Pakistani në udhëkryq
13 Maj 2013Ish-kryeministri i Pakistanit Navaz Sharif shpalli partinë e tij, Lidhjen Muslimane (PML-N), fituesen e zgjedhjeve parlamentare të së shtunës (11.05.2013). Partia Popullore e Pakistanit (PPP) pësoi humbje befasuese, ndërsa Imran Khan me partinë e tij Tehreek-e-Insaf (Lëvizja për Drejtësi / PTI) u bë, siç pritej, forca e dytë në vend. Të dyja rezultatet shënojnë një ndryshim në politikën pakistaneze.
Fillimi i një rruge të vështirë
Është e qartë se procesi demokratik në Pakistan vazhdon. Një qeveri civile qëndroi në pushtet një mandat të tërë dhe tani u zgjodh me sukses një qeveri e re. Kjo është e pazakontë në historinë e Pakistanit dhe një arritje e madhe në një vend, ku për më shumë se 30 vjet ligjin e bënin ushtarakët dhe qeveritë prireshin të ruanin me çdo kusht pushtetin e tyre.
Por ky është vetëm fillimi në një rrugë shumë të vështirë. Ndryshe nga parashikimet, Pakistani nuk doli nga zgjedhjet me udhëheqje të dyfishtë. Partia e Sharifit ka shumicën, që e lejon atë, të krijojë i vetëm qeverinë. Lidhja e tij muslimane PML-N fitoi në provincën më të madhe dhe ndoshta më me ndikim, Punjab. Ajo i dha Sharifit mandatin për të qeverisur përsëri Pakistanin.
Jo fushë me lule
Por euforia e suksesit mund të shuhet shpejt. Sharif tani duhet të jetë në gjendje të ofrojë shpejt diçka, si në politikën e brendshme ashtu edhe në atë të jashtme. Në Perëndim ai shihet si pragmatist. Fakti, që ai ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me qeverinë e SHBA, ka qetesuar shumëkënd. Por ky premtim është më i lehtë të jepet, se sa të mbahet. Megjithatë ajo, që i solli atij fitoren, është qëndrimi i njohur dashamirës ndaj organizatave militante islamike, pak i dukshëm në pamje, por i njohur. Ai nuk mund ta përballojë që të humbasë mbështetjen e këtyre qarqeve radikale në Punjab.
Në politikën e brendshme Sharif duhet të realizojë sa më parë premtimin, për t'i dhënë fund krizës energjetike në vend. Ai do të matet me atë, se sa do të jetë në gjendje t'i zgjidhë problemet e përditshme të popullsisë në Pakistan.
Pozitive për tregtinë dhe ekonominë
Për tregtinë dhe ekonominë Sharif është padyshim një zgjedhje e mirë. Interesat e tij të biznesit në Indi mund të jenë të dobishme, për të ulur tensionet mes dy fuqive bërthamore. Nga ana tjetër kjo ka ndikim në politikën e shteteve fqinje ndaj Afganistanit. Pritet që ata reciprokisht të distancohen nga qëndrimi i tyre i ashpër.
Në të njëjtën kohë Pakistani mund të ndryshojë raportet me Iranin në politikën energjitike. Presidenti Zardari ka bashkëpunuar me Iranin në një projekt për tubacioniet e gazit, ndaj të cilit SHBA kishin rezerva të mëdha. Tani do të jetë interesant të shihet, nëse Sharifi, që mbështetet nga Arabia Saudite, do ta mbajë këtë projekt.
Frikë apo shpresë?
Dhe së fundi çështja e trajtimit të minoriteteve dhe e të drejtave të njeriut në Pakistan. Me humbjen e PPP Pakistani ka tani një udhëheqje, që përbëhet kryesisht nga vehabitët, të cilët mbështesin qartë kompromisin me talebanët. Pakica shiite u persekutua gjatë mandatit të qeverisë së mëparshme. Tani ekziston frika se mund të bëhet edhe më keq, në qoftë se qeveria në Islamabad dhe ato në provinca nuk merren me këtë problem.
Pakistani mbetet në udhëkryq. E gjithë bota e shikon këtë vend me frikë dhe me shpresë, ndoshta më shumë me frikë, se sa me shpresë. Koha nuk pret dhe udhëheqja e re pakistaneze duhet t'i tregojë botës, se kjo frikë është e pabazë.