Partitë në Izrael bien dakord për një qeveri unike
12 Tetor 2023Qeveria e Koalicionit në Izrael nën drejtimin e kryeministritBenjamin Netanjahudhe partisë Likud ka rënë dakord me politikanët e opozitës Benny Gantz dhe partinë e tij të Unionit Kombëtar për krijimin e një qeverie të emergjencës. Partitë kanë rënë dakord, të krijojnë një "kabinet të luftës", në të cilin do të bëjnë pjesë Netanjahu, Gantz dhe ministri i Mbrojtjes Joaw Galant, thuhet në një deklaratë. Ky forum do të qendrojë aq kohë sa do të vazhdojnë luftimet me Hamasin në Rripin e Gazës.
U komunikua më tej, se ish-shefi i ushtrisë Gadi Eisenkot, i cili është gjithashtu anëtar i opozitës, si dhe ministri për Çështjet Strategjike, Ron Dermer, të jenë vëzhgues pa të drejtë vote në këtë forum. Partneri ekstremist i djathtë dhe ultrafetar i koalicionit drejtuar nga Netanjahu do të mbetet gjithashtu në qeveri.
Netanjahu të shtunën (07.10.2023) u ofroi dy politikanëve të opozitës Jair Lapid nga partia liberale dhe Benny Gantz pjesëmarrjen në qeverinë e emergjencës. Prej ditësh kanë vazhduar bisedimet pas dyerve të mbyllura. Eshtë e paqartë nëse ish-kryeministri Lapid do të luajë rol në qeverinë e emergjencës. Sipas mediave, në qeveri do të lihet një post për të, nëse ai do të dëshirojë të jetë pjesë e saj.
Netanjahu pranoi gjithashtu pezullimin e reformës në drejtësi mjaft të diskutueshme, që ka shkaktuar protesta masive prej muajsh në Izrael. "Gjatë luftës nuk mbështeten projektligje dhe as nuk parashtrohen kërkesa nga qeveria, që nuk kanë të bëjnë me luftën", bëhet e ditur.
Izraeli vazhdon kundërsulmet në Rripin e Gazës
Për herë të tretë brenda 24 orëve janë kryer sulme masive ndaj Rripit të Gazës, njoftuan të mërkurën (11.10.2023) forcat izraelite të mbrojtjes (IDF). Sulmet kanë goditur mbi 450 objekte të Hamasit.
Armata ajrore gjatë sulmeve, sipas të dhënave të veta, nxorri jashtë funksionit një sistem radarësh të Hamasit. "Avionët luftarakë kanë shkatërruar një sistem radarësh, që e kishte zhvilluar organizata terroriste Hamas dhe që shërbente për njohjen e objekteve fluturuese mbi Rripin e Gazës", shkruan shërbimi online i ushtrisë në platformën X, ish-twitter. Hamasi prej vitesh ka zhvilluar një rrjet kamerash të cilësisë së lartë, që fshihen në depozitat e ujit mbi çati të shpërndara në të gjithë Rripin e Gazës.
Me qëllim është sulmuar edhe Universiteti Islamik në Rripin e Gazës. Kjo shkollë e lartë është përdorur si kamp stërvitjeje për punonjësit e shëbrimit sekret ushtarak si dhe për zhvillimin dhe prodhimin e armëve nga Hamasi, i shpallur edhe nga BE, SHBA dhe shumë shtete të tjera si organizatë terroriste, vuri në dukje ushtria izraelite. Përveç kësaj Hamasi në konferencat e këtij universiteti ka mbledhur para për terrorizmin.
SHBA ofrojnë municion "të cilësisë së lartë"
Në luftën kundër Hamasit Izraeli merr ndihmë ushtarake nga SHBA. Avioni i parë transportues nga SHBA me minicion "të cilësisië së lartë" natën (11.10.2023) aderoi në bazën e aviacionit ushatarak Nevatim në jug të Izraelit, njoftoi gazeta online e Izraelit "The Times of Israel" duke iu referuar të dhënavetë ushtrisë. Ky municion mundëson "sulme të rëndësishme".
OKB bën fjalë për 260.000 të pastrehë
Mbi 260.000 vetë, sipas të dhënave të OKB-së, janë larguar nga shtëpitë e tyre në Rripin e Gazës. Numri i tyre mund të rritet, deklaroi zyra e OKB-së për çështje humanitare (OCHA) me seli në Gjenevë. Shumë jetojnë në rrugë ose kërkojnë mbrojtje nëpër shkolla. Numri i të dëbuarve brenda vendit në Rripin e Gazës është më i larti që nga viti 2014, thuhet më tej.
Një ndërtesë, që shërbente si strehimore emergjence, është goditur gjatë sulmeve nga Izraeli. Të mbijetuarit thonë, se ka shumë të vdekur. Sipas të dhënave të fundit palestineze në Rripin e Gazës deri tani ka rreth 1055 të vrarë dhe gati 5200 të plagosur.
I vetmi central energjetik në Rripin e Gazës ndërpret prodhimin
Centrali i vetëm energjetik në Rripin e Gazës, sipas të dhënave të shoqërisë palestineze të elektrikut, është mbyllur për shkak të mungesës së karburantit. Tani do të ketë furnizim të paktën për dhjetë orë në ditë me rrymë elektrike përmes energjisë diellore, komunikoi autoriteti energjetik palestinez. Izraeli të hënën (09.10.2023) si reagim ndaj sulmit terrorist në shkallë të gjerë të Hamasit ndërpreu furnizimet me energji për Rripin e Gazës. Edhe furnizimet me karburant dhe mallra të tjera u ndërprenë.
Mbi 1200 viktima në Izrael
Sipas të dhënave të radios shtetërore të Izraelit, Kann, dhe ushtrisë, numri i të vdekurve nga sulmi terrorist ka arritur ndërkohë në 1200. Ndër ta janë 169 ushtarë, tha një zëdhënës i ushtrisë. Mbi 2800 vetë janë plagosur.
Terroristët e Hamasit të shtunën (07.10.2023) gjatë një sulmi në shkallë të gjerë ndaj zonës kufitare shkaktuan një ndër masakrat më të tmerrshme ndaj civilëve që prej themelimit të shtetit të Izraelit. Të shtunën në ditën e festës hebreje Simchat Tora (Gëzimi i Toras) ata depërtuan në shumë zona dhe vranë banorët, ndërsa disa banorë i morën peng në Rripin e Gazës.
Minutë heshtjeje në Bundestagun gjerman
Bundestagu në Berlin përmes një minute heshtjeje përkujtoi viktimat e sulmit. Në seancën plenare ishte i pranishëm edhe presidenti Frank-Walter Steinmeier dhe ambasadori i Izraelit në Berlin, Ron Prosor. Presidentja e Bundestagut Bärbel Bas u shpreh për një "terror të pashembullt". Ajo i siguroi Izraelit "mbështetjen e plotë dhe të pakufizuar të Bundestagut gjerman" duke i shprehur ngushëllimin e parlamentit ambasadorit Prosor.
Bas tha në fjalën e saj: "Ne dënojmë ashpër aktet çnjerëzore terroriste kundër Izraelit." Ky terror nuk justifikohet me asgjë dhe duhet të marrë fund menjëherë, bëri thirrje Bas. Të gjithë pengjet duhet të lirohen menjëherë.
Ambasadori i Izraelit Prosor i tha DW-së, se vendi i tij ndodhet në hidhërim të thellë pas sulmeve masive të befasishme terroriste të Hamasit. Izraeli do të kundërgodasë në atë mënyrë, që më pas të mos ekzistojë më infrastruktura terroriste e Hamasit.
Von der Leyen bën fjalë për një "akt lufte"
Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen e cilësoi si një "akt lufte" sulmin terrorist të Hamasit ndaj Izraelit. "Europa i qendron krah Izraelit", theksoi von der Leyen në kuadrin e një minute heshtjeje në prani të ambasadorit të Izraelit në Bruksel. BE mbështet të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje.
Viktimat e pafajshme "janë vrarë për të vetmen arsye – sepse ishin hebrej dhe jetonin në shtetin e Izraelit", deklaroi von der Leyen. "Nuk ka asnjë justifikim për terrorin e Hamasit", shtoi ajo. Sulmi në shkallë të gjerë "nuk ka të bëjë me përpjekejt legjitime të palestinezëve". "Ndihma jonë humanitare për palestinezët nuk vihet në diskutim", shtoi von der Leyen. Por është megjithatë e rëndësishme, që të shqyrtohen me kujdes ndihmat financiare të BE-së për autoritetet palestineze, tha ajo.
Papa bën thirrje për lirimin e pengjeve
Papa Françesku i bëri thirrje Hamasit të lirojë menjëherë pengjet. Njëkohësisht kreu i Kishës Katolike u shpreh i shqetësuar për rrethimin e Rripit të Gazës nga Izraeli. "Unë lutem për familjet, që përjetuan se si një ditë feste u shndërrua në pikëllim, lutem gjithashtu që pengjet të lirohen menjëherë", tha papa gjatë audiencës së tij të përjavshme.
Duke iu referuar reagimit të Izraelit papa theksoi: "Eshtë e drejtë e atij, që sulmohet, të mbrojë veten, por jam shumë i shqetësuar për rrethimin total, në Rripin palestinez të Gazës, ku ka edhe shumë viktima të pafajshme."
qu/jj/jdw/se/cwo/pg/haz/ehl (dpa, afp, ap, rtr, kna)