Panairi i librit në Tiranë: Deutsche Welle shqip me stendë më vete
11 Nëntor 2011Rreth 90 shtëpi botuese, një sërë institucionesh me natyrë kulturore ose operatorë mediatikë janë shpërngulur në hollet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë në panairin e librit 2011. Botime në origjinal të autorëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e vende të tjera, përkthime të letërsisë së vendeve të ndryshme të botës, takime mes krijuesve, prezantime të titujve më të rinj, konferenca shtypi të autorëve dhe botuesve – të gjitha këto formate të alternuara tentojnë të tërheqin sa më shumë vëmendjen e vizitorëve të shumtë në ambjentet e panairit.
Përkthimet gjermane në panair
Disa prej shtëpive botuese kanë në listën e librave dhe përkthime nga autorët gjermanë bashkëkohorë apo nga fondi klasik. Studiuesi dhe përkthyesi i njohur Dr. Ardian Klosi drejton shtëpinë botuese “K&B”, e cila prej vitesh ka në fokus sjelljen në gjuhën shqipe të autorëve të njohur gjermanë. Klosi thotë për DW se mes titujve të rinj që i ofrohen lexuesve shqiptarë në këtë panair është “101 poezi dashurie” nga Bertolt Brecht, “Gazetaria” nga profesor Stephan Russ – Mohl, “Udhëtim dimri” të Wilhelm Myler, “Përndjekja dhe vrasja e Zhan Pol Maratit” të Peter Weiss. Sipas Dr. Klosit përkthimi i letërsisë gjermane në shqip dhe shpërndarja e këtyre botimeve në shkallë të gjerë ka një sërë vështirësish.
“Me përjashtim të Franz Kafkës, është fjala për botimin e veprës së plotë në prozën e shkurtër, që ka patur shumë sukses, pasi është në tirazhin e tretë, autorët e tjerë duke qënë se janë shumë pak të njohur, si Treichel, Ingo Schulze, apo dhe poeti G. Benn e kanë mjaft të vështirë. Kjo mund të shpjegohet me atë që lexuesit shqiptarë historikisht janë të lidhur me letërsinë e gjuhës angleze, të gjuhës frënge, me letërsinë italiane. Ndaj nuk mund të them se ka një ndryshim nga viti në vit. Duhet të kalojnë shumë vite që të ndryshojë kjo lloj mendësie. Mund të jetë punë tematike, por unë them se kjo është cështje tradite. Le ta themi hapur që është një brez mbi 35 – 40 vjec që lexon kryesisht në Shqipëri, ndaj dhe duan autorë të traditës së S. Cvajg, Remark, Bël, kurse me emrat e rinj sillen një cikë si konservatorë.”
Dudaj: Më shumë përpjekje për përhapjen e kësaj letërsie
Arlinda Dudaj, themeluese dhe menaxhere e shtëpisë së botimeve “Dudaj” është gjermanishtfolëse dhe thotë se ka një afinitet të vecantë me përkthimin e autorëve gjermanë. Ajo thotë për DW, se shtëpia e saj botuese është e orientuar më shumë tek autorët gjermanë që shkruajnë për fëmijët, si Kornelia Funke, Michael Ende etj. “Sigurisht që këto janë libra që ecim mirë në treg, ka dhe autorë të tjerë të letërsisë, por duhet thënë se ajo është e vështirë, është disi cerebrale, është një letërsi letërsi jo për të gjithë. Nga mënyra e të shkruarit është padyshim një nga letërsitë më të mira të Evropës. Është e vështirë pasi përkthyesit janë ‘me kokrra', mezi i gjen. Por mbase duhet bërë më shumë përpjekje për të ndihmuar përhapjen e kësaj letërsie dhe në Shqipëri.”
Vështirësi ka në përkthimin e autorëve gjermanë dhe në Kosovë. Nazmi Rahmani pronar i Shtëpisë Botuese “Faik Konica” në Prishtinë ka qënë disa herë në panairin e librit në Frankfurt. Por ai e shikon pengesën tek ekzistenca e përkthyesve cilësorë.“D ihet se një pjesë e shqiptarëve jetojnë prej disa viteve në Gjermani dhe kjo gjuhë mësohet gjerësisht, është dhe degë e Universitetit të Prishtinës. Por nuk është arrit që të krijohet një plejadë e përkthyesve letrarë, sepse dhe me ardhjen e forcave të NATO-s në Kosovë një pjesë e atyre që dinin gjermanisht punojnë atje. Kështu që në pjesën e përkthimeve nuk është bërë ndonjë përpraim shumë i madh.”
Deutsche Welle me stendë të sajën në panairin e librit
Për herë të parë me një stendë të vecantë prezantohet në Panair dhe programi në gjuhën shqipe i radios Deutsche Welle. Vizitorë në stendë janë ndjekës të programeve të radios në variantin audio ose nëpermjet internetit. Por ka dhe të rinj dhe të apasionuar pas gjuhës gjermane të cilët interesohen për kurset e ofruara nëpërmjet përdorimit të shërbimeve on line të radios DË. Në ditën e parë të panairit në stendën e DW qëndroi dhe ministri i arsimit dhe shkencës prof. dr. Myqerem Tafaj, i kualifikuar për gati 10 vite në institucionet arsimore dhe shkencore në Gjermani.
Autor: Arben Muka
Redaktoi: Lindita Arapi