Parlamenti hungarez ka aprovuar ligje antidemokratike
12 Dhjetor 2019Ka pak gjëra, për të mos thënë nuk ka fare gjëra që të jenë më të rëndësishme për kryeministrin hungarez, se sa të jetë në pushtet numri një i shtetit. Prandaj Viktor Orbani i ka marrë shumë personalisht goditjet në zgjedhjet lokale. Mbas humbjes së papritur në zgjedhjet më 2002, Orban pati thënë një nga fjalitë e tij të famshme: "Atdheu nuk mund të jetë në opozitë!" Ku me opozitë ai kishte parasysh partinë e tij, votuesit e tij dhe sigurisht veten e vet. Tregojnë se humbja e pati traumatizuar duke i shkaktuar krizë personale. Thuhet po ashtu se ai është betuar që kur të bëhet kryeministër të bëjë gjithçka për penguar edhe një humbje tjetër në zgjedhje.
Por ja që ndodhi sërish. Për herë të parë pas 13 vjetësh, Orbanit i duhet të pranojë humbjen e zgjedhjeve. Në muajin tetor partia e Orbanit, Fidesz humbi zgjedhjet lokale. Fidesz arriti të mbante në përgjithësi votuesit bazë dhe morri rezultate të mira sidomos në zonat rurale. Por, humbja në qytetet më të rëndësishme të vendit, mes tyre edhe në Budapest, pati rëndësi të madhe simbolike. Sepse, me mekanizmat e vogla dhe të mëdha për luftimin e opozitës, sistemi i Orbanit dukej i pamposhtur. Prandaj mund të shihet sa shumë i ka dhembur humbja kryeministrit hungarez, që para zgjedhjeve foli për opozitën „qaramane".
Ligje të ashpra
Tani, Orban është duke kthyer përgjigje me sistemin e tij të quajtur „Rregulli i bashkëpunimit kombëtar," i cili rrit imunitetin ndaj humbjes së pushtetit. Kjo shihet në formulimet e ligjeve të reja, të aprovuara ditët e fundit nga parlamenti hungarez, ose që pritet të aprovohen. Ato kanë të bëjnë duke filluar që me kufizimin e lirisë për krijimin e fraksioneve në Parlament, rritjen e kontrollit në sektorin e kulturës deri tek kufizimi i juridiksionit tatimor të komunave. Ligjet e reja janë shumë të ashpra ndaj gjoja shkeljeve të rendit prej deputetëve të parlamentit gjatë mbledhjeve. Ato janë aq gjithpërfshirëse dhe i japin kryetarit të parlamentit aq shumë pushtet dhe fuqi për vendosje saksionesh ekonomike, saqë praktikisht ekziston mundësia për t'ia mbyllur gojën krejt opozitës.
Duhet thënë se pas ndryshimeve të mëdha të bëra në vitet 2013 dhe 2014 në rendin e punës, parlamenti hungarez është kthyer në makinë dhënie votash duke e bërë rolin e opozitës më shumë dekorativ. Kryetari i parlamentit, László Kövér, idhtar dhe propagandist teorish ekstremiste të djathta të konspiracionit, ka kohë që nuk le pa shfrytëzuar asnjë rast pa dënuar deputetët e opozitës dhe gazetarët e parlamentit.
Kurse kryeministri hungarez është sjellë më i moderuar muajt e fundit. Arsyeja ka pasur të bëjë me dëshirën që vendi i tij të merrte postin e Komisarit të BE për çështjet e zgjerimit, një nga sektorët e Komisionit të BE që ka influencë të madhe publike, që i jep shumë hapësirë për të ushtruar politikën e tij në Ballkanin Perëndimor dhe për të mbështetur udhëheqësit autoritar të rajonit. Kjo manovër i doli Orbanit me sukses.
Praktikisht që prej ditës që Olivér Várhelyi u konfirmua si Komisar i ri i zgjerimit, Orbani shan sërish me gjithë forcë kundër miliarderit amerikan Soros, kundër shoqërisë civile dhe opozitës, kundër perëndimit dekadent- liberal. Me fjalë ose me ligje. Kjo tregon edhe një herë që nuk mund të kesh iluzione për Orbanin. Riorganizimi antidemokratik i Hungarisë do të vazhdojë, Orbani do i zhvendosë kufijtë e një demokracie në dukje në drejtim të një sistemi autoritar, diktatorial.
Fakti që parlamenti hungarez u degradua edhe një herë tjetër ditën e pardjeshme, ditën kur në Bruksel po zhvillohej procesi kundër shkeljeve të shtetit ligjor nga Hungaria, tregon për gradën e vlerësimit që Orban ka për BE dhe principet e tij.