Pas bojktit Lista Serpska kthehet në institucionet e Kosovës
24 Prill 2015Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës të grumbulluar në subjektin kryesor politik serb "Lista Serpska", vendosën të kthehen në institucionet e Kosovës. Largimi i këtij subjekti politik nga institucionet e Kosovës u bë dy muaj më parë ne shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të kryeministrit Isa Mustafa për ta shkarkimin e ministrit, Aleksandër Jabllanoviç. Në një njoftim për media të subjektit politik serb "Lista Serpska", thuhet se "vendimi për kthim në institucione u mor pas bisedimeve që u zhvilluan me partnerët e koalicionit qeverisës, PDK dhe LDK, ku janë dhënë garanci se do të respektohen pikat kryesore të marrëveshjes për koalicionin qeverisës."
"Një nga arsyet kryesore të kthimit të përfaqësuesve të serbëve në parlamentin dhe qeverinë e Kosovës është edhe marrëveshja që në të ardhmen nuk do të ketë hapa të njëanshëm nga ana e partnerëve të koalicionit, posaçërisht kur bëhet fjalë për procesin e privatizimit në zonat e banuara me shumicë serbe. Theks i posaçëm do të vihet në përmirësimin e gjendjes ekonomike në zonat me shumicë serbe", thuhet në komunikatën e kësaj partie.
Përfaqësuesit e listës "Serpska", janë pajtuar me partnerët e koalicionit që në të ardhmen vëmendje e posaçme t'i kushtohet kthimit dhe shtimit të pranisë së serbëve në institucionet e Kosovës, duke ngritur kështu grupe ndërministrore. Po ashtu në njoftimin e kësaj partie thuhet se "periudhën e ardhshme lista Serpska do të ketë prioritet, mbrojtjen e të drejtave të serbëve, veçanërisht në fushën e respektimit të të drejtave të pronës së personave privatë dhe juridik dhe kishës ortodokse serbe, përmirësimin e gjendjes në arsim dhe shëndetësi, si dhe mbrojtjen e gjuhës, kulturës, trashëgiminë kulturore serbe dhe të drejtën në informim".
Përfaqësuesit e listës "Serpska" i bojkotuan institucionet e Kosovës qysh në fillim të shkurtit të këtij viti, pasi kryeministri Isa Mustafa, shkarkoi nga detyra një ministrin serb, Aleksandër Jabllanoviç. Ky i fundit i quajti egërsira familjet që kanë persona të zhdukur, të cilët penguan disa pelegrinë serb të vizitonin një kishë në qytetin e Gjakovës. Më vonë ai kërkoi falje, mirëpo, protestat në rrugë nuk ndaleshin. Më 27 janar në Prishtinë protestat që kërkonin shkarkimin e tij u shndërruan në dhunë e si pasojë pati dhjetëra qytetar e polic të lënduar si dhe dëme të shumta materiale.
Lista serbe mori pjesë në zgjedhjet e fundit të përgjithshme, ku fitoi nëntë vende në parlament nga dhjetë sa janë të rezervuara për serbët e Kosovës. Ata morën pjesë në zgjedhje pas marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi e arritur në Bruksel më 19 prill të vitit 2013. Lista "Serpska" ka mbështetjen e qeverisë në Beograd.