PE: Të hapen bisedimet e antarësimit me Tiranën dhe Shkupin
19 Maj 2022Në një njoftim për shtyp (19.05) të Paralmenti i BE (PE) bëhet me dije që "në seancë plenare europarlamentarët miratuan raportin për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut (MV)lidhur me progresin e tyre drejt anëtaësimit në BE.”
Anëtarët e Parlamentit Europian nxitën gjithashtu Bullgarinë dhe MV të zgjidhin mosmarrëveshjen historiko - kulturore mes tyre pa e lidhur atë me procesin e anëtarësimit të MV në BE.
Shqipëria- partnere strategjike e BE
Raporti i PE për Shqipërinë u miratua me votat pro të 519 eurodeputetëve nga 599 syresh të pranishën në seancën plenare të ditës së enjte. Në njoftimin për shtyp të PE theksohet që „eurodeputetët vlerësojnë orientimin strategjik dhe angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për integrimin evropian dhe shprehin mbështetjen e tyre të qartë për transformimin demokratik të vendit dhe aspiratën për anëtarësim në BE."
"Eurodeputetët i bëjnë thirrje Shqipërisë të vazhdojë dhe të intensifikojë përpjekjet e saj për të rritur efikasitetin e gjyqësorit, forcuar demokracinë, shtetin e së drejtës dhe ekonominë," thekson njoftimi për shtyp i PE.
Isabel Santos, raportuesja e PE për Shqipërinë, citohet të ketë thënë që "Shqipëria mbetet një partnere strategjike plotësisht e besueshme dhe e përkushtuar, që vazhdon të ecë përpara me reformat themelore në
lidhje me BE-në dhe po përmbush kushtet për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit. Është e drejtë që Këshilli Europian më në fund të hapë negociatat e vonuara me Shqipërinë. Europa nuk mund të zhgënjejë popullin shqiptar që është përpjekur të zbatojë të gjitha hapat e nevojshme për pranimin. Është koha për të kaluar
në negociata formale dhe mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë sa më parë brenda Presidencës Franceze të Këshillit Europian."
Eurodeputetët vunë në dukje se moshapja e negociatave nga Këshilli Europian, në kushtet kur të dyja vendet kanë plotësuar kushtet e vendosura prej tij „ka dëmtuar reputacionin e BE në sytë e publikut dhe përbën një rrezik për politikën e zgjerimit në tërësi."
Tulant Balla, kryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste,(PS) e vlerësoi historik votimin e raportit të PE për Shqipërinë me 519 vota pro dhe orientimin strategjik, angazhimin e palëkundur të Shqipërisë drejt integrimit europian. Ai përshëndeti "profesionalizmin e raportueses Isabel Santos, në prezantimin e gjetjeve të raportit dhe kërkesën për mbajtjen e menjëhershme të Konferencës së Parë Ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian brenda Presidencës Franceze të Këshillit Europian.”
Michel: Krijimi Bashkësisë gjeopolitike Europiane
Votimi në PE pro hapjes së bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe MV ndodh në një kohë kur Presidenti i Këshillit Europian, (KE) Charkes Michel, një ditë më parë, të mërkurën, (18.05) propozoi në Bruksel, në Komitetin Social dhe Ekonomik Europian „krijimin e një bashkësie gjeopolitike ku do të përfshihen vendet europiane që ende nuk janë anëtare të BE, që nënkupton edhe vendet e Ballkanit Perëndimor (BP).
Burime zyrtare citojnë Presidentin e KE, Michel, që,"ekziston një bashkësi gjeopolitike, që përfshin hapësirën nga Rejkjaviku deri në Baku apo Jerevan, nga Oslo deri në Ankara. Jam thellësisht i bindur se nga kjo hapësirë gjeopolitike duhet konfirmuar si një realitet politik. Dhe kjo duhet bërë menjëherë”,
Charles Michel ka sqaruar që „kjo nismë, në asnjë mënyrë nuk shkon në drejtim të zëvendësimit të zgjerimit të BE apo të krijimit të një argumenti të ri për ngadalësim të procesit. Për ato vende që marrin pjesë në Bashkësinë Gjeopolitike Evropiane kjo nuk është garanci se një ditë do të jenë anëtare të BE-së."