1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parlamenti turk miraton ligjin për mediat sociale

Daniel Bellut
30 Korrik 2020

Deri tani media sociale në Turqi kanë qenë një rrugë për të shmangur censurën e shtetit. Por presidenti turk do t'i kontrollojë më tepër platformat me një ligj të ri. Ekspertët janë alarmuar.

https://p.dw.com/p/3g8Vm
Symbolbild fuer die Internet Zensur von Social Media Plattformen Türkei
Fotografi: picture alliance/dpa

Në 18 vitet e mandatit të tij Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan arriti t'i vërë në masë të gjërë nën kontroll gazetat dhe stacionet televizive. Por forcat e opozitës reaguan: politikanë, aktivistë apo kritikë të qeverisë filluan të përdorin rrjetet sociale dhe krijuan aty një alternativë për të komunikuar me publikun. Në platforma si Twitter, Facebook ose YouTube, aktivistët tërheqin vëmendjen ndaj abuzimeve, politikanët e opozitës mobilizojnë mbështetësit e tyre dhe media të vogla, alternative shpërndajnë përmes rrjeteve sociale programet e tyre kritike ndaj qeverisë.

Tani Erdogani dëshiron ta zgjerojë edhe më tej ndikimin dhe kontrollin e tij tashmë të madh mbi mediat sociale. Vitet e kaluara qeveria e ka rritur vazhdimisht kontrollin mbi përmbajtjen e lajmeve në internet. Por të mërkurën (29.07.) parlamenti turk miratoi zgjerimin e ligjit të mediave 5651. Sipas ligjit të ndryshuar të qeverisë platformat me mbi një milion përdorues janë të detyruara të hapin një filial në Turqi.

Türkei Gumushane | Frau mit Smartphone
Përmes rrjeteve sociale politikanët e opozitës mobilizojnë mbështetësit e tyre dhe mediat e vogla, alternative shpërndajnë programe kritike ndaj qeverisë.Fotografi: picture-alliance/AA/Y. Kara

Nëse Twitter dhe të tjerët. refuzojnë të hapin një zyrë përfaqësuese në territorin e Turqisë, gjykatat turke mund ta zvogëlojnë gamën e tyre deri në 95 përqind. Po ashtu kush boton lajme me "përmbajtje të diskutueshme" do të dënohet në të ardhmen me gjobë midis një dhe dhjetë milion lira.

Të drejtat personale si justifikim

Sipas qeverisë turke, qëllimi kryesor i ligjit është të parandalojë  në të ardhmen shkeljen e të drejtave personale në rrjetet sociale dhe platformat. Motivi për këtë nismë legjislative ishte një incident nga jeta private e vetë presidentit: kur vajza e tij Esra Erdogan dhe i shoqi Berat Albayrak, i cili është edhe ministër i Financave, bënë të njohur në Twitter lindjen e fëmijës së tyre të katërt, ata u fyen nga përdorues të shumtë.

Presidenti turk u tërbua dhe njoftoi se do të ketë kufizime: "A e kuptoni tani pse ne jemi kundër YouTube, Twitter, Netflix dhe mediave të tjera sociale? Sepse ne duam t'i japim fund këtij imoraliteti. Sepse ne jemi nipërit e mbesat e një kombi me moral të lartë dhe vlera të larta" - tha Erdogani në një fjalim për kombin.

Twittersperre Türkei aufgehoben
Fotografi: Ozan Kose/AFP/Getty Images

Ekspertët e IT e shohin ligjin e ri si një sulm ndaj lirisë së shprehjes dhe shtypit. "Ky nuk ka të bëjë me parandalimin e fyerjeve dhe sulmeve apo me të drejtat personale. Ligji synon ta bëjë më të lehtë monitorimin e qytetarëve në mediat sociale", thotë kryetari i OJQ-së "Iniciativa për Njohuri alternative" Faruk Cayir. Platformat e prekura janë një burim i njohur lajmesh për popullatën turke. Qeveria tani dëshiron të parandalojë përhapjen e lajmeve në mediat sociale, thotë Cayir. Sipas ekspertit të internetit synimi është gjithashtu për të krijuar një mjedis kërcënues që inkurajon vetëcensurimin.