Papa paralajmëron prej populistëve
23 Janar 2017Kreu i Kishës Katolike tha se presidentit të ri amerikan, Donald Trump, i duhet dhënë një shans. "Le të shohim se ç'do të bëjë, dhe pastaj ta vlerësojmë", tha Papa në një intervistë me gazetën spanjolle "El Pais". Ai paralajmëroi në këtë kontekst ndaj "profecive për aksidente apo pasuri, që më pas nuk do të ndodhin." Askush nuk duhet "të frikësohet ose gëzohet për diçka që mund të ndodhë." Pyetjes se nëse pas gjithë atyre që kishte dëgjuar deri tani, ai nuk ishte i shqetësuar, Papa iu përgjigj. "Unë do të pres. Perëndia ka pritur gjatë për mua megjithë mëkatet e mia."
Në kohë krize aftësia për të gjykuar dështon
Nisur prej lëvizjeve populiste të djathta në Europë Papa Françesku bëri paralelizma me rrugën drejt ardhjes së Adolf Hitlerit në pushtet para vitit 1933. Në kohën krizës së madhe ekonomike, Gjermania qe e rrënuar dhe zgjodhi Hitlerin, tha ai: "Hitleri nuk e uzurpoi pushtetin, ai u zgjodh nga populli i tij dhe i shkatërroi njerëzit e vet. Në kohë krize aftësia për të gjykuar dështon".
Në kohën krizash njerëzit kërkojnë "një shpëtimtar që do të na kthente sërish identitetin tonë", tha Francis. "Ne mbrohemi me mure dhe tela me gjemba prej kombeve të tjera që mund të na prishin identitetin tonë." Kjo është gjë "shumë e keqe" - tha Papa. Në vitin 1933 në Gjermani kjo ishte "tipike". Gjermania u gjend në krizë dhe po kërkonte identitetin e saj. "Në këtë moment erdhi një lider karizmatik dhe u premtoi njerëzve se do t'u jepte një identitet. Por ai u dha atyre një identitet të gabuar, dhe ne e dimë se çfarë ndodhi më pas."
Mbrojtje kufijsh po, izolim jo
Lidhur me refugjatët Papa Françesku paralajmëroi që bota nuk duhet të izolohet, por ai theksoi edhe të drejtën e shteteve për të mbrojtur kufijtë e tyre: "Çdo vend ka të drejtë të kontrollojë kufijtë e veta, që ta dijë se kush hyn dhe kush del." Dhe vendet që janë në rrezik - nga terrorizmi apo gjëra të ngjashme - kanë të drejtë që t'i kontrollojnë kufijtë edhe më me forcë" - tha Papa, por asnjë vend nuk ka të drejtë t'u ndalojë të qytetarëve të vet të drejtën për dialogun me fqinjët e tyre".
Njëherazi Papa Françesku u bëri thirrje vendeve evropiane për të bërë më shumë për integrimin e refugjatëve. "Problemi është se ne i pranojmë këta njerëz, u japim strehim", tha Papa. "Italia dhe Greqia kanë vepruar këtu në mënyrë shembullore." Por tani duhet të nisë procesi i integrimit. Përndryshe Evropa rrezikon krijimin e getove tjera si në Belgjikë, që bëhen vatra prej të cilave dalin atentatorë si ata të Brukselit.