duke iu rikthyer heqjes veçanërisht të diskutueshme të shkallës maksimale të taksës prej 45 për qind. Mediat britanike spekuluan tashmë në disa raste se Truss-i mund ta bënte Kwarteng kurban dhe kështu të përpiqej të shpëtonte kokën e saj.

Kryeministrja Truss, e cila nuk erdhi në pushtet pas zgjedhjeve të rregullta, por përmes një procesi të brendshëm përzgjedhjeje brenda partisë konservatore konservatore, është vetë e kritikuar shumë, edhe brenda radhëve të partisë së saj. Sipas një shkrimi të "Times” të publikuar në mëngjes, drejtuesit konservatorë po diskutojnë për zëvendësimin e saj.

Ata do të kishin mbështetjen e shumicës së britanikëve për këtë. Sipas një sondazhi të cituar nga "Times”, vetëm nëntë për qind e tyre duan ta mbajnë Trussin në krye të qeverisë.

aud (dpa, tgsch)