Panairi i librit i Leipcigut: Book Pitch
22 Mars 2016Adina Popescu është nervoze, kjo është e qartë. Ajo flet shpejt, i mbush të pesë minutat që ka në dispozicion me sa më shumë fjalë dhe publiku e ka të vështirë ta ndjekë. Kjo në një kohë kur ajo ka para vetes dëgjues të interesuar: ekspertë letërsie, redaktorë dhe përfaqësues shtëpish botuese. Ata kanë ardhur për të njohur tetë autorë evropianë, librat e të cilëve ende nuk janë publikuar në Gjermani.
"Book Pitch" quhet formati i ri, në të cilin Panairi i Librit i Frankfurtit i ka ftuar për herë të parë vizitorët. Një formë e paraqitjes së shkurtër, e cila tashmë ka traditë në hapësirën anglosaksone dhe në industrinë e filmit. Cili është një mesazh i jashtëzakonshëm për librin tim? A është origjinale tema e tij dhe a të bind shpejt? Si mund ta përmbledh përmbajtjen e tij në maksimalisht 500 fjalë? Në internet ka udhëzime për "Book Pitchs", me ndihmën e të cilave njeriu thuhet se ka shans për ta bindur një agjente letrare edhe vetëm duke u ngjitur në ashensor.
Prezanton histori nga "vendi i vampirëve": Adina Popescu
38 vjeçarja Adina Popescu nga Rumania megjithatë nuk duket se ndjek këshillat e ndonjë udhëzuesi. Sa keq, sepse libri i saj më i fundit "Historia e fshehtë e vendit të vampirëve" është shumë i suksesshëm në Rumani. Romani himnizon përralla të vjetra rumune dhe mite dhe i konfronton ato me kohën e re - vendi i vampirëve bëhet një park tematik, me efekte shumë zbavitëse.
Leipcigu, në dallim nga Frankfurti, ku mblidhet kryesisht publik i specializuar ndërkombëtar, konsiderohet si panair nacional, ku në plan të parë është kontakti me publikun që lexon. Midis 2250 ekspozuesve në këtë vit, vetëm rreth 200 janë nga bota e jashtme jo gjermanofone, para së gjithash nga shtete të Evropës Lindore dhe Juglindore. Është kthyer në traditë prezantimi i autorëve nga këto rajone si një pikërëndesë e panairit. Kjo bëhet edhe me "Book Pitch". Autorët janë zgjedhur nga agjentë librash ose institucionesh në Gjeorgji, Slloveni, Rumani, Çeki, Hungari dhe Kroaci, njëri është nga Lichtensteini. Gjashtëmbëdhjetë shtëpi botuese janë regjistruar, midis tyre edhe shtëpi të madhe botuese si "dtv" dhe "Aufbau".
Buzëqeshje në sallë: Abo Iaschagaschwili
"Është shumë e vështirë të prezantosh veten dhe një libër brenda pesë minutash", këtë Abo Iashagaschwili e di. "E thjeshta është e lehta", i tha vetes atëherë shkrimtari gjeorgjian dhe përgatiti një prezantim me Power-Point në gjermanisht, jo në anglisht, siç thuhej në kërkesë. Dhe këtë ai arrin ta bëjë mirë, ai ka studiuar në Mynih. Romani i tij "Roayl-Mary" zhvillohet në fund të shekullit të 19-të në Tiflis. Një nga fletët e para të prezantimit tregon fotografinë e qytetit, kur ai ende ishte një kudhër e shkrirjes së kulturave, së bashku me një koment të autorit - dhe papritur hapet një horizont i qartë. Publiku ndjek më vëmendje të mbërthyer në prezantim dhe regjistron edhe aludimet akademike të shkurtra për modele letrare si Pushkini, Borges dhe Kipling, të cilat Iagashvili i përmend me një nënton ironik.
Autori i lindur më 1977 në Tiflis arrin t'i bëjë spektatorët të buzëqeshin kur në prezantimin e tij ai arrin në përfundimin: "Librin mund ta lexosh me një frymë. Dhe pas kësaj ke dëshirë ta lexosh të gjithë edhe njëherë, të reflektosh më shumë për të. Dhe çdo herë zbulon diçka të re." Nuk çuditesh që pas leximit të shkurtër të "historisë policore të lehtë, po të thellë", drejt shkrimtarit gjeorgjian shkojnë përfaqësues të tri shtëpive të vogla botuese.
Tarantino në Hungari: Benedekt Totth
Edhe Benedikt Totth nga Hungaria arrin të bëjë një prezantim që të tërheq vëmendjen për romanin e tij "Dead Heat". Libri tregon historinë e katër të rinjve, notarë, që e kalojnë kohën në pishinë dhe të cilët prindërit e tyre pa ndjenja dhe mësuesit e mbaruar nuk i ndjekin dot më. Mbrëmje, seks dhe droga - libri i tij është si një film i Tarantinos në një qytet të vogël hungarez, thotë Totth dhe me këtë e ka gjetur frazën që tërheq vëmendjen maksimale.
Shkrimtarin dhe përkthyesin e lindur gjithashtu më 1977 është e vështirë ta besosh kur thotë se nuk është mësuar që t'ju prezantohet të tjerëve sa më pozitivisht që është e mundur. Në Francë, të drejtat e përkthimit të veprës gjithsesi janë shitur. Edhe një film për këtë "luftë të një brezi të humbur" po përgatitet.