1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Panairi i udhëtimeve ITB u hap në Berlin

9 Mars 2017

Terrori, Trumpi dhe Erdogani: lajmet nga shumë vende pushimesh i shqetësojnë gjermanët. Megjithatë: edhe këtë vit njerëzit do të udhëtojnë, thonë ofruesit. Por destinacionet ndryshojnë.

https://p.dw.com/p/2Yrah
Deutschland Internationale Tourismus-Börse ITB in  Berlin
Fotografi: picture-alliance/dpa/R. Jensen

"Kampionët e botës në udhëtime"  - Gjermanët - edhe këtë vit i kanë bërë gati valixhet, thonë përfaqësues të degës së turizmit. Kjo megjithë pasigurinë ndërkombëtare. "Klientët tanë nuk sprapsen nga udhëtimet për shkak të terrorit dhe kërcënimeve", thotë Presidenti i Shoqatës Federale të Industrisë Gjermane të Turizmit (BTW), Michael Frenzel, në hapje të ITB në Berlin. Qarkullimi në këtë degë ekonomike do të rritet edhe në vitin 2017.

Megjithatë, edhe këtë vit pushuesit vendosin të shkojnë në destinacione ku presin më tepër siguri, dhe udhëtojnë për shembull në Spanjë në vend të Turqisë. Për shkak të atentateve terroriste e humbet natyrën tërheqëse edhe turizmi urban, u bë e ditur nga Shoqata Gjermane e Udhëtimeve. Para fillimit të panairit të udhëtimit ITB në Berlin, kjo degë ekonomike paralajmëroi për kufizime të reja në udhëtime dhe për një shkallëzim të konfliktit diplomatik me vendin e rëndësishëm për udhëtimet, Turqi.

Berlin ITB Afrika
Fotografi: DW/D. Pelz

Tensione në Turqi

"E shohim shumë pa dëshirë që tani ekzistojnë këto tensione shumë të qarta", tha Presidenti i Shoqatës Gjermane të Udhëtimeve, Norbert Fiebig. "Këto nuk do ta kthejnë patjetër në të kundërtën tendencën e prenotimeve". Turqia duhet të rikthehet në fuqinë e vjetër si destinacion udhëtimesh, sepse ajo ofron një numër të madh ofertash verore me çmim të leverdisshëm veçanërisht për familjet.

"Ne kemi nevojë për udhëtime", tha Frenzel. "Liria dhe udhëtimet e kushtëzojnë njëra-tjetrën." Presidenti tërhoqi vëmendjen për votën britanike për dalje të vendit nga BE dhe për ndalimhyrjen e vendosur nga SHBA për njerëz kryesisht nga gjashtë vende myslimane. Shqetësime i sjell degës së udhëtimeve edhe e ardhmja e pasigurtë e udhëtimit pa viza midis BE, SHBA dhe Kanadasë.

BE po e rishqyrton programin, sepse amerikanët kërkojnë viza prej qytetarëve të disa vendeve të BE. "Kjo na bën të rrëshkasim pas në kohë të vjetra, ku duhet të kemi viza për të hyrë në SHBA. Kjo është një ëndërr e keqe." SHBA janë vendi më i preferuar për udhëtimet e largëta i gjermanëve.

Në Bursën Ndërkombëtare të Turizmit (ITB) përfaqësohen më shumë se 10.000 ekspozues nga 184 rajone pushimesh. Deri në mbylljen e panairit të dielën priten gjithsej 180.000 vizitorë.