Panairi i Lajpcigut dhe poezia
13 Mars 2015Nuk priten çudira pas hapjes së dyerve të Panairit të Lajpcigut. Temat që e preokupojnë botën e letrave mbeten të njëjta, sidomos çështja e leximit dhe botimeve. Megjithatë ka një mundësi pse ky panair do të mbetet në histori. Lajmi më interesant në një pranverë gati të vakët letrare mbetet nominimi i librit me poezi të Jan Wagnerit "Variacionet e fuçive të shiut" për Çmimin e Panairit të Lajpcigut. Me këtë për herë të parë një vepër poetike u zgjodh si kandidate për çmimin orientues në larminë e botimeve letrare, librave tematikë dhe përkthimeve.
Mundësia që çmimin e panarit të marrë një vepër poetike është elektrizuese, sepse poezia dihet që është e futur në një kënd të vogël ku ajo kalon jetën e pastër dhe fisnike, por pa shumë vëmendje. As 1% nuk përbën xhiroja e kësaj dege për librat me poezi. Kanë kaluar dhjetëra vjeçarë, kur poezitë e Erich Fried, Sarah Kirsch apo Ulla Hahn kapnin shifra shitjeje gjashtëshifrore. Sot shihet si sukses kur shiten deri në dy mijë kopje. Ndërkohë që lirika është forma letrare shumë e përshtatshme e kohës sonë: Shumica e vargjeve nuk janë më të gjatë se një tweet, në një kohë kur njerëzit të lodhur nga lumi i lajmeve kërkojnë origjinalitetin. Kështu si kundërpeshë ndaj së përditshmes të lodhshme mund të jepet si recetë leximi i një poezie në ditë-si mjet ideal për uljen e tensionit të përditshëm të jetës.
Poezia e zhdukur nga libraritë
Por veprat poetikë rëndojnë plumb në rafte. Megjithëse lirika zë vendin e vet në programin e shtëpive të mëdha botuese, megjithëse ekzistojnë rezidencat, çmimet, listat e rekomandimeve, festivalet e letërsisë - sërish lirika nuk luan ndonjë rol në jetën shoqërore, e këtë e kupton nga fakti që mësimi përmendësh i poezive ka dalë nga moda në shkolla, poezitë janë zhdukur edhe nga libraritë. Prandaj nuk ka çudi pse kjo degë nuk entuziazmohet kur për çmimin e Panairit të Laipcigut nominohet në vepër me poezi. Libri me poezi i Jan Wagnerit ndërkohë e ka dyfishuar në dy javët e fundit tirazhin duke kapur shifrën e gjashtë mijë kopjeve.
Pavarësisht shpërndarjes së çmimit: Dilema e Lajpcigut që nxjerr në konkurrim një libër me poezi kundrejt katër romaneve nuk është domethënëse për gjendjen aktuale vetëm për shkak të proporcioneve- Poezia në këtë vend e ka të vështirë dhe të lehtë në të njëjtën kohë: Të lehtë sepse ky zhanër idealist e koncetrat ekziston si në një lloj fortese sigurie e rrethuar si monument i mbrojtjes kulturore. 43 vjeçari Jan Wagner që ka marrë 28 çmime dhe bursa si shkrimtar është një shembull i mirë - e megjithatë për të mbijetuar si poet në profesion të lirë atij i nevojiten angazhime të tjera si leksione, përkthime, reportazhe radiofonike dhe në gazeta.
Përmbysje e raporteve roman-poezi?
Nga ana tjetër poezia e ka të vështirë, sepse megjithëse ka shembuj të panumërt që provojnë të kundërtën, ajo ende nuk e heq dot namin si e zorshme për t'u kuptuar dhe si një kënaqësi që shijohet vetëm nga specialistët. Prandaj Jan Wagner është një kandidat ideal për të çaktivizuar një paragjykim të tillë.
Vetë poeti njëherë për punën e tij është shprehur se ai "mbart me vete 12-20 motive për poezi", disa "janë të shënuara me dorë, dhe konservohen gjatë deri sa të piqen". Këtë proces pjekurie e vë re në poezitë e tij. Ato lexohen thjesht dhe nuk e tradhtojnë aftësinë
poetike. Ao që e karakterizon poezinë e tij është kthimi i vëmendjen ndaj botës dhe njerëzve. Motivet janë të lidhura me aktualitetin. "Variacionet e fuçive të shiut" lidhen me kopshtin e fëmijërisë së tij " me një cep magjik, të errët e pak të rrahur". Poeti nuk është i interesuar për kritikën ndaj gjendjes aktuale shoqërore, por për bukurinë e fshehur të botës. Nëse Jan Wagner e merr çmimin, kjo do të ishte një përmbysje e relacioneve mes romanit dhe poezisë, një ndryshim perspektive që do t'i bënte mirë letërsisë.
Jan Wagner u nderua me Çmimin e Panairit të Lajcigut 2015, për veprën "Variacionet e fuçive të shiut".
© Frankfurter Allgemeine Zeitung GmbH, Frankfurt am Main