Panari i Frankfurtit: Këtë vit nuk rri dot i shpenguar
13 Tetor 2018Çdo panair libri në Frankfurt ka temat e tij specifike dhe atmosferën e tij. Që liria e mendimit dhe liria e publikimit bëjnë pjesë gjithmonë në këto tema, kjo vetëkuptohet. Ato janë parakusht për atë që ka rëndësi në radhë të parë: të shiten leje botimi për librat, të tërhiqet vëmendja për autore dhe autorë si dhe për vlerën ideore të librit, për të rënë dakord për botime të reja.
Në 2015 Panairi ishte në ethe. U zhvillua në kuadër të solidaritetit me refugjatët. Shkrimtarë dhe përfaqësues të shtëpive botuese u angazhuan dhe tregonin për këtë - do t'ia dalim mbanë, madje me entuziazëm. Panairi në 2016 u karakterizua nga revolta për shtypjen e lirisë së mendimit në Turqi; në diskutime u shtrua pyetja se si është kur shkruan në diktaturë dhe kur jeton e shkruan në migrim. Viti 2017 ishte i zhurmshëm dhe me plot impulse. A ju kujtohet Macroni dhe fjalimi i tij që të bënte për vete për Evropën, kur e hapi së bashku me Merkelin Panairin e Frankurtit? Dhe tonet e çjerra të shtëpive botuese të djathta, kur protestat për pak përfunduan në rrahje?
Shkrimtarët nën presion
Po 2018-a? Në Frankfurt ishte verë gjatë ditëve të Panairit për vizitorët e specializuar. Drita e diellit depërtonte në salla. Njerëzit ecnin pak më ngadalë, bënin biseda aty-këtu, mbanin vesh. Mund të ndiheshe i shpenguar. Por nuk ishe i shpenguar - përkundrazi. Në fakt organizatorët mund të qenë të kënaqur. Më shumë shtëpi botuese të përfaqësuara dhe më shumë vizitorë se një vit më parë. Qarkullimi i kësaj dege ekonomike është në njëfarë mënyrë stabil, po të bëhen shitje të mira për Krishtlindje, mund të kalohet edhe në plus.
E megjithatë: mbi Panairin e Librit të këtij viti në Frankfurt sundon një atmosferë e errët. Nuk pati debate të ashpra, shtëpitë botuese djathtiste i patën syrgjynosur - me përjashtim të njërës - pas librave të artit në një qoshe të braktisur të sallës 3. Ajo që ndihet është një vendosmëri thuajse e papërmbajtur: për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe lirinë e mendimit, prej kohësh këto nuk janë më fjalë të bukura. Nëse shumica e shkrimtarëve ndihen të kërcënuar nga emaile me urrejtje dhe denigrime, siç rezultoi nga një studim i PEN, dhe shumë bëhen për këtë shkak të kujdesshëm në deklaratat e tyre publike, kjo do të thotë se kemi të bëjmë me një kufizim të rrezikshëm të lirisë së mendimit.
Kur vjen puna se cilat libra botohen në Poloni ose Hungari, se cilat projekte përkthimi subvencionohen, atëherë liria e mendimit bëhet shumë konkrete. Dhe lufta për të drejtat e njeriut kthehet në detyrë shumë konkrete, kur bëhet fjalë për t'u angazhuar për më shumë se 100 shkrimtarët e arrestuar dhe gazetarët në Turqi. Kur bëhet fjalë për të mbështetur kolegët e rreth 150 medieve të mbyllura. Asli Erdogan dhe Deniz Yücel mund të tregojnë shumë në Panair.
Edhe tema Evropa është edhe më tej qendrore. Po flet shumë edhe fakti që sa qartë dhe ftohtë e përshkroi e Ngarkuara me Politikën e Jashtme të BE, Federica Mogherini, që Evropa bën pjesë në identitetin e çdo individi në Evropë, siç bën pjesë identiteti i tij lokal, nacional dhe gjinor. Jo eufori e tipit të Macronit për Evropën, por një vizë mbyllëse deziluzionuese nën një debat pa kuptim për identitetin - po të ketë sukses ai.
Bie numri i librablerësve
Përsa i përket biznesit bazë të industrisë së botimeve, ka kohë që gjërat nuk janë kaq mirë sa duken në vështrim të parë: qarkullimi vërtet është stabil, por me më pak blerës. Më pak njerëz blejnë më shumë libra, gjë që është një fenomen i ndryshimit demografik. Ky sektor e ka kuptuar këtë problem dhe po kërkon rrugë që librin dhe letërsinë të mos i lërë të katandisen në një fenomen të kufizuar për elitat.
Një rreze drite ka në Panairin e Librit të 70-të, të sivjetëm: vendi i ftuar Gjeorgjia, me anë të leximeve të shumta dhe të shkrimtarëve të ardhur shumë kohë para fillimit të Panairit dhe me debutimin fantastik në Panair është afruar shumë. Qënia hibride gjeorgjiane me të kaluarën e rëndë sovjetike, vazhdimin e pushtimit të pjesëve të mëdha të vendit, por edhe me bukurinë jugore të jetës është pjesë e Evropës - përfundimisht kjo është ndjesia që të mbetet.